E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me vendlindjen n’prapavi

Një burrë i bardhë, fotograf, me kujdes shpaloste përshtypjet mbi Kosovën. Ne të dy ishim ulë në fund të dhomës së librarisë Dit’ e Nat’ dhe vëzhgonim me vëmendje punën e tij, e cila në çdo shkrepje kufizohej edhe me një prej porosive ekzotike që na janë mveshë shpesh.

Ky burrë besonte ta kishte gjetë të vërtetën, andaj mbahej për të sigurt, pa e kuptu se sikur shumë të tjerë, kishte lëndu çdo qytetar të vendit tonë, duke mos pa asgjë përtej, duke mos e pa vet atë.

Fotografia e gazetarit me dekada ngulfat identitetin e individit, duke e vënë atë detyrimisht në kompozicion me vendlindjen e quejtun atdhe. Ky atdhe më pas i mbetë subjektit lidhë në qafë. Gjatë. Posa ta deklarojë origjinën, peizazhi i Kosovës së pasluftës i shfaqet në prapavi. Xhamia, shamia, kaosi në trafik, mishtorja e përgjakun, plisi mbi plis; krejt këto shenja të modifikueme globalisht për identifikim.

Shpesh harrohet se kujtesa televizive përbëhet prej emnimeve të paketueme për ngutë, dhe shpesh po ky realitet ruhet në libra historikë plot fotografi që elaborojnë njeriun në kohë. Si pasojë, sa herë që takon individin, kjo tufë informatash të mbledhuna pa kujdes del e korruptueme në raport me një aktualitet, të cilin nuk mundet me e vendosë në kuadër të kontekstit të njoftun. Në këtë tip albumi, kosovari i lamë që qesh nuk ka vend.

E tjerrëm gjatë këtë farë pune të reprezentimit dhe menduam se do të ishte e udhës me e facilitu një hapësinë për vet subjektin. I mblodhëm pak pare dhe u nisëm në rrugë me i shpërnda 100 aparate për një përdorim. I lamë ato gjithandej nëpër fshatna, qyteza e qytete. Ua dhamë të rinjve prej 14 deri 25 vjeç dhe u thamë t’i shkrepin 27 pozat në funksion të cilitdo rrëfim që duen ta ndajnë në libër e ekspozitë. Prej atij momenti e tutje subjekt ishte qenia e tyne e portretueme, pa mbikëqyrje dhe këshilla tutoriale.

Asnjëri prej tyne nuk është fotograf, por është koha në të cilën jetojnë që ua ofron përvojën. Sepse sot të gjithë mund ta ndalim kohën në fotografi, gati çdo telefon e kryen këtë shërbim, përderisa shiriti filmik është i huej për këta fëmijë. Aparatet tona nuk lidheshin për kompjuter, poza e shkrepun nuk mund të zhbëhej e filmat duhej pritë të zhvillohen. Ritëm i kohnave të shkueme. E kishim harru edhe vet bukurinë e këtij procesi, teket e tij por edhe pafundësinë e kokrrave në letër.

Pas tre muajsh punë, ma në fund i kishim në dorë të gjitha fotografitë, por gati një javë s’patëm emën për to. Kishte shumë imazhe dhe të gjitha ishin intime. Ne si duket kishim pritë diçka dokumentare, e jo krejt atë poezi. Në këto fotografi gjetëm njëfarë përditshmënie të zhveshun prej formalitetit, të motivueme prej pasionit që shpesh flet për ato që preken e s’preken, por e bëjnë ditën çdoherë të mbyllet në natë ku përshtypjet çelen.

Gjithçka duket të nisë në një vend e të përfundojë në tjetrin, por dëshirat, preokupimet, mangësitë e të qenit, vijnë qartë të komponueme në përmbajtje të qëndisun me paramendim.

Prej 2500 fotografive zgjodhëm 90, të cilat u punuen prej më shumë se 30 pjesëmarrësve. Lokacionet, idetë dhe porositë mbetën në diskrecionin e autorëve.

Shpresojmë që pa këto margjina të mësueme do të mund të kënaqeni në copëzat e kohës që sytë e tyne i kanë vrojtu.

***

Dit’ e nat’ LIBRA promovon botimin e saj të parë, librin fotografik “Me vendlindjen n’prapavi” që u punua në kuratorial të Kaltrina Krasniqit the Alban Mujës.

Ky libër përbëhet prej 90 imazheve të komponuara e shkrepura nga të rinj prej moshës 14 deri 25 vjeç të cilët fotografinë nuk e kanë vokacion. Kuratorët shpërndanë 100 aparate për një përdorim në të gjithë Kosovën duke dashur të krijojnë hapësirë për perspektivën e atyre që normalisht përjetohen si subjekt shqyrtimi nga krijuesit.

Promovimi i librit bëhet me 16 Shkurt 2012 në orën 18.00 në kafe/librarinë dit’ e nat’, përderisa ekspozita e fotografive hapet në po të njëjtën ditë në orën 19.30 në Tetris.

Ky projekt është mbështetur nga UNICEF Inovation Lab, Ambasada norvegjeze në Prishtinë dhe Swiss Cooperation Office.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›