E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me sulmin ndaj ushtrisë, Edi Rama bëhet I Dyshuar Ndërkombëtar

12-07-2012 / Gazeta 55

Duke shfrytëzuar padrejtësisht raporte përgjimesh, të dorëzuara në shkelje të ligjit dhe kushtetutës, Edi Rama po përsërit përrallat e rastit “Trebicka”, duke folur gjithë ditën për “indicie” e “burime të brendshme”, në përpjekje për të diskredituar ushtrinë shqiptare, një ushtri anëtare e NATO-s. Megjithëse posti i kryetarit të opozitës është një institucion serioz, Edi Rama po tregon se s’ka as instinkt shtetari e as instinkt politikani. Në vend që të diskreditojë përditë imazhin e Shqipërisë, ai duhet të japë sqarime se ç’agjenturë përfaqësojnë “burimet nga brenda” që e informokan dhe a kanë ato lidhje me një trafik privat armësh për të cilën shkruante një gazetë greke

Edi Rama ka kapërcyer një vijë të kuqe me dyshimet publike që ka hedhur ndaj drejtimit politik të Ushtrisë së një vendi anëtar të NATO-s, por edhe ndaj të gjithë anëtarëve të saj në përgjithësi. Me një terminologji fantastiko-shkencore, si fraza “indicie të qarta” apo “burime të brendshme”, Edi Rama ka ndërtuar një megaakuzë, atë të organizimit shtetëror të një trafiku ilegal armësh, në favor të regjimeve diktatoriale në shumë cepa të globit. Ai flet për “indicie”, kur në fakt, në cilësinë e një institucioni kushtetues si kryetari i opozitës, e angazhon vendin e vet në Aksin e së Keqes dhe si një thikë pas shpine kundër NATO-s. Ky aktivitet “alla Dik Marti”, pasi  vetëm fantazitë e tij synuan t’i bënin po aq dëm imazhit të shqiptarëve, s’mund të kalohet veç me amatorizëm e me konferenca shtypi. Për momentin, garancitë e vetme e të plota janë ato të partneritetit të plotë të ushtrisë tonë (përfshirë segmentin politik të drejtimit të saj) me aleatët e vet strategjikë; SHBA-të si dhe segmentet ushtarake e politike që drejtojnë NATO-n. Përtej kësaj garancie (nëse Edi Rama e vë në dyshim edhe këtë, duhet t’i japë veshje politike kësaj pune e të deklarohet se s’i beson kësaj aleance ushtarake e se më mirë do kërkonte ndonjë organizatë tjetër partnere, të ngjashme me Traktatin e Varshavës dikur), kreut të opozitës do t’i duhet të merret gjerë e gjatë, jo me akuza që mbështeten mbi indicie, por me shpjegime se si ka mundur të marrë raporte të paautorizuara nga institucione të specializuara e t’i keqpërdorë për qëllimet e ditës, të cilat s’i shërbejnë as partisë së tij, por para së gjithash, dëmtojnë rëndë imazhin e vendit. Edi Rama dhe kasnecët e tij që po keqpërdoren këto ditë, duhet të japë sqarime se ç’agjenturë përfaqësojnë “burimet nga brenda”, për të cilat ai foli e në emër të të cilave ai artikuloi akuzat para dy ditëve. Frazat s’janë lajthitje politike e duhet të mbështeten në fakte. Duhet të dalin palo-raportet mbi të cilat është artikuluar akuza e “burimeve të brendshme”, ose përndryshe do të lexohet qartë se me të vërtetë kemi të bëjmë me pjesën tjetër të ekuacionit politik. Në rastin tjetër, kur “burimet e brendshme” s’janë fare burime, kemi të bëjmë thjesht me një përdorim të liderit të opozitës për interesat e të tretëve, që sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë disa qarqe biznesi në Serbi, apo thjesht me një të lajthitur në fushën e politikës, i cili s’merr vesh as nga vijat e kuqe të politikës së ditës, e aq më pak nga vijat e kuqe që s’do t’i kalonte kurrë një kandidat për kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s. 
Sado e sikletshme të ketë qenë keqpërdorimi që iu bë rrethanave të vdekjes të të ndjerit Kosta Trebicka, rrethanat kësaj here s’kanë implikime veç individuale. Balta e hedhur pa doganë nuk shkon veç drejt “disa zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes” për të cilët “dyshojmë se kanë dalë jashtë kornizave ligjore e kushtetuese, duke u përfshirë në tregti korruptive armësh e municionesh”. Balta përfshin krejt statusin e ushtrisë shqiptare si dhe modalitetet e bashkëpunimit dhe të kontrollit që NATO ushtron mbi të. Kjo baltë synon të shkojë kaq larg, paçka se bazohet veç në indicie, prandaj edhe për momentin s’kemi kurrfarë çështjeje apo investigimi, por veç një lider opozite, që është shndërruar në I Dyshuar Ndërkombëtar i Klasit të Parë. I tillë është një kandidat për kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, i cili me anë të ndoca indiceve ka përpunuar një akuzë që po shokon të madh e të vogël në Shqipëri dhe ka shkaktuar entuziazëm në Serbi.
Por në këtë skakierë ndërkombëtare, ku po përpiqen ta katapultojnë spekulimin e fundit të opozitës, s’ka asgjë për të analizuar. E vërteta është se lideri i opozitës ndoshta mund të flasë për ndonjë tregti private armësh me Greqinë, për të cilën mund të ketë dijeni, por jo për aktivitetin e institucioneve që janë anëtare të NATO-s, e për të cilat informacione mund të ketë marrë në mënyrë jo të ligjshme, nga drejtues agjencish kryekëput në shkelje të ligjit e të kushtetutës. Një lider i përgjegjshëm që synon të drejtojë një vend anëtar të aleancës më të madhe ushtarake të vendeve të lira në botë, s’mund të përdorë termin “kam burime nga brenda”, për të elaboruar një gjuhë jodemokratike dhe kryekëput antishqiptare. Por afërmendsh, me indiciet e sotme, edhe një jospecialist i medias - lëre më analistë të politikës në Parlament, apo në Bruksel - e merr vesh se këtu është fjala për papërgjegjshmëri... Rrjedhimisht, edhe masat që do të ndërmerren do të kenë të bëjnë me izolimin e këtij faktori që s’njeh din e iman në politikë e që gjithë kohën e harxhon duke bërë tregti me interesat e komunitetit që e ka votuar për lider opozite.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›