E Diel, 1 Nëntor 2026

Super-Pipo, goli i parë në Europë kundër Teutës



Filipo Inzagi ka akoma uri. Në moshën 35-vjeçare ka arritur objektivin e tij për të shënuar 300 gola në karrierë. Numri 9 kuqezi i Milanit nuk dëshiron t’i varë kurrsesi “këpucët në gozhdë”, pasi ka vendosur tashmë një objektiv të ri: kuotën 318, të njëjtën sasi golash që ka realizuar edhe Roberto Baxho. “Objektivi i parë është të kthehem në Ligën e Kampionëve”, - thotë mbreti i bomberëve italianë në Europë. “Pastaj Roberto Baxho ka bërë 318 gola, më mungojnë edhe 19 gola për ta kaluar atë. Duhet të vazhdoj të luaj akoma”, - shtoi Inzagi. Duke iu rikthyer 300 golave të shënuar, Inzagi kujton më të bukurit. “Kur mendoj për golat, mendoj vetëm ato në Athinë. I dyti ishte i veçantë: pas i bukur i Kakasë, nuk ishte e vështirë, por godita nga një pozicion shumëkëndor. Këta janë golat më të bukur. Teknikisht kanë qenë të tjerë shumë më të mirë. Të bësh gol në finalen e Ligës së Kampioneve. Nuk fjeta për dhjetë ditë. Kur më thonë se jam shembull për të gjithë fëmijët, me jep shumë kënaqësi. Sporti im më ka dhënë emocione të pakrahasueshme. Kam dëgjuar Bekamin, i cili thotë se unë i kujtoj Linekerin. Qysh fëmijë më pëlqente shumë, kisha në bluzë numrin 10 të tij. Më pëlqente se bëja gol”.
GOLI KUNDËR TEUTËS
Filipo Inzagi me 300 gola të realizuar gjatë karrierës së tij si lojtar profesionist hyri në historinë e futbollit italian, por “Superpipon” e lidh një statistikë historike me futbollin shqiptar. Golin e tij të parë ndërkombëtar e ka shënuar pikërisht ndaj një skuadre shqiptare, Teutës. Atëherë Pipo ishte në radhët e Parmës dhe shorti i Kupës së Kupave e vuri skuadrën italiane përballë Teutës. Parma i fitoi të dy takimet, si në Tiranë (0-2) ashtu dhe në Itali (2-0). Pikërisht në ndeshjen e dytë shënoi Filipo Inzagi, njëherësh edhe goli i tij i parë në Europë. Pipo e kujton shpesh këtë fakt, madje e ka bërë këtë gjatë një interviste të dhënë për faqen zyrtare të UEFA-s. Një sulmues i dobët në fizik dhe vetëm 22 vjeç, Filipo Inzagi do të provonte të shënonte golin e parë në arenën ndërkombëtare për klube. Më 28 shtator 1995, Parma luante në fushën e saj ndeshjen e kthimit ndaj Teutës, për turin e dytë paraeleminator të Kupës së Kupave. Takimi i luajtur në Tiranë, më 14 shtator 1995, kishte dalë 2-0 për italianët, që ishin thuajse të kualifikuar, duke pasur në organikë edhe yje të kalibrit Stoiçkov. Inzagi u fut në fushë si zëvendësues dhe shënoi golin e dytë për dukalët në minutën e fundit. Që nga ai moment, nisi karriera e golashënuesit më të mirë në arenën europiane për klube. "Unë e kujtoj shumë mirë golin e parë, atë kundër Teutës në Kupën e Kupave", - thotë Inzagi për uefa.com. "Ishte një gol i rëndësishëm, pasi ishte i pari në një ndeshje europiane dhe unë realizova në minutën e fundit. Askush nuk do ta harronte golin e parë në europian", - thotë ai.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›