Tenton të ndihmojë një familje, bie nga kati i tretë zjarrfikësi

FIER/ Edmond Moçka, babai i dy fëmijëve, ka ndërruar jetë mbrëmjen e së martës teksa ishte në detyrë
FIER - Ka tentuar të ndihmojë kryefamiljarin për të shpërthyer derën e shtëpisë, por ka mbetur i vdekur një zjarrfikës i Fierit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në lagjen "Apolonia", ndërsa viktimë ishte 46-vjeçari Edmond Moçka. Bëhet e ditur se zjarrfikësit ishin thirrur nga një kryefamiljar, i cili kishte kërkuar ndihmë për të hapur derën e shtëpisë për shkak se nuk kishte çelësin.
Duke qenë se dera ishte e blinduar dhe në shtëpi ndodheshin tre fëmijët, të vetëm, ai ka telefonuar zjarrfikësit. Pasi ka mbërritur në pallatin ku ishte njoftuar se kishte probleme, zjarrfikësi ka mësuar se bëhej fjalë për apartamentin në katin e tretë, dera e të cilit ishte e blindur dhe ku në banesë ndodheshin tre fëmijë. Si rrjedhojë, ai është përpjekur që të ngjitet në katin e tretë të pallatit me anë të një litari, me forcën e krahëve.
Por pikërisht kur ai kishte arritur në afërsi të katit të tretë, 46-vjeçarit dyshohet t'i kenë rrëshqitur duart dhe si rrjedhojë ka rënë në tokë. Ai është çuar në spitalin e Fierit urgjentisht por sipas shokëve ai ka mbërritur atje në gjendje kome.
Moçka është futur në sallën e operacionit, por nuk ka mundur dot t'i mbijetojë goditjes që kishte marrë në kokë në mometin e rënies. Ai ka gjetur vdekjen. Policia ka mbërritur në spital, ndërsa janë marrë në pyetje personat të cilët ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes, për të zbardhur edhe shkaqet e vdekjes.