E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salafistët kërcënojnë Egjiptin me revolucion

Ankesa refuzohet: tre kandidatë prominent nuk do të jenë në gjendje të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale në Egjipt. Komisioni Zgjedhor në këtë mënyrë po e tendosë gjendjen në vend. Qysh tani salafistët kanë filluar të kërcënojnë me revolucion islamik, e duket se tani po rrezikohet edhe vetë mbajtja e zgjedhjeve janë të rrezikuara.

Komisioni Zgjedhor në Egjipt mbetët këmbëngulës: shumë ankesa kundër moslejimit të kandidatëve për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale janë hedhur poshtë.

Siç njoftoi të martën në mbrëmje agjencia e lajmeve, MENA, mbetet në fuqi vendimi se 10 nga gjithsej 23 kandidatët presidenciale nuk do të mund të marrin pjesë në zgjedhjet, të cilat zhvillohen më 23 dhe 24 maj. Nga zgjedhjet u përjashtuan edhe tri kandidatë, me gjasa për fitore: Chairat Al Schater, nga radhët e Vëllazërisë Myslimane, ish-shefi i shërbimit të fshehtë, Omar Suleiman dhe kandidati salafist, Hasem Abu Ismail.

Gjatë fundjavës së kaluar, ata së bashku me shtatë kandidatë tjerë për arsye formale u diskualifikuan nga gara dhe kishin paraqitur ankesë ndaj këtij vendimi. Por sipas ligjit, vendimi i Komisionit tani është i plotë-fuqishëm dhe nuk mund të apelohet më.

Tani të gjitha parashenjat janë se Egjipti do të përballet me një stuhi: pas më shumë se një viti të revolucionit në Egjipt dhe përmbysjes së regjimit të Hosni Mubarakut, ishte paraparë që zgjedhjet presidenciale do t’i jepnin fund fazës kaotike të tranzicionit dhe të iniciojnë fillimin e epokës së re dhe demokratike. Këtë e dëshirojnë shumë egjiptianë.

Por tani, pas vendimit të pesë gjykatësve anëtarë të Komisionit, mbetet e paqartë se a do të mbahen fare zgjedhjet dhe është shtuar dukshëm rreziku nga trazirat e reja. Në pikëpyetje është vënë edhe bartja e pushtetit nga Këshilli ushtarak në duart e presidentit të ri, bartje kjo e pushtetit që ishte paraparë të kompletohej më 30 qershor.

Kandidatët u diskualifikuan për arsye të ndryshme nga gara. Ish-shefi i shërbimit të fshehtë, Suleiman, u diskualifikua, pasi që u theksua se ai për kandidaturën e tij nuk ka tubuar numrin e mjaftueshëm të nënshkrimeve në 15 provinca të Egjiptit. Sipas njoftimeve, atij i kanë munguar 31 nënshkrime.

Kandidati i Vëllazërisë Myslimane dhe biznesmeni milioner, Schater, nuk guxon të kandidojë, pasi që ka qëndruar në burg deri në mars të vitit 2011. Ligji, i cili daton qysh nga koha e Mubarakut, thotë se një i burgosur pas vuajtjes së dënimit nuk guxon të kandidojë gjashtë vjet për funksion shtetëror. Megjithatë, duke u nisur nga fakti se Parlamenti i Egjiptit dominohet nga Vëllazëria Myslimane, duket se pushtetarët ushtarak kanë synuar të pamundësojnë që kjo parti të marrë edhe presidencën.

Ligjëruesi radikal, Abu Ismail, u diskualifikua, ngase nëna e tij tashmë e ndjerë e kishte marrë nënshtetësinë amerikane. Salafistët e mohojnë këtë. Kandidatët, partnerët dhe prindërit e tyre duhet të kenë shtetësi egjiptiane. Ironia është se Abu Ismail ka tubuar pikë pikërisht me parulla kundër Perëndimit dhe SHBA-së. Sipas sondazheve, ai në zgjedhje ka mundur të tubojë rreth 20 për qind të votave. Tani, pikërisht lidhja e tij personale me SHBA-në i kushtoi me diskualifikim nga gara.

Qysh të martën në mbrëmje u bë e qartë se ithtarët e kandidatëve të diskualifikuar nuk do të pajtohen aq lehtë me vendimet e Komisionit Zgjedhor. Me qindra ithtarë të Abu Ismailit rrethuan selinë e Komisionit Zgjedhor. Pati përleshje me forcat e sigurisë, të cilat kishin vendosur një rreth të sigurisë në afërsi të ndërtesës.

Bu Ismail qysh më herët ishte kërcënuar se nëse përjashtohet nga gara, Egjipti do të përjetojë një revolucion islamik. Ai në vazhdimësi ka nënvizuar se në luftën për fitoren e islamit nuk duhet të hiqet dorë as nga përdorimi i dhunës. Pas vrasjes së Bin Ladenit, Ismail e cilësoi si “martir” shefin e Al Qaedës.

Vëllazëria Myslimane qysh më herët kishte llogaritur me mundësinë e diskualifikimit të Schaterit, prandaj ka emëruar edhe një kandidat alternativ, Mohammed Mursin.

Por Mursinit i mungon karizma, e cila e karakterizon Schaterin.

“Mursi nuk ka qenë me kot vetëm alternativë. Diskualifikimi i Schaterit është një goditje e rëndë për Vëllazërinë”, thotë Schadi Hamid, njohës i Vëllazërisë. (Die Welt)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›