E Diel, 1 Nëntor 2026

Më shumë investime dhe punësim gjatë 4 viteve të ardhshme

03-06-2013 / Gazeta 55

Kryesuesi i listës së PD në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami

Pas pak ditësh inaugurohet autostrada Elbasan-Tiranë

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili kryeson listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, premtoi dje nga Cërriku më shumë investime dhe punësim gjatë katër viteve të ardhshme. “Gjatë këtyre 8 viteve ne kemi bërë shumë për Çërrikun, Elbasanin, Shqipërinë, ne vendosëm standardin e punës, ndaj vijmë këtu sot ballëhapur para jush se kemi investuar, punuar, do të investojmë e punojmë më shumë 4 vitet e ardhshme”, tha Imami në mitingun elektoral në Cërrik, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të PD. Imami bëri të ditur gjithashtu se pas pak ditësh do të përurohet dhe rruga Elbasan-Tiranë, një nga veprat më të shkëlqyera publike, sipas tij, që lidh këtë zonë me jug dhe juglindjen e vendit. “Pas disa ditësh do të inaugurojmë rrugën Elbasan-Tiranë, vepra më e madhe e këtij mandati, një vepër e shkëlqyer publike, e cila shumë shpejt do të jetë rruga që lidh jugun e juglindjen e vendit me Elbasanin e Tiranën”, theksoi Imami.  Imami vuri në dukje investimet e bëra gjatë viteve të qeverisjes së PD në infrastrukturë, arsim e shëndetësi, siguri e bujqësi, në çdo fushë të jetës, duke theksuar se “kjo bën të mundur që fëmijët e Cërrikut, Elbasanit, Shqipërisë të jetojnë shumë më mirë, të jetojnë në një vend shumë më të begatë sesa ai që gjetëm”. Në fjalën e tij, Imami sulmoi dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili, sipas tij, bllokoi për vite me radhë statusin e vendit kandidat të integrimit në Bashkimin Evropian. “Rama bllokoi për vite me radhë statusin e vendit kandidat të integrimit në Bashkimin Evropian, ndaj sot u fshihet qytetarëve shqiptarë”, tha Imami. Më tej, ai solli në vëmendje se Rama mbajti peng tre ligjet për 236 ditë me radhë, duke u shkaktuar shqiptarëve një dëm të madh. “Shqipëria e fitoi statusin kandidat vitin e kaluar. BE, ndryshe nga Rama, na e aprovoi statusin dhe bëri gati të lëvronte qindra mijëra euro, por Edi Rama i tha jo integrimit dhe zhvillimit, mirëqenies së familjeve tuaja. Tashmë të gjithë e dinë dëmin që bëri, ndaj ai struket në autobusin mavi, sepse nuk mund të ballafaqohet me ju”, iu drejtua Imami qytetarëve të Cërrikut. Imami solli në vëmendje gjithashtu se në kohën kur ishte kryetar i Bashksië së Tiranës, Rama vetëm i rriti taksat, si të gjelbërimit, pastrimit, tabelës dhe reklamës. “Kur qeveria shqiptare mori masa për të ndaluar rritjen e taksave për biznesin e vogël, ai protestoi kundër uljen së taksave, sepse Rama di vetëm një gjë të bëjë mirë; të votojë kundër çdo nisme, çdo investimi, çdo reforme që përmirëson jetën e qytetarëve shqiptarë, ndaj fshihet duke folur për origjinën, gjeografinë, por asnjëherë për problemet tuaja”, u shpreh Imami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›