E Diel, 1 Nëntor 2026

Më shumë se 250 viktima në Rashkë

Në vitin 2007, UNMIK-u dhe autoritetet serbe kishin shkelur mbi të vdekurit për të shkuar te moçali afër oborrit të kompanisë “Kosmet Put”. Ndonëse dinin vendin e varrezës, ata filluan gërmimet larg këtij oborri, i rrethuar me ekskavatorë, buldozerë dhe kamionë të ndryshkur, të cilët ndoshta para 11 vitesh mund të jenë përdorur për të varrosur qindra shqiptarë.

Atë kohë, kërkimet ishin ndaluar. Tani ato pritet të rinisin përsëri, por kësaj radhe Serbia, dhe në vend të UNMIK-ut, EULEX-i, treguan përnjëmend vendin ku janë varrosur viktimat e luftës së vitit 1998-99.

Shqiptarët dyshojnë se Serbia po përdor viktimat e luftës që vetë i ka shkaktuar për të fituar poenë politikë.

“Institucionet e Serbisë kanë ditur për këtë varrezë masive që nga fillimi, por e kanë dhënë këtë lajm qëllimisht, pikërisht në Ditën e Evropës”, thotë Prenk Gjetaj, drejtues të Komisionit qeveritar për personat e pagjetur.

Gejtaj po ashtu dyshon në numrin e viktimave të varrosura në këtë vend, që kanë dhënë autoritetet në Beograd. Sipas tij, Rashka fsheh më shumë viktima të dhunës serbe mbi shqiptarët.
“Ne kemi informacione se aty qëndrojnë dy varreza masive me një numër më të madh, njëra 300, ndërsa tjetra 150. Pra, bëhet fjalë për një numër shumë të madh, mbi 400 trupa”, thotë Gjetaj.
Ai thekson se palës kosovare i ka mbetur hatri që EULEX-i nuk ka shkëmbyer asnjë informacion me ta, por as Beogradi, përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Ndërsa, kryetari i delegacionit të Prishtinës për bisedime me palën e Beogradit, Pajazit Nushi, thotë se me zbulimin e kësaj varreze nuk mund t’i vihet pikë kësaj çështjeje, ngase në rrethinat e Rashkës duhet të ketë edhe varreza të tjera, të cilat duhet të gjurmohen.

Edhe mjeku ligjor, Arsim Gërxhaliu thotë se si në rastin e Batajnicës, edhe për Rudnicën do të kërkohet thjeshtësimi i procedurave, në mënyrë që mos të ketë komplikim të identifikimit të mbetjeve mortore.

“Do të kërkojmë që çështjet teknike të thjeshtësohen, mos të komplikohen, meqenëse ne kemi një rutinë të punës së përbashkët, ku janë edhe ekspertët e EULEX-it”, shton ai.

Ndërkaq, Jelena Miliq, drejtoreshë e Qendrës për Studime Euroatlantike në Beograd, thotë se zbulimi i varrezës masive në Rashkë hedh dritë të re mbi të gjitha ato që kanë ndodhur në Kosovë në vitin 1998 dhe 19999.

“Për opinionin serb është e domosdoshme që ta kuptojë që ne nuk jemi bombarduar, as që Kosova nga ne është shkëputur për pikë qejfi, por kësaj i parapriu shkelja serioze e të drejtave të njeriut dhe përdorimi tej mase i forcës nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe", tha Miliq për “Deutsche Welle”.

Sipas saj, në këtë moment është vështirë të thuhet nëse bëhet fjalë për koincidencë, por tajmingu i zbulimit të kësaj varreze masive mund të ndërlidhet edhe me procesin që Serbia e nisi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Edhe Skënder Hyseni, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, thotë se zbulimi i vendndodhjeve të varrezave masive është minimumi që Qeveria e Serbisë mund të bëjë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

“Edhe para samitit, edhe para Konferencës së Sarajevës, do të shfrytëzoj të gjitha kanalet diplomatike që të vazhdoj trysninë, sepse ajo trysni është e vazhdueshme, që Republika e Serbisë t’i bëjë të ditura vendndodhjet e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë. Është vështirë të besohet që një veprim kriminal, gjenocidal, që është bërë nën sponsorimin e autoriteteve shtetërore të Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të mos dihet për vendndodhjen e këtyre varrezave masive”, ka bërë të ditur Hyseni.

Ndërsa, prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukqeviq, ka paralajmëruar se zhvarrimet do të bëhen së shpejti, por ende nuk dihet data e saktë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›