E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitje në Tiranë, autori dhunon shitësen e vjedh 500 gr ar

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 15-07-2011 11:15

Tiranë- Ka dhunuar shitësen e një argjendarie, duke e kërcënuar me një thikë, e më pas është larguar që aty me 500 gram flori me vete. Grabitja ka ndodhur rreth orës 09:30 të ditës së djeshme, në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë, ku një person rreth moshës 45 vjeç, ka hyrë në ambientet e brendshme të argjendarisë dhe pasi ka goditur disa herë në kokë me grushte punonjësen, ka hyrë brenda banakut dhe ka marrë prej andej bizhuteri floriri. Sipas dëshmive të mbledhura në vendngjarje, grabitësi ka qenë i pamaskuar dhe me anë të një thike ka kërcënuar fillimisht shitësen. E tmerruar, ajo ka nisur të kërkojë ndihmë, por grabitësi i është përgjigjur se askush nuk do ta dëgjonte dhe ka nisur ta qëllojë me grushte, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Pas kësaj, ai ka arritur të marrë sasinë e bizhuterive dhe është larguar nga dyqani, por ka harruar aty thikën, e cila është administruar si provë nga Policia e Tiranës, e cila mbërriti në vendngjarje pas telefonatave të bëra nga banorët e zonës. Nga ana e saj, policia e kryeqytetit nisi mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të punonjëses dhe të dëshmitarëve të tjerë, që kishin qenë të pranishëm në momentin e grabitjes. Sipas deklarimeve të punonjëses, mësohet se grabitësi ishte i moshës 40-45 vjeç, trup i dobët dhe jo shumë i gjatë. Nga ana e saj, policia kërkoi të merrte në administrim kamerat e sigurisë, por fatkeqësisht ato ishin jashtë funksionimit. Gjithashtu, u kontrolluan dhe kamerat e sigurisë së një banke që ishte pranë argjendarisë, por rezultoi se ato nuk kishin fushëpamje të mjaftueshme për të parë dhe hyrje-daljet në argjendari, çka vështirëson identifikimin e autorit të grabitjes. Ndërkohë, nga hetimet e para rezulton se grabitësi e ka vëzhguar për disa kohë argjendarinë dhe ka vepruar në kohën kur pronari i saj ishte larguar dhe kishte lënë të vetme punonjësen. Në një prononcim për gazetën “MAPO”, pronari i argjendarisë së grabitur tregon se gjatë ditës së djeshme ishte larguar për pak kohë, për disa probleme personale dhe ishte njoftuar nga punonjësja me telefon që të vinte me shpejtësi, pasi kishte ndodhur diçka. “Unë gjithmonë rri nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës këtu në dyqan, bashkë me shitësen. Sot (dje) u shkëputa për pak për disa punë, kur në orën 09:36 më merr në telefon shitësja, e cila më kërkonte të vija me shpejtësi. U nisa menjëherë dhe kur mbërrij këtu, pashë disa punonjës të policisë private, që ishin mbledhur përpara derës së dyqanit dhe askush nuk kishte vepruar, ose ishte vënë në lëvizje për të ndjekur autorin, edhe pse punonjësja i kishte rënë disa herë alarmit. Kur mbërrita, mora vesh për ngjarjen”, - tregon pronari i argjendarisë. Ai ka shtuar se është shumë i tronditur nga kjo që ndodhi. “Jam i bindur që grabitësi i ka vëzhguar lëvizjet e mia, pasi ka kryer grabitjen në kohën kur unë nuk isha në dyqan”, – shprehet pronari i argjendarisë. Ndërkohë, nga ana e saj Policia e Tiranës është duke vijuar punën për identifikimin e autorit të grabitjes, ku të gjitha shpresat kryesore janë fokusuar në thikën e lënë në dyqan nga ana e grabitësit. E ndërsa thika është dërguar në laboratorin kriminalistik, me shpresën se aty mund të gjendjen gjurmët e autorit, policia ka marrë edhe përshkrimin e shitëses për autorin e grabitjes, duke krijuar edhe identikitin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›