E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot pasdite Kryeministri Pandeli Majko u takua me Kryeministrin grek Kostas Simitis. Në këtë takim, i cili ishte mjaft miqësor dhe i hapur, u diskutuan problemet që kanë të bëjnë me forcimin

Sot pasdite Kryeministri Pandeli Majko u takua me Kryeministrin grek Kostas Simitis. Në këtë takim, i cili ishte mjaft miqësor dhe i hapur, u diskutuan problemet që kanë të bëjnë me forcimin e marëdhënieve dypalëshe si dhe me bashkëpunimin rajonal dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Kryeministri grek konfirmoi dhe një herë angazhimin e qeverisë së tij për mbështetjen e tre projekteve për qeverinë shqiptare në kuadër të një plani grek për rindërtimin e Ballkanit. Këto projekte kanë të bëjnë me ndërtimin e dy rrugëve si dhe me linjën e tensionit të lartë Elbasan – Tiranë - Podgoricë.

Një ndihmë tjetër, qeveria greke do të ofrojë për ushtrinë shqiptare kryesisht për trupat xhenjere që do të angazhohen në ndërtimin e rrugëve, si dhe në nxitjen e procesit për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Më tej, biseda u përqëndrua në bashkëpunimin rajonal përsa i përket realizimit të projekteve të përbashkëta në infrastrukture, energji etj. Në takim u hodh ideja e vazhdimit të kontakteve tre ose katërpalëshe midis vëndeve të Ballkanit, ku është fjala për projekte të përbashkëta për këto vende. Gjithashtu, Kryeministri shqiptar e falenderoi homologun e tij grek edhe për vendimin e marrë nga qeveria greke për shtyrjen e afatit të lejeve të qëndrimit për emigrantët shqiptarë në Greqi.

Duke biseduar për procesin e hapjes së bisedimeve midis Shqipërisë dhe BE për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Shqipëria po ecën me shpejtësi në rrugën e reformave. "Unë i vlerësoj zhvillimet pozitive në Shqipëri", - tha Simitis. "Gjatë vizitave të mia të fundit në vendin tuaj kam parë ndryshime rrënjësore. Mendoj se ecuria në rrugën e reformave do të bëjë të mundur që, Shqipëria të rrisë marëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian".

Kryeministri Majko e informoi homologun e tij grek për kontaktet e fundit të zhvilluara me partnerët ndërkombëtarë anëtarë të BE-së, lidhur me hapjen e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilziim Asocimit brënda Presidencës spanjolle.

Gjithashtu, Kryeministri shqiptar e informoi zotin Simitis edhe rreth takimit të fundit të Miqve të Shqipërisë të zhvilluar në Vjenë, duke e konsideruar atë si një takim pozitiv që ndikon në forcimin e marëdhënieve të Shqipërisë me komunitetin ndërkombëtar.

Kryeministri Majko në këtë takim shoqërohej nga Ministrja e Ekonomisë Ermelinda Meksi, deputeti Vangjel Tavo, si dhe ambasadori shqiptar në Athinë, Kastriot Robo. Kryeministri Pandeli Majko do të zhvillojë takime të tjera ditën e nesërme në Athinë me zyrtarë të lartë grekë. Gjithashtu, pritet të flasë edhe në Konferencën Ndërkombëtare mbi strategjitë e drejtimit në përballimin e sfidave rajonale.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›