Më shumë hapësira për vizitorët, mbi 24 mijë turistë zgjedhin freskinë e Drilonit

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Mes gjelbërimit, burimeve me ujë të kristaltë dhe qetësisë që ofron natyra, Driloni në Pogradec mbetet një nga destinacionet më të preferuara të turistëve gjatë sezonit veror.
Çdo ditë, qindra vizitorë vendas dhe të huaj ndalojnë në këtë park natyror për të shijuar peizazhin unik, lundrimin me varkë dhe ambientet relaksuese pranë brigjeve të Liqenit të Ohrit.
Driloni, apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, ndodhet vetëm 6 km larg Pogradecit dhe është një ndër atraksionet më të bukura në vendin tonë. Pas investimeve të realizuara në Drilon, ku janë ndërtuar rreth 4 000 m rrugica për këmbësorët është zgjeruar sipërfaqja e parkut duke nxjerrë më në pah potencialin turistik të kësaj zone.
Drejtori i Qendrës Parku Ujor Drilon-Tushemisht, Erjon Vesho tha për ATSH-në se “nga janari deri në fund të korrikut Drilonin e kanë vizituar 24 131 vizitorë, ku fluksi më i lartë është shënuar në muajt qershor-korrik. Në krahasim me vitin e kaluar ka një rritje prej 19,4% më shumë vizitorësh”.
Në hyrje të Drilonit është ngritur edhe Qendra e Vizitorëve, e cila shumë shpejt do të jetë e hapur për turistët.
“Qendra e vizitorëve është drejt përfundimit dhe besoj se në tetor do të jetë e aksesueshme për vizitorët. Ajo ka salla ekspozimi të florës, faunës, vlerave, traditës dhe arkeologjisë për gjithë rajonin dhe jo vetëm për Drilon Tushemisht. Ekspozimi do jetë me pajisje teknologjike (ekrane, audio etj.) si dhe me ekspozime reale të florës dhe faunës”, tha Vesho.
Vizitorët kanë mundësi të shëtisin përgjatë rrugicave të sistemuara, të lundrojnë me varkë në kanalet natyrore, të fotografojnë mjellmat dhe shpendët e tjerë që popullojnë parkun, si edhe të shijojnë gatimet tradicionale të zonës në restorantet pranë liqenit.
Investimet e kryera vitet e fundit në infrastrukturën turistike, me zgjerimin e shëtitoreve, ndërtimin e urave, korsive të biçikletave dhe shtimin e hapësirave të gjelbra, kanë rritur ndjeshëm potencialin e Drilonit si një destinacion për turizmin natyror dhe familjar.
Falë pozicionit pranë liqenit të Ohrit dhe afërsisë me Tushemishtin e Shën Naumin, Driloni është kthyer në një ndalesë të domosdoshme për vizitorët që zgjedhin juglindjen e Shqipërisë, duke kombinuar natyrën, historinë dhe mikpritjen karakteristike të zonës.
1 nga 13/k.s/j.p/r.e/