Krishtlindjet sjellin festë në Shkodër, pas përmbytjeve
Anilejda Shëmbitraku
Në Shkodër, besimtarët e krishterë i kanë pritur Krishtlindjet në atmosferë feste. Me këtë rast, Arqipeshkvia e Shkodrës ka mbajtur një meshë në katedralen e qytetit, ku ishin të pranishëm me qindra besimtarë. Por, ndryshe nga vitet e kaluara, klerikët dhe qytetarët, përveç të tjerave, i janë lutur Zotit që përmbytjet masive të mos përsëriten më në Shkodër. “Falënderoj shqiptarët që kanë qenë solidarë me ata që kanë pasur probleme me përmbytjet”, - u shpreh arqipeshkvi i Shkodrës, Angelo Masfara. Pas meshës, besimtarë të shumë kanë mbushur rrugët e qytetit duke krijuar një atmosferë feste në zhurmën e fishekzjarrëve, atmosferë që më shumë se kurrë Shkodrës i ka munguar pas katastrofave natyrore nga më të mëdhatë e 150 viteve të fundit në Shqipëri.
Familjet
Familjet e përmbytura festa i gjen në vështirësi. Mbrëmja e 24 dhjetorit e orët e para të mëngjesit për ditën e djeshme i ka gjetur shumë shkodranë duke festuar Krishtlindjet në shtëpitë e tyre, ndërsa të tjerë nuk dinë as kur do të kthehen në shtëpitë e tyre. Dëmet që lanë pas vërshimet e ujit të javëve të kaluara u kanë tjetërsuar shtëpitë, oborret dhe tokat, duke u dëmtuar të gjithë pasurinë e vënë ndër vite. Sipas të dhënave më të fundit, niveli i ujit në liqenin e Shkodrës, pranë urës së Bunës, në kuotë absolute është 8.68 m (kuota dt. 23.12.2010, ora 18:00 ishte 8.76), pra kemi një ulje të vogël të nivelit të liqenit me 8 cm. Niveli i ujit i lumit Drin pranë urës së Bahçallëkut 8.33 m (kuota dt. 23.12.2010, ora 18:00 ishte 8. 46 m), pra kemi një ulje të nivelit me 13 cm. Kuota në Dajç është 6.54 m, prurjet në lumin Kir janë 100 m3/sek, në lumin Gjadër janë 50 m3/sek.
Komunat
Sipas pasqyrës së fundit në Bashkinë Shkodrës, gjatë ditëve të fundit, situata, përsa i përket nivelit të ujërave, është pothuajse e njëjtë me atë të një dite më parë. Vazhdon të jetë i pranishëm uji pjesërisht në zonat e Livadheve. Në komunën Ana-Malit situata nuk ka ndryshim nga dita e djeshme, niveli i ujit mbetet i njëjtë. Në komunën Bushat është e njëjta situatë. Nuk ka pasur rënie të nivelit të ujit. Janë të kalueshme me të gjitha llojet e automjeteve rrugët lidhëse të Bushatit me fshatrat Mali i Jushit-Bend-Ura e Gjonlulit-Velipojë. Në komunën Bërdicë situata është pothuajse normale dhe vazhdon shpërndarja e ndihmave pa probleme. Aksi rrugor nga Harku i Bërdicës deri përtej fshatit Trush është i kalueshëm nga të gjitha llojet e automjeteve, ndërsa rruga për të shkuar në Dajç kalohet. Në komunën Dajç nuk ka pasur rënie të nivelit të ujit.
Krishtlindjet
Meta e Basha urojnë banorët nga Shkodra
Përfaqësues të lartë të qeverisë “Berisha” zgjodhën t’i kalonin Krishtlindjet në Shkodër, e cila prej javësh është e prekur nga përmbytjet. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, i shoqëruar dhe nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, zgjodhi të kalonte vigjiljen e Krishtlindjeve në Malin e Jushit, më konkretisht pranë familjes Sukaj. Meta zgjodhi të uronte nga tryeza e kësaj familjeje të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe Nën-Shkodrës, të cilët u prekën nga përmbytjet. “Këto janë Krishtlindje të mbara për të gjithë shqiptarët, pasi kemi arritur diçka që e kemi ëndërruar prej dekadash, por natyrisht që janë dhe jo të zakonshme për ju dhe për ne që po jetojnë me këtë shqetësim. Por, Krishtlindjet janë dhe për një vit shprese, ripërtëritje dhe ne besojmë se më e mira do të bëhet", - tha Meta.
Edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, mori pjesë në meshën e Krishtlindjeve në kishën e Dajçit. Ai i uroi banorët, të cilët po përballen me këto ditë të vështira, duke premtuar angazhimin maksimal të qeverisë për kapërcimin e kësaj situate sa më parë.
Ministria e Punës
Janë 11 500 të punësuar në 2010-n
Aktualisht, nga 20 mijë vende të lira pune që janë shpallur nga zyrat e punësimit në të gjithë vendin, për vitin 2010 rezulton se janë punësuar rreth 11 500 persona. Autoritetet e Shërbimit Kombëtar të Punësimit sqarojnë se grupmosha që është punësuar është nga 20-35 vjeç, ndërkohë që kjo kategori është dhe ajo që është më e interesuara. Nga të dhënat që raporton Shërbimi Kombëtar i Punësimit rezulton se numri më i madh i punësimeve regjistrohet në industrinë e përpunimit dhe atë të ndërtimit. Pjesa më e madhe e të punësuarve kanë qenë me shkollë të mesme, ndërkohë që në totalin e punësimeve për vitin 2010, vetëm 1500 punëkërkues rezultuan të ishin me arsim të lartë.
27 Dhjetor 2010