E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për elektroshtëpiaket, çdo pajisje mbi 5 mijë lekë, 2 vjet garanci



Ervin KOÇI

Konsumatorët shqiptar duhet të bëjnë kujdes sidomos këto ditë me pajisjet e ndryshme që ai mund të blejë qoftë edhe për t’i dhuruar për festat e fundvitit. Çdo pajisje elektronike, elektroshtëpiake ose nën-presion, ka të drejtën e pajisjes me garanci sipas standardeve të BE-së. Ligji i ri “Për pajisjet elektroshtëpiake dhe ato nën presion”, por dhe ai “Për mbrojtjen e konsumatorit” e ka të shprehur qartë formën e garancisë sipas standardeve të reja. Kështu sipas këtyre dy ligjeve çdo pajisje elektronike, elektroshtëpiake ose nën-presion që ka një vlerë mbi 5 mijë lekë duhet të jetë e shoqëruar me një garanci minimalisht 2 vjeçare. Pajisjet e tjera që janë nën këtë shumë, duhet të kenë garanci 1 vit nga afati i futjes në punë. Ligji i ri përcakton qartë të drejtat dhe detyrimet e konsumatorit ndaj fletës së garancisë pasi ka blerë një produkt të caktuar, por edhe të drejtat dhe detyrimet e kompanisë apo tregtarit pas shitjes së pajisjes përkatëse një klienti konsumator. Ligji i ri u kërkon njëkohësisht edhe konsumatorëve që të mos bëjnë blerje të cilat nuk i përmbushin kriteret e këtij ligji. Gjithashtu në ligjin e ri, parashikohen edhe sanksione të rrepta dhe gjoba për subjektet private që kapen duke shkelur pikat e mësipërme të tij.

Garancia
Ditët e fundit një pjesë e dyqaneve dhe kompanive që tregtojnë pajisje elektronike, elektroshtëpiake dhe nën-presion kanë njohur një fluks më të madh se zakonisht të shitjeve. Shumë konsumatorë kryejnë blerje të ndryshme në këto ditë të pajisjeve të mësipërme nisur edhe nga festat e fundvitit. Por shumë prej tyre nuk i vënë re fletët e garancive që plotësojnë shitësit e mallrave dhe e kalojnë pa i dhënë rëndësi kohës së garancisë. Ligji i ri “Për mbrojtjen e konsumatorit” e thekson qartë rëndësinë që ka respektimi i periudhës së garancisë nga ana e subjektit tregtues ndaj konsumatorit. Këto ditë vetëm kompanitë më të mëdha dhe më prestigjioze të tregtimit të pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake kanë nisur të publikojnë në reklamat e tyre për pajisje të ndryshme afatin e ri të garancisë që nënkupton një kohë jo më të vogël se dy vjet garanci për pajisje mbi 5 mijë lekë.

Garancia kontraktuale
Sipas ligjit të ri, asnjë deklaratë garancie kontraktuale nuk e privon konsumatorin nga të drejtat, që sanksionohen në nenet 29, 30 dhe 31 të këtij ligji. Tregtari është i detyruar të plotësojë deklaratën e garancisë dhe t’ia dorëzojë atë konsumatorit. Deklarata e garancisë i jepet konsumatorit në gjuhën shqipe. Ajo duhet të jetë e shkruar në një gjuhë të qartë e të kuptueshme dhe të përmbajë të dhënat e nevojshme, si emërtimin e mallit ose të shërbimit, emrin dhe adresën e garantuesit, afatin dhe zonën e veprimit të garancisë. Në bazë të kontratës së garancisë, si detyrim pas shitjes, prodhuesit dhe shitësit sigurojnë pjesë këmbimi të nevojshme për mirëmbajtjen dhe riparimin e mallrave brenda periudhës së garancisë, qoftë kjo garanci sipas dispozitave ligjore apo atyre kontraktuale.

