E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi uron kryeministrin e ri britanik

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përgëzuar liderin e Partisë Konservatore britanike, David Cameron, me rastin e zgjedhjes kryeministër i Britanisë së Madhe.

“Mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Britaninë e Madhe ishte ngjarje e cila dëshmoi se vendi juaj është atdhe i vërtetë i demokracisë, konkurrencës politike, votës së lirë dhe shprehje e vullnetit të qytetarëve. Pas rezultatit zgjedhor sërish dolën në pah vlerat e qytetërimit tuaj dhe të demokracisë së avancuar, duke njohur rezultatet dhe duke treguar përgjegjësi të lartë politike ndaj votuesve, qytetarëve dhe vendit tuaj”, thuhet në telegramin e kryeministrit të Kosovës.

Thaçi ka theksuar se Britania e Madhe vazhdon të jetë një ndër vendet kryesore, prijëse e lirisë, demokracisë dhe ndikimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës do ta thellojë edhe më shumë miqësinë dhe bashkëpunimin me Britaninë e Madhe.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, Ju shpreh urimet më të mira gjatë mandatit Tuaj qeverisës, me besimin se do të realizoni programet qeveritare në forcimin edhe të mëtutjeshëm të Britanisë së Madhe, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, përfundon telegrami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›