Shpresë për sigurime

Falë Bankës Botërore (BB) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), shëndetësia kosovare do të mund të shohë një dritë në fund “të tunelit të errët”, në të cilën gjendet aktualisht. Bisedimet që Ministria e Shëndetësisë kishte këtyre ditëve të fundit me BB-në dhe FMN-në, i kanë hapur rrugë procedimit dhe miratimit të dy projektligjeve reformuese. Atij për Shëndetësi dhe për Sigurime Shëndetësore.
Sipas Ferid Aganit, ministër i Shëndetësisë, brenda kësaj jave, Ministria do t’i përfundojë draftet përfundimtare të dy këtyre projektligjeve, të cilat sipas tij, do të dalin për miratim në Qeverinë e Kosovës. “Deri në fund të këtij muaji, do të procedohen për Kuvend të Kosovës, ku do të miratohen në fund të muajit tetor ose në fillim të muajit nëntor”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
Agani këto komente i bëri gjatë një konference për media. Ministri Agani gjatë kësaj konference është shprehur se, takimet me BB-në dhe FMN-në i kanë hapur qartë rrugën e reformës së shërbimeve shëndetësore në vend. Përveç reformës së sistemit shëndetësor në vendin tonë, nga këto bisedime Agani thotë se ka arritur në zgjidhjen konkrete ligjore në Projektligjin për shëndetësi dhe për Ligjin për sigurime shëndetësore.
Sipas tij, pas draftit përfundimtar të dy projektligjeve, ato do të dalin për miratim në Qeverinë e Kosovës dhe se deri në fund të këtij muaji do të procedohen në Kuvendin e Kosovës, ku priten të miratohen në fund të muajit tetor, ose në fillim të muajit nëntor.
“Pas miratimit në Qeveri, ligjet do procedohen për Kuvend të Kosovës, ku unë pres që të miratohen në fund të muajit tetor ose në fillim të muajit nëntor”, është shprehur ministri Agani.
Për të hyrë edhe Kosova në ato shtete që kanë sigurime shëndetësore, Agani thotë se duke filluar nga mesi i vitit që vjen, do të nisë grumbullimi i kontributeve, i pagesave për sigurime shëndetësore. “Kurse në fillim të vitit që vjen, të fillojë reforma e sistemit publik të institucioneve shëndetësore në një ndërmarrje shtetërore të shëndetësisë”, thotë ai.
Sipas tij, ky fond do të plotësohet nga pagesat e kontributeve të qytetarëve në bazë të anëtarëve të familjes, të cilën do ta përcaktojë Qeveria e Kosovës në fillim të çdo viti, varësisht nga gjendja ekonomike e shtetit, dhe nevojat shëndetësore të popullatës dhe do të plotësohet nga tatimet e ndryshme dhe akcizat.
Ndërsa sipas tij, një pjesë e akcizave do të plotësohet nga të ashtuquajturat mallra luksoze, siç janë alkooli, duhani, karburantet, si dhe nga ndotësit e mëdhenj të ambientit. Me aktivizimin e Fondit të sigurimeve shëndetësore, Agani pret që në vitin 2013 të dyfishohet buxheti ekzistues që ndahet nga Qeveria e Kosovës për shëndetësi.