E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnjë-Fier përfundon në shkurt ‘09

Këtë muaj projekti për
ndërtimin e rrugës mbush
tre vjet që nga koha kur
ministri i Punëve Publike, Lulzim
Basha, firmosi kontratën me
qeverinë italiane, e cila mundësoi
lëvrimin e fondit prej 20 milionë
dollarësh.
Që prej asaj kohe kanë ndryshuar
shumë gjëra, duke nisur
nga Basha, i cili nuk mban më atë
post, me projektin që tani parashikon
mbikalimin për makina dhe
mbi të gjitha çmimet për lëndën
e parë. Pikërisht, fakti i rritjes së
kostos deri me 120 për qind solli
probleme për palën italiane, e
cila nuk mund të tërhiqej ose të
kërkonte shtesa financimi për aq
kohë sa në kontratë nuk ishin
parashikuar veprime të tilla.
Aty ku firma italiane mund të
manovronte ishte pikërisht çështja
e afatit të përfundimit të
rrugës. Zyrtarisht rruga ka nisur
të ndërtohej në shkurt të 2006-ës,
por gjatë procesit kompania
ndërtuese "Maltauro-Delma", si
dhe supervizorja "Sintagma",
hasën në disa vështirë si teknike,
ashtu edhe financiare.
Qeveria nuk po gjente
zgjidhje në kohë me shpronësimet,
ndërsa nga ana tjetër çmimi i
dy lëndëve të para, bitumit për
asfalt dhe hekurit, rriteshin çdo
ditë. Firma italiane ishte shpallur
fituese me një ofertë prej 17 milionë
eurosh për një rrugë 22 kilometra
të gjatë (800 mijë dollarë
për km), ndërsa kostoja e saj reale
sa vinte e rritej, kjo falë ndryshimeve
në tregje.
Sikur të mos mjaftonte kjo,
rafineria e naftës ARMO gjatë
vitit 2008 pësoi disa remonte,
duke ndalur furnizimin me bitum,
lëndë e parë për asfaltin.
Problemet
Kjo detyroi firmën ndërtuese
ta blinte këtë produkt nafte në
Greqi, duke krijuar të tjera shtesa
te kostoja. Përtej këtyre fakteve të
deklaruara nga pala italiane, rruga
duhet të ishte mbyllur në shkurt
të këtij viti, gjithnjë duke iu
referuar kontratës dyvjeçare. Pavarësisht
kësaj, drejtuesi i punimeve
(supervizori), Françesko
Rozeti, tha për "Shqip" se me afatin
e punimeve pala italiane ka
plotësuar të gjitha kushtet.
"Jemi brenda afateve. Tani
nuk po punohet për ndërtimin e
rrugës, por për disa shtesa që
nuk ishin planifikuar më parë
në projekt dhe kontratë. Për të
ndihmuar banorët e zonës dhe
duke u nisur nga fakti që kanë
tepruar fonde shtesë nga projekti,
kemi menduar me qeverinë
që të ndërtojmë një
mbikalim për mjetet e transportit,
ndërsa për këmbësorët do të
ndërtohen katër të tillë", u
shpreh Rozeti.
Në fund të fjalës, ai garanton
se të gjitha punimet për rrugën
do të përfundojnë në muajin shkurt
2009. Shtesat në projekt, sipas
palës italiane, kanë krijuar
vonesa në përfundimin e
rrugës, por lëvrimi i fondit prej 3
milionë eurosh për ndërtimin e
mbikalimit do të garantojë siguri
më të lartë për këmbësorët
dhe mjetet e transportit. Kjo
është hera e parë që përfaqësues
nga pala italiane japin sqarime
për vonesat në rrugën
Lushnjë-Fier, në një kohë që
banorët e zonës dhe opozita
bëjnë me faj qeverinë, e cila nuk
ka mundur t‘u japë zgjidhje të
gjitha problemeve të përmendura
më lart.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›