E Diel, 1 Nëntor 2026

Me reforma u mbërrit treni i NATO-s, opozita të mos mbetet në bisht

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në deklaratën e parë pas Samitit të Bukureshtit, i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojë në reformat që duhen bërë pas marrjes së ftesës së NATO-s. Gjithashtu Berisha i ka shprehur mirënjohjen më të thellë përkrahësve të Shqipërisë në Samitin e NATO-s dhe në veçanti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Scheffer dhe presidentin amerikan Bush. Duke e cilësuar marrjen e ftesës së NATO-s si një sukses i arritur falë reformave të deritanishme, kryeministri ka deklaruar se puna në vazhdim duhet të jetë edhe më e madhe. Në këtë kontekst ai ka ftuar edhe opozitën e Shqipërisë për të bashkëpunuar në përfundimin sa më të shpejtë të reformave të domosdoshme për anëtarësim të plotë. Duke iu referuar pohimeve të opozitës të cilët shprehen se janë për reformat, por jo me Berishën Kryeministër, kreu i qeverisë vuri në dukje se opozita, në një vend të lirë ka të drejtë të paraqesë të gjitha kërkesat, kjo është një gjë normale. “Unë, pas kthimit nga Bukureshti, me ftesën e anëtarësimit në NATO, do të punoj me të njëjtin përkushtim për anëtarësimin e plotë në NATO, ashtu siç punova për marrjen e ftesës. Jam njeri që persistoj dhe ajo që unë kam premtuar u bë realitet. Kështu do të bëhet realitet edhe anëtarësimi i plotë. Sigurisht që është shumë mirë që opozita të vazhdojë të bashkëpunojë për dy arsye; e para, ajo ka investimin e vet dhe unë, në asnjë nga dy projektet e mëdha integrimi në NATO dhe në BE, nuk e përjashtoj dhe veçoj kontributin e opozitës, përkundrazi e mirëprs atë. Së dyti, ajo ka programin e vet, i cili parashikon këto dy projekte”, theksoi Berisha. Sipas tij, oozita, ka disa probleme, pasi një pjesë e saj i beson këtij procesi, por disa prej tyre nuk e besojnë atë. “Pikërisht, natën kur do të nisej delegacioni shqiptar për në samitin e Bukureshtit, eksponentë të opozitës deklaronin se Shqipëria nuk do ta merrte ftesën dhe se ka vende që nuk do ta votojnë Shqipërinë. Absolutisht ata nuk përfaqësojnë gjithë opozitën, por realisht ata janë eksponentë jo të papërfillshëm të opozitës. Po ashtu janë edhe truket mediatike që ata realizonin, duke e ditur se shqiptarët janë tmerrësisht të interesuar për këtë projekt madhor. Ndaj ata kanë një adhurim, një padurim, për ta parë Shqipërinë në NATO. Pra, me gjithë truket mediatike të referendarëve të NATO-s, ftesa u mor dhe u bë realitet. Realitet do të jetë edhe anëtarësimi i plotë. Ndaj, ftoj opozitën të bashkëpunojë me transparencë të plotë, të ketë informacion të plotë. Sinqerisht jam çuditur kur natën që prisnim të niseshim në Bukuresht, eksponenë të opozitës deklaronin se ka vende që nuk do të votojnë pro Shqipërisë, çka do të thotë se ata kishin një keqinformim”, theksoi më tej Kryeministri. Gjithashtu Berisha i ka shprehur mirënjohjen më të thellë përkrahësve të Shqipërisë në Samitin e NATO-s dhe në veçanti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe presidentin amerikan Bush. Pas kthimit nga Samiti i Bukureshtit, kryeministri shqiptar ka deklaruar se tashmë do të bëhen të gjitha reformat e nevojshme për të marrë sa më shpejt anëtarësimin e plotë. Kryeministri Berisha shprehu me vendosmëri se “qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të merituar në kohën më të afërt të mundshme anëtarësimin e plotë në NATO”. “Natyrisht, ky është një proces që varet nga shumë faktor. Por atë çka ne do të kemi në duart tona, ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për ta realizuar”, theksoi Kryeministri.
Delegacioni i Bukureshtit pritet me ceremoni festive në Aeroportin “Nënë Tereza”/Delegacioni shqiptar që mori pjesë në Samitin e Bukureshtit, ku Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO, mbërriti pardje pak para mesnate, në Aeroportin Ndërkombëtarë Nënë Tereza, në Rinas. Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa u pritën me një ceremoni festive, ku ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeveritarë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, personalitete të shquara dhe qindra qytetarë, ndërkohë që mungonin përfaqësues të opozitës. I pyetur për mediat, Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa deklaroi se “ftesa për anëtarësim në NATO është përgjegjësi më e madhe”, ndërkohë që u shpreh se “Forcat e Armatosura shqiptare brenda vitit 2010 do të jenë më profesionale”. “Me opozitën do të përballojmë sfidat që kemi përpara”, tha ministri Oketa. Në datën 3 Prill, në Bukuresht, Shqipëria dhe Kroacia, dy vende të Kartës së Adriatikut morën ftesën për anëtarësim në NATO, gjatë punimeve të Samitit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Maqedonia, vendi tjetër i Kartës së Adriatikut, nuk mundi të marrë dot këtë ftesë gjatë këtij Samiti, për shkak të çështjes ende të pazgjidhur me Greqinë lidhur me emrin e saj. Pas Samitit të Bukureshtit, Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha, të shoqëruar nga ministrat pjesëmarrës në delegacionin shqiptarë udhëtuan drejt Kroacisë, ku morën pjesë në pritjen që Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush organizoi për vendet që morën ftesën për anëtarësim në NATO. “Ne mirëpresim në Aleancën e Atlantikut të Veriut Kroacinë dhe Shqipërinë, vende që janë aleate të besueshme të NATO-s”, tha Presidenti amerikan Xhorxh Ë. Bush në fjalimin që mbajti para popullit kroat në Zagreb, ku ishin të pranishëm personalitete të larta botërore, si dhe krerë të shteteve dhe qeverive të vendeve të Kartës së Adriatikut.
