Po NATO-s, Jo Berishës

Kryesocialisti Edi Rama ftoi dje gjithë qytetarët të bashkohen në protestë ditën e premte në sheshin “Skënderbej”, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Protestuesit do të kërkojnë zbardhjen e së vërtetës dhe vënien përpara përgjegjësisë të shkaktarëve të tragjedisë së Gërdecit. “Në manifestimin e së premtes, qytetaret dhe qytetarët shqiptarë do të shprehin bindjen konsensuale të këtij populli për përkatësinë tonë të natyrshme, në familjen e popujve aleatë të rreshtuar në NATO, si dhe kërkesën e shumicës absolute të shqiptarëve për dorëheqjen e kryeministrit dhe zbardhjen deri në fund të krimit shtetëror që polli bombën e Gërdecit dhe që turpëroi Shqipërinë në sytë e botës me skandalin e armëve të trafikuara”, - deklaroi Rama, duke theksuar se ata që duan t’i thonë “pro” NATO-s dhe “jo” Berishës, të marrin pjesë në protestë. Lideri i socialistët cilësoi si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit paaftësinë dhe korrupsionin shtetëror. Në krahun tjetër, ai kërkoi që shqiptarët t’i japin fund politikës së vjetër, që sipas tij përfaqësohet nga shefi i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha. Sipas Ramës, kryeministri është përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit dhe për skandalin e trafikut të armëve që u publikua nga “Neë York Times” dhe të përditshmet shqiptare, e për këtë arsye duhet të japë dorëheqjen. Po ashtu, për të hapur hetimet dhe zbardhjen e së vërtetës, lideri i PS-së i kërkoi kreut të mazhorancës të lërë edhe imunitetin. “Të vetëdijshëm se mes nesh dhe së ardhmes sonë euroatlantike qëndron një qeveri e papërgjegjshme, e paaftë dhe e korruptuar deri në palcë, si dhe një kryeministër që është shëmbëlltyra e politikës së vjetër të së shkuarës dhe përgjegjësi kryesor i tragjedisë së Gërdecit dhe i të gjitha dramave aktuale të shoqërisë shqiptare, që janë papunësia në rritje, varfëria e kudondodhur, pasiguria ekstreme e jetës, dhuna, krimi në familje e korrupsioni sistematik”, - theksoi kreu i PS-së. Edi Rama nënvizoi se në protestën e së premtes, socialistët i përgjigjen pozitivisht kërkesës së ardhur nga mijëra qytetarë, të cilët kërkonin organizimin e saj. Numri një i socialistëve theksoi se qytetarët kërkojnë të ndahen nga kjo qeveri, që simbolizon politikën e vjetër, e cila ka bërë që Shqipëria sot të ketë probleme pafund. Protesta e së premtes vjen pas “Ecjes në heshtje” të zhvilluar pas tragjedisë së Gërdecit. Por, ndryshe nga hera e shkuar, kësaj radhe protesta do të shoqërohet edhe me thirrje dhe parulla. saqellari@korrieri.com