Me zemër nga Turqia dhe sytë nga Himara
ROMINA DIFI
E kemi mbytur fare. Nuk kemi lënë media, tavolinë kafeje apo me shprehje fytyre pa sharë e stërsharë shërbimin në vendin tonë. Cilat janë 10 pikat që turizmi në vendin tonë i plotëson, të cilat nuk lidhen fare me krizën ekonomike, por që po të mos jetë për pikën e parë (atë që zë vendin e parë nuk do të mund të ishin as 9 pikat (vendet) e tjera)? Si fillim, kujt i referohemi me hotel në vendin tonë? Ndërtesave në minimum dykatëshe (por nuk përjashtojmë as njëkatëshet), të cilat kanë ngjitur në faqe të murit një letër ku thuhet se jepen dhoma me qira. Këto ndërtesa mund të kenë ndërmarrë edhe riskun për tu quajtur Hotele, madje në shumë raste pronarët e tyre nuk të falin: pranë fjalës Hotel të sheh syri edhe një numër të kufizuar yjesh. Nuk do të donim aspak ta trajtonim si gënjeshtër numrin e yjeve apo, tek e fundit, edhe prezencën e një ylli të vetëm. Ne e dimë shumë mirë se pronari i hotelit nuk ka pasur si qëllim të gënjejë, thjesht atij i ka munguar rasti të shohë në jetën e tij një hotel me aq yje sa ai pretendon se ndërtesa e tij i ka.
Duke u nisur nga avantazhet konkurruese që një biznes ka ndaj një tjetri, një klient mund të zgjedhë objektivisht se në cilin zhanër shërbimi do të bëjë pjesë, mirëpo në shërbimin hotelerik në vendin tonë diçka e tillë të mohohet, të gjithë ofrojnë një 9-she kriteresh, të dhjetin e kanë falas, dhe shpesh është ai kriteri i 10-të (i specifikuar në vendin e 10-të), pa të cilin nuk do të kishim 9 të tjerët dhe që në shumë raste shkon dhe ngatërrohet me nocionin e krizës ekonomike.
Përpara se tju prezantojmë me 10 vendet (10 pikat që ofron shërbimi hotelerik në Shqipëri), ju këshilloj të uleni në kafenenë më të afërt dhe të porosisni për të pirë, gjithnjë nëse keni shansin që kamerieri të vijë brenda 30 minutave të para.
Në vend të 10-të
Dhoma: Të sigurohet një dhomë që të bën ta kërkosh kënaqësinë që të fal deti. Kjo bëhet për një arsye të thjeshtë: mëngjesin e ditës tjetër ta presësh me mall. Le ta harrojmë dhomën në Turqi (më shumë mund ta harrojnë ato që e kanë parë nga interneti, pasi ato që kanë qenë në nuk munden dot ta harrojnë) me një minimum 30-35 metra katrorë, që të jep mundësinë që të lëvizin të gjithë pjesëtarët njëherazi. Prioritet përbën vendosja e semaforit, i cili ndihmon në sheshimin e konfliktit: kur do të çohesh ti për të shkuar në banjë (se të thuash tualet përbën pak borgjezi) dhe kur do të çohet tjetri të ndryshojë pozicionin e antenës.
Vendi i 9-të
Minifrigorifer apo dhe një frigorifer normal ju bën që ti qëndroni larg, jo si në shtëpitë tuaja, ku çdo 20 minuta përballeni me pamjen brenda frigoriferit. Këta frigoriferë që ti mundëson vendi i 9-të, ofrohen pa asgjë brenda. Le ti harrojmë frutat brenda tij, ku në një pjatancë të vogël janë prerë në kubikë një kokërr mollë, një kokërr kumbull, një fetë shalqi, një fetë pjepër, 3-4 kubikë akull dhe disa shkopinj të vegjël të ngulur në ndonjë prej copëzave të frutave, të cilët të gjithë së bashku nuk e kalojnë koston 100 lekë, por lenë një impakt të mrekullueshëm te klienti që paguan 4000 deri 10 000 lekë të rinj natën. Në hotelet tona e ke të garantuar mungesën e kësaj pjatance, sado qoftë shuma e pagesës tënde.
Vendi i 8-të
Uji i pijshëm. Një person mund të pijë deri 2 litra ujë në ditë, kostoja e të cilave është 40 lekë. Personat që ofrojnë shërbime në vendin tonë nuk besojnë që klienti meriton të shumtën 1/100 e asaj që paguan dhe për më tepër të ofrosh ujë të pijshëm në vendin tonë është diçka e rrallë, ndaj për atë që e bën, siguron menjëherë një avantazh konkurrues. Sigurisht që pronarët e hoteleve dhe të lokaleve në Vlorë do të përmendin se ata shesin ekskluzivitetin e ujit të ftohtë, dhe jo vetë ujin. Në vend të 8-të ju garantohet mungesa e filtrit të ujit nëpër çezma apo e në rastin më fantazues ju garantohet mungesa e një kolie me ujë të blerë nga vetë pronarët, ata nuk duan tju japin të kuptohet që punojnë shumë për mirëqenien tuaj, pasi si rrjedhojë, mund ta keqinterpretoni dhe ta shihni pronarin me një sens nënvlerësues, gjë që rrezikon daljen nga turma e hoteleve (siç e thamë më sipër, këto 10 pika i ofron çdo hotel në Shqipëri). Vendi i 8-të, më shumë se çdo vend tjetër, siguron uniformitetin e shërbimit hotelerik.
