E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Më shumë qytetarë shqiptarë udhëtuan jashtë, tejkaluan të huajt

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Hyrja e kompanive ajrore që ofrojnë bileta me çmim të ulët, të njohura si “low cost”, ka nxitur qytetarët shqiptarë për të shtuar udhëtimet jashtë vendit.

Nëntori, i cili ka edhe disa festa zyrtare shënoi edhe një ndër muajit me fluksin më të lartë të udhëtimeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

Të dhënat e publikuara sot nga Instituti i Statistikave Kombëtare (INSTAT) tregojnë se në muajin nëntor 2024, 629.845 shtetas shqiptarë kanë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 13,5 %, krahasuar me nëntorin e 2023.

Referuar të dhënave, numri i qytetarëve shqiptarë që dolën jashtë territorit ishte më i lartë se ai i shtetasve të huaj që hynë në territorin tonë.

Statistikat tregojnë se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 604.332. Ky numër është rritur me 10,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se të huajt shpenzuan në vendin tonë gati 4 miliardë euro përgjatë 9-mujorit janar-shtator.

Ndërsa sipas përllogaritjeve, shtetasit shqiptarë në udhëtimet e tyre jashtë shpenzuam 2 miliardë euro gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti.

Destinacionet kryesore të qytetarëve shqiptarë janë Italia e Gjermania, të lidhura këto edhe me numrin e lartë të emigrantëve shqiptarë në këto shtete. Ndërsa me rritje paraqiten edhe Turqia, Praga, Franca, apo Spanja.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›