E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më shumë dokumente për emigrantët e punësuar në vendet e BE-së



Anilejda Shëmbitraku

Pak ditë më parë, në Parlamentin Europian është diskutuar drafti për përcaktimin e procedurave për leje-qëndrimet e emigrantëve të punësuar në vendet e BE-së. Mes propozimit të liberalëve dhe politikanëve të tjerë të Parlamentit Europian ka fituar drafti sipas të cilit dokumentet e emigrantëve që kërkojnë punë në vendet anëtare të BE-së do të jenë më të shumta në numër.

Propozimi
Liberalët kanë mbështetur punësimin e emigrantëve, madje kanë kërkuar që të ketë një procedurë më të thjeshtuar të përfitimit të leje-qëndrimit. Në një votim që është bërë para pak ditësh në Parlamentin Europian, një draft i propozuar është hedhur poshtë nga ana e liberalëve, pasi, sipas deklaratave të këtyre të fundit, nuk përputhej me pritshmërinë e këtij grupi parlamentar për thjeshtimin e procedurave për përfitimin e leje-qëndrimit nga ana e emigrantëve që kërkojnë punë në vendet anëtare të BE-së. Guy Verhofstadt, lideri i këtij grupi parlamentar, pas votimit të bërë ka deklaruar në një konferencë për shtyp se “grupi liberal dhe demokrat në Parlamentin Europian mbështet fuqishëm idenë e thjeshtëzimit të dokumentacionit për përfitimin e leje-qëndrimit nga ana e emigrantëve që kërkojnë punë në vendet anëtare të BE-së”. Sipas liderit të liberalëve, propozimi ishte për thjeshtimin e procedurave për leje-qëndrimin, duke përcaktuar një rregullore të përbashkët për të gjitha vendet e BE-së, por nuk është pranuar në Parlamentin Europian me argumentimin që vendet duhet të përcaktonin vetë kushtet e qëndrimit të emigrantëve.

Projekti
Që në vitin 1999 liberalët kanë ngritur zërin në Parlamentin Europian për një rregullore të përbashkët emigrimit për të gjitha vendet e BE-së. Sipas liderit të liberalëve, nevoja për një rregullore të përbashkët është urgjente nëse ekziston dëshira që europianët të jenë akoma në krye të ekonomisë botërore. Sipas liberalëve, rritja e barrierave legale dhe burokracive nuk do të bëjë gjë tjetër vetëm se do të shkaktojë vonesa dhe një rënie të mëtejshme ekonomike. Propozimi i bërë nga ana e politikanëve liberalë në Parlamentin Europian nuk ka të përcaktuar kushtet e përzgjedhjes apo kuotat e punësimit për vendet përkatëse.

Karta Blu
Çfarë “favoresh” siguron

“Karta blu” është konceptuar dhe synon të tërheqë imigrantë shumë të kualifikuar përmes kësaj skeme, për t’u punësuar në sektorë ekonomikë të BE-së që vuajnë nga mangësi të fuqisë punëtore, duke marrë frymëzim nga e ngjashmja amerikane “Green Card”. “Karta blu”, e rekomanduar nga Komisioni Europian, është hartuar për të tërhequr punëtorë shumë të kualifikuar nga shtete joanëtare të BE-së, duke u dhënë atyre qasje në 27 shtetet anëtare. Kjo kartë nuk do të zëvendësojë sistemet kombëtare ekzistues, por do të ofrojë një kanal shtesë tërheqjeje, me një procedurë të përbashkët shqyrtimi dhe lëshimi të lejeve të qëndrimit dhe të punës.

Greqi, 26% e emigrantëve rrezikojnë leje-qëndrimin

Një pjesë e shqiptarëve në vendin fqinj nuk mund t’i plotësojnë të gjitha kushtet që kërkohen

Ndryshimi i kushteve për përfitimin e leje-qëndrimit në Greqi duket se e ka bërë të pamundur plotësimin e kushteve nga ana e emigrantëve shqiptarë që dëshirojnë të rinovojnë lejet e qëndrimit. Si rrjedhojë e kësaj, 26% e emigrantëve mund të mbeten pa e marrë këtë lloj dokumenti. Edhe pse Ministria e Brendshme e Greqisë u angazhua për të zgjidhur çështjen ligjore, akoma vazhdon të jetë në fuqi refuzimi i rinovimit të lejes së qëndrimit, nëse nuk plotësohen ditët e punës (ensima) ose të ardhurat vjetore. Sipas mediave greke, mbajnë në dorë leje qëndrimi 460 mijë emigrantë dhe familjet e tyre, ndërsa u është hequr e drejta e rinovimit të dokumenteve 140 000 emigrantëve, në pjesën më të madhe shqiptarë. 70% e emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë qenë me dokumente të rregullta, madje dhe me bashkim familjar. Në fillim të vitit 2010 kanë qenë me leje qëndrimi 592 mijë emigrantë, ndërsa gjatë gjithë vitit, numri është ulur në 26%, që do të thotë se 26% kanë humbur të drejtën e rinovimit të dokumenteve dhe këta kryesisht janë shqiptarë. Kur një emigrant humbet të drejtën e rinovimit të lejes së qëndrimit, automatikisht nuk ka të drejtë të marrë asistencën e papunësisë, ndërsa quhet i paligjshëm. Veçanërisht të gjithë emigrantët që kishin aktivitet të lirë privat dhe që ndaluan punën për shkak të krizës, janë bërë të paligjshëm përgjithmonë.