Vendi i 7-të
Dysheku: Të mos thotë njeri që nuk ka provuar të flejë në një dhomë 4 metra katrorë, në krevate marinari, dy sipër dhe dy poshtë (pra 1 metër katror për çdo person, sigurisht del dhe tepron, në fund të fundit, askush nuk ka shkuar të ankohet te pronari, të gjithë kemi shkuar vetëm sa për ti dhënë lekët apo eurot në raste edhe më të rënda). Për ata që nuk e kanë provuar ndonjëherë ndjesinë që të fal një person, një metër katror, i sugjerojmë pa diskutim Dhërmiun. Pronari që të merr paratë nuk lë rast pa përmendur rëndësinë që ka deti i Dhërmiut dhe se fjetja e rehatshme nuk është pjesë e turizmit. Në vend të 7-të e keni të garantuar që do të shijoni pamjen e një deti të mrekullueshëm me sytë e rraskapitur nga pagjumësia e një nate më parë.
Në vend të 7-të është dysheku që në birucat e izolimit do të detyronte shumë të burgosur të ngriheshin në grevë dhe një ndërhyrje të menjëhershme nga agjentët e Komitetit të Helsinkit.
Vendi i 6-të
Çarçafët. Të ofrohen të ashpër, tamam për një fërkim natyral të lëkurës. Kjo mundëson që lëkura e rreshkur nga dielli të mund të rikuperohet pa pasur nevojë për elemente të tjera, të cilat ditëve të sotme të ofrohen me çmime të kripura, gjasme baltëra nga Deti i Vdekur apo skrap me fruta ekzotike; asnjë nga këto nuk krahasohet me ashpërsinë e çarçafëve që të ofrojnë hotelet në Shqipëri. Është menduar që kjo ashpërsi të ruhet gjatë, ndaj në vendin e 6-të ju sigurohet me shumë mundim nga ana e pronarëve, çarçafë të palarë për të gjitha ditët e qëndrimit tuaj. Ndoshta ju diçka të tillë nuk e dini, por të paktën mos e shfaqni injorancën tuaj duke kërkuar ndërrimin e çarçafëve.
Vendi i 5-të
Peshqirët: Si fillim ju garantojmë se fiziku juaj do të përmirësohet dukshëm nga uji i kripur dhe mos harroni se mbajtja e tij në trup përbën një proces kurativ të pazëvendësueshëm. Njëlloj si në qendrat e antiobezitetit, ku klientit i ndalohen ushqimet pro dhjamosjes, ashtu edhe në dhomat ku jeni rehatuar ju hiqet mundësia të largoni nga trupi ujin e detit bashkë me djersën dhe pluhurin (me pak fjalë zhulin). Larjen edhe mund ta bëni, por kujdesuni të jeni i pari që futet në dush, pasi në banjë vetëm një peshqir ka, që në datën 1 korrik, kur ju filluat pushimet. Në vend të 5-të është peshqiri i vetëm, dhe megjithëse është i vetmi peshqir që ka banja, kërkon vëmendje të dallohet, pasi përmasat e tij janë sa të një pecete kuzhine, dhe për këtë arsye shpesh e gjen të rrëzuar përdhe. Por kjo nuk do të thotë që ai, i vogli peshqir mungon, ai do të mbahet mend gjatë, do të të shoqërojë përgjatë gjithë pushimeve, së bashku me çarçafët lule-lule.
Vendi i 4-rt
Në vend të katërt ju garantohet një ambient i banjës, i cili do tju rikthejë dëshirën për tu larë në det. Edhe merimangat dhe insektet mund ti shihni kudo. Edhe atyre, me sa duket, nuk u ndahet shpirti nga banjat. Për vendin e 4-rt ka shumë për të folur. Në të tilla raste i lihet gjithnjë në dorë klientit të rikujtojë banjat që ka parë në jetën e tij në hotelet ku ka qëndruar. Janë të tepërta fjalët aty ku eksperiencat janë të shumta.
Vendi i 3-të
Televizori: Një televizor me 12 kanale greke, nëse të ka kapur rruga nga jugu apo me më pak kanale sllave, nëse je në veriperëndim, por ke edhe ca miza që të lënë pak shpresë për një sinjal të shpejtë andej nga kanalet vendase. Nisuni me pushime, por më shumë nisuni me objektiva të qarta, stacione dixhitale nuk do të gjeni. Paçka kostos së përballueshme të tyre nga ana e pronarëve të bizneseve, ato sërish mungojnë. Pronarët kanë menduar tju shkëpusin nga monotonia e stacioneve të bukura.
Deri këtu jemi shumë dakord në arsyetim me pr