Mediat: “Bogu në ditë të shkëlqyer, Kievo perfekte”
Erion Bogdani në ditë të shkëlqyer. Kievo bën ndeshjen më të bukur të viteve të fundit. Kievo fitoi me rezultatin e thellë 3-0 në transfertën me Lacion e Igli Tares dhe protagonisti i parë në “Olimpico” ishte sulmuesi shqiptar Erion Bogdani. Gazeta italiane “L’Arena” shkruante me superlativa për lojën perfekte të Kievos dhe të gjigantit shqiptar. “Lojë, gol, agresivitet, sakrificë, ide, këmbë, zemër, krenari, organizim, shpirt skuadre”, - kështu e përshkruan lojën e Kievos e përditshmja italiane. Bogdani hyri si zëvendësues i Makinuasë (probleme muskulore) dhe në topin e tretë që preku shënoi golin e parë për Kievon dhe të parin e tij sezonal. “Bogdani, një objekt misterioz, një objekt që ka hak për të marrë. Dhe shqiptari përgjigjet menjëherë, ashtu si rrallë e kishte bërë, duke i shtuar një tjetër copë mozaikut të shkëlqyer verdheblu”. Erion Bogdani shënoi golin e parë të tij sezonal në fitoren 3-0 të Kievos me Lacion. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e parë të takimit në minutën e 21-të, vetëm pas dhjetë minutash aktivizim, kur “Er-Bomber” zëvendësoi nigerianin Makinua në minutën e 17-të. Në kampionatin qipriot, Anorthosis Famagusta i Arian Beqajt, fitoi 3-1 me AEK Larnakën. Portieri Beqaj luajti 90 minuta të plota. Klodian Duro nuk ishte në ndeshjen që Omonia e tij humbi 2-0 me APOP Pegias. Altin Haxhi luajti si titullar në fitoren 4-0 të Apoelit me APEP-in.
17 Mars 2009