E Diel, 1 Nëntor 2026

Me revy kundër luftës

Nga rrethimi katërvjeçar Sarajeva mbrohej në mënyra të ndryshme. Organizoheshin ekspozita, koncerte dhe shfaqje, gjegjësisht përmbajtje përmes së cilave synohej që, edhe në ditët më të vështira, të ruhej shpirti i qytetit.

Mirëpo, në Sarajevë dihet dhe flitet fare pak edhe për revytë e modës. Si rrjedhojë, në kuadër të projektit “Moduli i Memories”, të festivalit ndërkombëtar MESS, në tetarin sarajevas të luftës është hapur ekspozita me emër “Moda nën Rrethim”.

Ekspozita përmban fotografi të kreacioneve të modës, të Amna Kunovac – Zekic, të krijuara gjatë periudhës 1994-1995.

Manekinet e fotografuara në parqet sarajevase të mbjella me domate e patate, pranë ndërtesave të rrënuara dhe automobilave të shkatërruar, ose përkrah pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse, janë motive të afro 30 fotografive të ekspozuara. Fotografitë shfaqin anën tjetër dhe gati të harruar të luftës, atë të skenës së modës, e cila përkundër ngjarjeve të atëhershme ishte goxha kreative.

''Ishte me rëndësi që të kishim mundësi që kreativitetin tonë pozitiv ta shndërrojmë në diçka pozitive, që njerëzve t’iu tregohet se jo vetëm në Sarajevë por edhe më gjerë, ne dimë të luftojmë edhe në mënyra të tjera, dhe se dëshirojmë që njerëzit ta shohin këtë gjë.

Mbase i gjithë ai ambient, uniformat që i shihja përditë, më inspiruan që koleksioni të ketë disa elemente të uniformave ushtarake, por edhe elemente folklorike, duke e ndërlidhur kështu me vendin prej nga vjen”, tregon autorja e ekspozitës.

Gjithçka filloi në vitin 1994, kur Amna Kunovac Zekic ia dërgoi disa vizatime shoqatës gjermano-boshnjakohercegovase, si pjesë të projektit të modës për themelimin e një fabrike të vogël në Sarajevë. Shoqata kërkonte një dizajner. Shumë shpejt iu dërgua ftesa, dhe Zekic u bë pjesë e projektit.

Ndërkohë, me qëllim të përgatitje së koleksionit të modës Amna iu desh që në mes të luftimeve të udhëtonte në Gjermani. Ishte kjo një sfidë që ia vlejti, kujton sot ajo.

''Ishte shumë vështirë që të dilej nga Sarajeva, dhe veçanti kthimi në të. Ishte kjo një jetë krejt jonormale për një dizajner. Që të rrezikohej jeta duke udhëtuar nëpër tunelin e Sarajevës, pastaj t’i ekspozoheshe zjarrit të snajperistëve derisa kaloje nëpërmjet Igmanit, dhe të fluturoje me aeroplan transportues, me helmetë në kokë e pancir në trup... dhe të gjitha këto t’i bartje deri në Gjermani. Por, ishte vullneti i fortë, vullneti që të punoje, të dëshmoheshe dhe të krijoje”.

Fotografitë e koleksionit “Fashion Under The Siege” u shkrepën nëpër lokacione të shumta të Sarajevës, ndërsa manekinet përveç nga Acif Hodovic e Wolfgang Bellwinkel, u fotografuan edhe nga Dejan Vekic.

''Pas punës së përditshme të fotografimit të objekteve të shkatërruara, të të vrarëve e të plagosurve, kjo ishte një mënyrë e thjeshtë për ‘relaksim’, dhe që për një çast ‘të harrohej’ ajo më e keqja. Një mënyrë për të bërë diçka kreative në kaosin që mbretëronte. Fotografonim nëpër të gjitha lokacionet e Sarajevës, kështu që kishim një pamje të pamundur, ngado që ktheheshim”, shprehet Vekic.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›