E Diel, 1 Nëntor 2026

“Më vjen turp nga BE-ja!” – Eurodeputetja holandeze ngre alarmin për dhunën policore në Shqipëri: Fëmijët protestues janë rrahur dhe qëlluar me plumba gome!

Eurodeputetja holandeze Anna Strolenberg, ka ngritur në Parlamentin Europian shqetësimin për dhunën e policisë ndaj studentëve dhe protestuesve në Shqipëri, duke kritikuar edhe reagimin e Bashkimit Europian, të cilin e akuzoi se nuk ka dënuar përdorimin e tepruar të forcës nga efektivët.

Anna Strolenberg (1)

Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian, Strolenberg tha se prej ditësh po sheh pamje të protestave në Shqipëri, ku protestuesit janë qëlluar me plumba gome, ndërsa fëmijë janë dhunuar e arrestuar për shkak se “Edi Rama nuk dëgjon dhe nuk pranon të ndryshojë”.

“Shqipëria e shqiptarëve dhe jo Shqipëria e Edi Ramës dhe e të pasurve”, deklaroi eurodeputetja, duke theksuar se pamjet e dhunës nuk mund të shpërfillen.

Ajo shprehu gjithashtu zhgënjimin për qëndrimin e Bashkimit Europian, i cili, sipas saj, ka dënuar dhunën e disa protestuesve, por nuk ka reaguar me të njëjtën forcë ndaj dhunës policore kundër shumicës së protestuesve paqësorë.

“Më vjen turp që BE-ja dënoi vetëm dhunën e disa protestuesve të dhunshëm, por nuk dënoi dhunën e tepruar të policisë ndaj shumicës së protestuesve paqësorë. Ne flasim për vlerat, por nuk bëjmë asgjë kur ato vlera shkelen”, u shpreh Strolenberg.

Fjalimi i eurodeputetes Anna Strolenberg:

Faleminderit, President. Dëshiroj të kërkoj një mocion për procedurë, në përputhje me nenin 202 të Rregullores së Procedurës.

Shqipëria e shqiptarëve. Shqipëria e shqiptarëve dhe jo Shqipëria e Edi Ramës dhe e të pasurve. Çdo ditë më vijnë pamje të cilave nuk mund t’ua kthej shpinën. Protestues të qëlluar me plumba gome, fëmijë të rrahur dhe të arrestuar. E gjitha kjo sepse Edi Rama nuk dëgjon dhe nuk pranon të ndryshojë.

Më vjen turp që BE-ja dënoi vetëm dhunën e disa protestuesve të dhunshëm, por nuk dënoi dhunën e tepruar të policisë ndaj shumicës së protestuesve paqësorë. Ne flasim për vlerat, por nuk bëjmë asgjë kur ato vlera shkelen.

Njerëzit mund t’i falin armiqtë e tyre, por nuk do ta falin një mik që i braktis. Ne kemi mjete ndikimi, sepse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e BE-së dhe qeveria e saj duhet të ndërmarrë ndryshime të mëdha, të luftojë korrupsionin, të reformojë policinë dhe të mbrojë qytetarët e saj. Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe një familje qëndron në krah të njëri-tjetrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›