Shqipëria është vend tjetër pas datës 3 prill/Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “Shqipëria është një vend tjetër pas datës 3 prill dhe kjo përbën një ngjarje të veçantë në jetën e çdo shqiptari, përbën një arritje të shumëpritur në shekuj nga ky vend për sigurinë e qytetarëve të tij”. Delegacioni shqiptar që mori pjesë në Samitin e Bukureshtit, ku Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO, mbërriti dje në, në Aeroportin Ndërkombëtarë Nënë Tereza, në Rinas, ku u prit në një ceremoni festive nga anëtarë të kabinetit qeveritarë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, personalitete të shquara dhe qindra qytetarë. Në një prononcim për mediat, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “u kthyem një një vend tjetër, në një vend që ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO”. “Ndaj dhe njëherë falënderoj me mirënjohjen më të thellë, të gjithë ata që me punën e tyre kanë bërë të mundur këtë ngjarje kaq të rëndësishme”, u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, pas marrjes së kësaj ftese, na pret një program i ngjeshur pune intesive, për të marrë anëtarësinë e plotë në kohën më të shpejtë të mundshme. “Pas kësaj, na presin etapa të tjera të integrimit të vendit në BE, por kjo i jep Shqipërisë një shtytje të madhe përpara”, tha Berisha. I pyetur lidhur me mungesën e përfaqësuesve të opozitës në këtë ceremoni festive, Kreu i Qeverisë u shpreh gjithashtu se “për anëtarësimin në NATO nuk ka pozitë dhe opozitë, ndaj shqiptarët janë proatlantistë”. “Dua të përshëndes të gjithë shqiptarët. Jam i bindur se në këtë Samit kam përfaqësuar të gjithë shqiptarët, pasi 94 përqind e tyre janë për në NATO. Ne u kthyem me ftesën për anëtarësim, pra u kthyem ashtu siç donin 94 përqind e shqiptarëve", deklaroi Kryeministri Berisha.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, siguri dhe investime për Shqipërinë/Në emër të “një Europe të bashkuar dhe të sigurtë” 26 vendet anëtare të NATO-s vendosën më 3 prill në Bukuresht zgjerimin e radhëve të aleancës më të madhe ushtarake edhe me dy shtete të reja të Ballkanit, Shqipërinë dhe Kroacinë, ndërkohë që vendi tjetër ballkanik, Maqedonia, do ta marrë ftesën pas zgjidhjes së konfliktit me Greqinë, për emrin e saj zyrtar. Për të gjashtën herë që nga themelimi i saj në vitin 1949 drejtuesit e NATO-s marrin vendimin për zgjerimin e organizatës edhe me dy vende të reja që aderojnë në Kartën Adriatik-3. Padyshim, për Shqipërinë ky moment do të shënohet në historinë e saj si nënshkrimi i aktit më të rëndësishëm në rrugën e pakthyeshme të ndërtimit të një shteti demokratik. Personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, të pranishëm në këtë Samit historik, vlerësuan rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj ngjarjeje për Shqipërinë, në ecurinë e reformave të rëndësishme politike dhe ekonomike në vend. “Vendimi për Shqipërinë i marrë nga Aleanca është vlerësim e besim ndaj gjithë angazhimit të deritanishëm të vendit tim dhe një angazhim madhor që ne kemi, si ndaj vendeve të Aleancës, ashtu dhe ndaj popullit shqiptar”, u shpreh Presidenti Topi në fjalën e tij në Bukuresht. Ai vlerësoi gatishmërinë e Shqipërisë për t'u bërë pjesë e rëndësishme e politikave të sigurisë së Aleancës, si në planin rajonal, ashtu edhe në atë global. “Shtrirja e NATO-s në rajonin ballkanik tkurr ndjeshëm hapësirën e pasigurisë brenda kontinentit evropian dhe jep garanci për siguri afatgjatë, zhvillim e mirëqënie.Besojmë se qeveria e SHBA-së do të japë e para shembullin për të orientuar dhe nxitur më shumë investimet amerikane në hapësirën e re të Aleancës, si prova e sigurisë e stabilitetit afatgjatë në vendet tona”, është shprehur Presidenti Topi. Ndërsa për Kryeministrin Sali Berisha akti i madh i hyrjes në NATO e bën Shqipërinë shumë më dinjitoze e më të besuar, duke i dhënë një pasaportë të re vendit. Në fjalën e tij në Samit ai shprehu mirënjohjen më të thellë për SHBA-në, sidomos për Presidentin Bush dhe rolin e tij të jashtëzakonshëm. Kryeministri garantoi se “Shqipëria këtë besim do ta ketë një forcë frymëzuese për të realizuar sa më shpejt standardet dhe për të merituar anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”. Statusi i anëtarit me të drejta të plota pritet të vendoset në Samitin e ardhshëm të Aleancës, në vitin 2009. Ndërkohë, drejtuesit e NATO-s në Bukuresht vendosën që takimi i tyre i ardhshëm, i cili do të shënojë edhe 60-vjetorin e Aleancës, të organizohet nga Franca dhe Gjermania në prill 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›