Fëmijët
Humbin të drejtën e leje-qëndrimit

Problemi është tejet i theksuar edhe përsa u përket fëmijëve të emigrantëve, pasi leja e qëndrimit të tyre varet nga leja e prindit dhe kështu që mbetet pa dokumente edhe fëmija që ka lindur në Greqi, apo që është rritur aty. Përsa i përket zgjidhjes të këtij problemi kaq të madh, zëvendësministrja e Punës në Greqi, zonja Ana Dalara, ka premtuar se është çështje kohe rishikimi i legjislacionit. Emigrantëve që u është refuzuar rinovimi i lejes së qëndrimit për shkak se nuk kanë plotësuar ditët e kërkuara të punës ose të ardhurat vjetore, duhet të drejtohen te avokatët për të vazhduar me gjyq. Kjo ka si pasojë të rëndojë xhepin e emigrantëve, pasi avokati kërkon të paktën 1000 euro për të vazhduar çështjen, ndërsa emigranti, si lehtësi, ka mundësinë që të rrijë akoma më shumë në Greqi dhe duhet medoemos të gjejë një vend pune, pasi përndryshe do të dëbohet, edhe pse ka kaluar çështja në gjyq.

Shënim
Pas vizave, emigrim të ligjshëm

Më 15 dhjetor shqiptarët shembën murin e qelqtë që i ndante prej 20 vjetësh me Europën, pas Murit të Hekurt që u përmbys në vitin 1990. Tashmë, të gjithë kemi mundësi të prekim realisht dhe të shohim vlerat e kontinentit, pjesë e të cilit jemi, ose, siç na quajnë ndryshe, “kërthiza e Europës”, të komunikojmë dhe të përfitojmë konkretisht. Po ashtu, shohim veten para pasqyrës për të kuptuar më qartë detyrimet dhe sfidat që kemi përpara. BE-ja korrigjoi strategjinë e ndjekur që prej vitit 2001 me vendet e Ballkanit Perëndimor për liberalizimin e lëvizjes së lirë dhe në vitin 208 shtroi detyra konkrete për qeveritë e vendeve të rajonit, duke iu hedhur në tavolinë dokumentin që njihet si Udhërrëfyes. Rezultatet u dhanë shpejt dhe pas një viti, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia gëzuan të drejtën e lëvizjes pa viza në Shengen. Një vit më pas iu bashkuan Shqipëria dhe Bosnja. Strategjia e re e komunikimit të Brukselit me qeveritë e Ballkanit i dha shpejt rezultatet. Njëherësh ishte edhe një leksion i mirë pune dhe angazhimesh për të gjithë drejtuesit e institucioneve që u përfshinë në realizimin e standardeve të përcaktuara në Udhërrëfyes. Përveç presionit që erdhi nga BE-ja, vullneti i treguar nga qeveritë, përfshirë edhe qeverinë shqiptare, për të plotësuar deri më një të gjitha kushtet, justifikoi vendimin që u mor më 9 nëntor dhe që u prek nga shqiptarët më 15 dhjetor.
Por, ndonëse ishte paralajmëruar në mënyrë ndjellakeqe një bum kërkesash për azil nga shqiptarët, deri tani nuk ka asnjë të dhënë në shtetet e zonës “Shengen” për aplikime të këtij lloji. Të dhënat në pikat kufitare tregojnë se në shumicën e rasteve, të refuzuarit në kufijtë hyrës të zonës “Shengen” nuk kanë qenë të informuar saktë për kushtet e lëvizjes. Edhe rastet e personave që u është refuzuar leja e qëndrimit të përkohshëm në vendet europiane është në ulje për shkak të masave strikte që praktikojnë pikat kufitare në zonën “Shengen”. Por, gjithsesi, disiplinimi i lëvizjes drejt vendeve europiane dhe zbatimi rigoroz i kushteve të përcaktuara në marrëveshjen që ka bërë qeveria shqiptare me Komisionin Europian mbetet sfida më e madhe. Por, tashmë, nuk është gjithçka në dorën e qytetarëve shqiptarë. Kërkesat apo tentativat për emigrim me qëllime punësimi nuk shmangen dot për shkak të gjendjes ekonomike. Por, që të mos cenohet regjimi i lëvizjes së lirë në zonën “Shengen”, duhen aktivizuar fuqishëm programet e emigrimit të ligjshëm për qëllime punësimi. Megjithëse BE-ja ndodhet nën presionin e krizës, kërkesat e saj për fuqi punëtore janë ende në nivele të larta. Në këtë aspekt, institucionet shtetërore, agjencitë qeveritare dhe private duhet që të bëhen pritë e flukseve të paligjshme të shqiptarëve që kërkojnë punësim duke abuzuar me hapjen e kufijve në zonën “Shengen”. Përgatitja dhe firmosja e marrëveshjeve dypalëshe me shtetet europiane që kërkojnë fuqi punëtore, ndërtimi i strukturave informative për mundësitë e punësimit, orientimi i arsimit sipas kërkesave të tregut të punës jo në nivel kombëtar, por në rang europian dhe nxitja e agjencive private të punësimit do të ishin ndër hapat kryesorë që do të parandalonin rreziqet e mundshme dhe do të kanalizonin në linjën e duhur fluksin e migrimit për qëllime punësimi. Kjo qeveri dhe institucionet e saj do të fitojë realisht vlerat për liberalizimin e vizave, nëse do të shkarkojë në kanalet ligjore kërkesat e shqiptarëve për të emigruar në BE për qëllime punësimi. Kjo do të ishte fitorja e dytë dhe shqiptarët do të jenë më europianë se para apo pas 15 dhjetorit. Detyrimisht, Bashkimi Europian do të jenë më pranë se asnjëherë tjetër. Gjysmën e betejës e kemi të fituar me vlerat dhe kontributet që kanë dhënë më shumë se 1 milion shqiptarë në emigrim gjatë 20 viteve të tranzicionit.

27 Dhjetor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›