Reforma zgjedhore, Milo: Jemi kundër kompromisit PD-PS
Kryetari i PDS-së Paskal Milo është shprehur kundër kompromisit të arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për reformën zgjedhore.
Në një konferencë për shtyp, Milo ka kërkuar nga partitë e mëdha të marrin parasysh kërkesat e të vegjëve për korrektim kombëtar.
“Palët nuk kanë marrë parasysh kërkesat tona. Partia Socialiste hoqi dorë nga numërimi dhe identifikimi elektronik. Nëse nuk do të merren parasysh kërkesat tona ne do të shohim për alternativa të tjera jashtë të majtës” deklaroi Milo.
Ndërkohë dje është mbyllur edhe çështja e shumëdebatuar dhe një ndër kriteret kryesore për rrugën e integrimit të vendit, reforma zgjedhore. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka kaluar dje të gjitha çështjet e mbetura pezull si reformatimi i KQZ-së, ankimimi dhe teknologjia.
Në një prononcim për mediat të dy bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oert Bylykbashi e kanë vlerësuar pozitivisht hartimin e kodit të ri zgjedhor, ku sipas tyre i është hapur rruga transparencës së mbajtjes së zgjedhjeve në Shqipëri.
Ndërsa sa i përket korrektimit të sistemit zgjedhor të kërkuar nga partitë e vogla, kjo çështje sipas tyre do ti lihet për gjykim të mëtejshëm Parlamentit.