Me sitë mielli në kokë u fotografua për patentë shoferi
Austriakut Niko Alm iu lejua të fotografohej për dokumentet zyrtare me sitë mielli në kokë, për të cilën thotë se është një mbulesë fetare, shkruan BBC.
Kërkesën për patentë shofer Alm e kishte bërë para tri vitesh pasi që mësoi se mbulesa e kokës lejohet për arsye fetare. Ai dëshiroi të tregojë ironinë e kësaj rregullore.
Ateisti i vetëshpallur, Alm deklaroi se është pjesëtar i Kishës së Shpagetave të Përbindëshave Fluturues, pjesëtarët e të cilës quhen pastafarian dhe mbajnë nga një sitë mielli në kokë për nevoja të bindjeve të tyre fetare.
Alm po ashtu tha se kërkesa për tu fotografuar për patentë shofer është përgjigje ndaj rregullores austriake për mbulimin e kokës në fotografitë zyrtare.
Pas tri vitesh policia austriake ia lëshoi Almit patentë shoferin, në të cilën ai shihet me mbulesën e çuditshme në kokë. Alm i tha agjencisë austriake të lajmeve APA se do të kërkojë nga autoritetet e Austrisë që pastafarianët të njihen si religjion i ri.