E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më serbë se serbët

Diplomatët rusë nuk po iu përmbahen deklaratave të tyre se nuk do të bëhen “më serbë se serbët” kur është fjala për Kosovën. Ambasadori Vitaly Churkin tentoi të pengojë adresimin para mediave të Ministrit Hoxhaj, në ndërtesën e OKB’së. Derisa ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Konuzin kishte qortuar serbët në Beograd se nuk po i mbrojnë interesat nacionale si duhet. Nga Express më 17 shtator 2011 në ora 08:25

Kur diplomatët rusë kundërshtonin pavarësimin e Kosovës gjatë negociatave për statusin, ata vazhdimisht kanë përsëritur se rusët nuk do të bëhen asnjëherë më “serbë se serbët”.
Në këtë mënyrë tregohej se Federata Ruse do të mbështesë Serbinë derisa këtë ta kërkojnë autoritetet në Beograd.

Por Vitaly Churkin, që me gjasë është edhe autori i këtij slogani, nuk i është përmbajtur asaj që kishte thënë më herët.

Pas seancës së jashtëzakonshme të KS të OKB’së, të enjten, në të cilën Serbia dhe Rusia nuk kanë arritur të sigurojnë mbështetje për shtyrjen e implementimit të planit operacional për vendosjen e kontrollit në pikat doganore Churkin ka tentuar të pengojë një adresim para mediave të Ministrit Hoxhaj.

“Nuk ke të drejtë të jesh aty dhe të flasësh pa prezencën e UNMIK-ut”, i ka thënë Churkin Hoxhajt.

“Ju mund të kërkoni që UNMIK’u” të vijë këtu është përgjigjur Hoxhaj.
Ambasadori rus ka vazhduar të flasë derisa Hoxhaj ka reaguar duke i thënë ambasadorit rus: “Më lejoni që t’i përfundojë deklaratat e mia”.
Për këtë gjest të ambasadorit Hoxhaj, është pyetur edhe nga gazetarët.
“Kosova është shtet i pavarur dhe i tillë do të jetë përgjithmonë. Dhe unë do të flas këtu sa herë që është e nevojshme”, ka thënë ai.
Më pas, kryediplomati kosovar dhe
ambasadori rus shkurtimisht kanë përshëndetur njëri-tjetrin.
Për këtë “fjalosje”, Churkin ka komentuar para gazetarëve.
“Ishte thjesht këshillë miqësore. Nuk është se e grushtova zotin Hoxhaj”, ka thënë ai.
Churkin tha se i respekton përfaqësuesit e Prishtinës dhe gjithmonë i dëgjon me vëmendje kur vijnë e flasin në OKB, por ata në ndërtesën e OKB’së nuk mund të flasin pa prezencën e UNMIK-ut. Sipas tij, askush nuk u tregon çfarë të bëjnë në restorantet apo parqet e New Yorkut, por në OKB ka rregulla.

Një ditë më herët në Beograd, për Kosovën kishte reaguar edhe ambasadori rus, Aleksandar Konuzin, gjatë një samiti në Beograd.
“A ka serbë në këtë sallë që e mbron Kosovën”, ka përsëritur disa herë me zë të lartë Konuzin.

Ambasadori rus kishte akuzuar KFOR’in dhe EULEX’in se po shkelin Rezolutën 1244, sepse po duan të sjellin në kufi me Serbinë doganierë dhe policë të Kosovës.
Sipas tij, aktualisht interesat serbe në Kosovë po i mbron vetëm Federata Ruse dhe Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremic.

Konuzin tha se në Serbi ka njerëz të gatshëm për t’ia shitur asetet shtetërore gjithkujt tjetër, përveç Rusisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›