Po vijnë grekët
Babish Gianakidis me shokë nga Greqia erdhën në Prishtinë. Si biznesmen me nam nga ky vend që ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet, shikuan se çfarë mundë të investojnë këtu. Interesimi i Giannakidis është të shtrijë rrjetin e shpërndarjes së produkteve ushqimore përmes kompanisë së tij “GKA Trade”, pavarësisht qëndrimit politik që ka vendi i tij ndaj Kosovës.
“Mua nuk më intereson politika. Qëllimi im është të sjell këtu produkte ushqimore të cilësisë së lartë dhe të themeloj një rrjet të shpërndarjes për t’u mundësuar qytetarëve çmime më të lira”, pohon Giannakidis.
Ai thotë se politika e dy vendeve duhet të orientohet në përkrahje të afarizmit dhe të mos bëhet pengesë e zhvillimit të bizneseve.
Pavarësisht përkrahjes, ai nuk e ka ndërmend të ndalet.
“Ne po shohim mundësit të ndërtojmë kapacitete për prodhimin dhe përpunimin e produkteve ushqimore në Kosovë”, thotë Giannakidis.
Si ai janë edhe dhjetëra biznesmenë të tjerë që po kërkojnë bashkëpunëtorë në sektorin farmaceutik, të ndërtimtarisë, të drurit dhe tekstilit në Kosovë.
Në këto fusha thonë se janë më të zotë dhe kanë çfarë t’i ofrojnë tregut të Kosovës.
Përfaqësuesi i delegacionit nga Greqia që vizituan të premten Odën Ekonomike të Kosovës, Jean Nini, tha se Kosova është dëshmuar si vend i sinqertë për bashkëpunimin ekonomik duke u munduar të krijojë kushte sa më të mira për bizneset që të zhvillojnë aktivitetet e tyre.
“Kjo nismë e tanishme ka një nivel të mirë bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Greqisë, gjithashtu edhe në nivelin qeveritar në një takim pozitiv mes ministrit të jashtëm të Greqisë dhe kryeministrit Thaçi për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe bizneseve”, pohoi Nini.
Sipas tij, bizneset që ai ka marrë me vete në këtë vizitë janë shumë të interesuara të arrijnë marrëveshje me kolegët e tyre kosovarë. Për këtë çështje për orë të tëra ata kanë biseduar kokë më kokë me njëri-tjetrin.
Ndërkaq, nikoqiri Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut, u shfaq shumë i kënaqur me interesimin që grekët shfaqën për bashkëpunim.
Madje u tha mysafirëve se Kosova është shumë më e mirë përbrenda sesa që është prezantuar deri më tani nga të tjerët në Greqi. Tha se kanë shumë për të mësuar nga njëri-tjetri.
“Në rend të parë përvoja në zhvillimin ekonomik dhe sidomos ne sektorin e prodhimit që e ka Greqia, përvoja dhe transferi i teknologjisë është më se i mirëseardhur për realitetin kosovar dhe po ashtu për certifikim dhe përmbushje të kritereve në cilësinë e produkteve dhe të cilat po ashtu e kanë një përparësi”, theksoi Gërxhaliu.
Ai vlerëson se me bashkëpunim dhe lidhje të mira ekonomike, të dyja vendet do të kontribuojnë për integrim dhe stabilitet politik.