Gjobat
Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen si më poshtë: 1) Nga struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut: a) për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenet 9, 11, 18, 19, 20 e 21, me gjobë 30 000 lekë; b) për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenet 7, 8, 12, 22 e 32 pika 3, me gjobë 70.000 lekë. 2) Nga Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve: a) për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenet 14, 15, 17 shkronja “A”, 22, 32, 33, 35, 37, 38, 39, 40 e 43, me gjobë 70.000 lekë; b) për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenet 16, 17 shkronja “B”, 23, 24, 25, 27 pika 4, 28 pika 2, 29, 30, 31, 41 e 45, me gjobë 100.000 lekë. 3) Nga institucione të tjera: a) zyra shtetërore e turizmit: Për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenin 47, me gjobë 100 000 lekë.
b) Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë: Për shkeljen e dispozitës së parashikuar në shkronjën “c” të pikës 1 të nenit 9, me gjobë 50.000 lekë. c) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve: Për shkeljen e dispozitave të parashikuara në legjislacionin përkatës për dhënien e kuponit tatimor. 4) Në rast përsëritjeje, gjobat e parashikuara në pikën 1 të këtij neni dyfishohen. Përsëritje vlerësohet rasti, kur shkelësi kryen të njëjtën shkelje për herë të dytë, brenda një periudhe prej 5 vjetësh. Gjoba vendoset brenda 2 muajve nga data kur është konstatuar shkelja. Personi që ka kryer shkeljen, duhet ta shlyejë gjobën brenda 10 ditëve nga data e marrjes njoftim për vendosjen e saj. Gjoba e vendosur në zbatim të këtij ligji është titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga zyrat e përmbarimit, në rast se nuk shlyhet në kohë nga personi që ka kryer shkeljen.

Kontrollet e fundvitit, në 530 kontrolle bllokohen alkool, naftë dhe cigare

Fundi i vitit i gjen tregtarët në dilemën për të fituar sa më shumë në kurriz të konsumatorit, apo të respektojnë ligjin. Përgjithësisht preferohet abuzimi, e në të tilla situatash, kur me festat e fundvitit shpenzimet e konsumatorëve rriten, madje edhe përtej mundësive, duke u përballuar me çmimet e larta, tatimet nisin kontrollet në terren. Rezultati është i dyanshëm, pasi tregtarët ndërgjegjësohen, kurse shteti mbush arkën me gjoba dhe mall të sekuestruar. “Administrata tatimore e vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal si plotësim i detyrimit të saj ligjor, ka marrë të gjitha masat për monitorimin e tregjeve dhe akseve kryesore rrugore mbi lëvizjen dhe tregtimin e mallrave në këtë periudhë fundviti, në të gjitha ditët për 24 orë”,- deklaronte Zyra e Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme. Rezultatet e kontrolleve të ushtruara gjatë këtyre ditëve nga Sektori i Zbatimit (Task-Forcë) i Drejtorisë së Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Sektorëve të Verifikimit në Terren të Drejtorive Rajonale Tatimore, kanë treguar se tatimpagues të caktuar kërkojnë të përfitojnë duke ju shmangur detyrimit të tyre ligjor për të dokumentuar mallrat e tyre me fatura tatimore. Mësohet se kontrollet janë ushtruar gjatë periudhës 16-21 dhjetor. Të dhënat tregojnë se janë zhvilluar 530 kontrolle dhe janë marrë masa të ndryshme, që nisin me gjoba, deri në sekuestrim malli pa faturë. Konkretisht, në Tiranë, sektori i zbatimit (Task-Forca) ka konfiskuar në vlerën 6.000.000 lekë artikuj kancelarie, ushqimore dhe alkoolike, si dhe ka vendosur gjobë akcize në masën 500.000 lekë për mosvendosje pullash akcize. Materialet për këtë kontroll i janë përcjellë prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Nga sektorët e verifikimit në terren nga DRT Tiranë janë konfiskuar rreth 17 koli ose 8 700 paketa cigaresh të markave të ndryshme, të cilat nuk ishin të shoqëruara me faturë tatimore, si dhe 54 koli lëngje frutash. Në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier janë konfiskuar 28 tonë grurë për mos shoqërim me faturë tatimore. Po në këtë drejtori është konfiskuar një bot me një ngarkese prej 20 metër kub naftë bruto, pa faturë dhe dokument shoqërues. Në Drejtorinë Rajonale Tatimore Durrës janë konfiskuar 1080 paketa cigare pa faturë tatimore dhe 680 paketa pa pullë. Materialet edhe në këtë rast i janë përcjellë prokurorisë për veprime të mëtejshme. Gjithashtu, në bashkëpunim me Zyrën Shqiptare të të Drejtave të Autorit janë sekuestruar 1750 copë CD e DVD.
Kontrollet janë shtrirë në të gjithë vendin, ndërsa rezultatet ishin të shumta. Në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore janë konfiskuar 14000 copë fishekzjarrë, 830 litra vaj makine, 193 antifriza, 50 copë filtra ajri, 150 kg bojë plastike, 274 koli artikuj të ndryshëm ushqimorë etj. “Të gjithë tatimpaguesit kanë detyrimin ligjor që gjatë tregtimit dhe lëvizjes së mallrave duhet t’i kenë ato të dokumentuara me fatura tatimore të rregullta ose fatura shoqërimi. Gjithashtu, tregtarët duhet të kenë të afishuar në mënyrë të qartë dhe të lehtë për konsumatorët listën e çmimeve të produkteve që ata tregtojnë”, -përfundon njoftimi i tatimeve.

27 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›