E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat: Thaçi, spiun i Serbisë prej viteve '80-të

BEOGRAD-Mediat serbe kanë akuzuar kryeministrin Thaçi, duke e quajtur spiun të ish- Jugosllavisë. "Rreptësisht konfidenciale: Thaçi ishte spiun serb!", ky është titulli i artikullit të botuar në të përditshmen serbe "Kurir". Sipas kësaj gazete, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është agjent i Shërbimit Sekret të Serbisë dhe kjo u kuptua më së miri, sidomos pas firmosjes së marrëveshjes Prishtinë-Beograd.

"Vëllai më i madh i Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit Shtetëror të Sigurimit të Jugosllavisë (UDB) në vitet '80-të. Veçanërisht roli i tij u vu re në demonstratat studentore në Prishtinë në vitin 1981, të cilat u shuan me dhunë", shkruhet ndër të tjera në artikullin e "Kurir". Sipas një burimi, që "Kurir" e konsideron të "mirëinformuar", lidhjet e familjes së Kryeministrit të Kosovës me agjencinë famëkeqe të UDBsë janë të njohura dhe të skeduara në arkivat e Beogradit, ndonëse duket e vështirë që nëse këto shkresa do të ekzistonin, do të mbaheshin ende të fshehta nga qeveria serbe. Në artikull gjithashtu shefi i ekzekutivit kosovar konsiderohet si tradhtar. Gazeta serbe citon si burim njërin nga ish-shefat e Shërbimit Shtetëror të Serbisë, i cili ka dhënë këto informacione, por nuk ka zbuluar të gjitha detajet, duke sqaruar se fakte të reja do të bëhen publike në vazhdimësi. "Lidhjet e Thaçit me UDB-në në Beograd për opinionin tonë të gjerë dhe atë shqiptar edhe sot janë sekrete, kurse bashkëbiseduesi i 'Kurir'-it, njëri nga ish-shefat e UDB-së së Jugosllavisë, as sot nuk ka dashur ta zbulojë këtë deri në fund. Është e saktë se njëri nga vëllezërit e Thaçit ka qenë lidhja jonë operative në Kosovë gjatë demonstratave të mëdha në fillim të viteve të '80-të të shekullit të kaluar", përfundon artikulli i të përditshmes serbe.

Në fund po ashtu shënohet se së shpejti po në këtë gazetë do të botohet një tjetër artikull, ku do të jepen detaje më të hollësishme, që faktojnë përfshirjen e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe familjarëve të tij në grupin e "spiunëve" të ish- Jugosllavisë. Artikulli i gazetës "Kurir" është shpërndarë në të gjitha agjencitë e lajmeve kosovare dhe në një pjesë prej tyre është komentuar si i lajm i pavërtetë, duke shënuar se mediat serbe gënjejnë dhe nuk kanë fakte për akuzat që hedhin. Deri ditën e djeshme nga ana e kryeministrit Thaçi apo nga kabineti qeveritar i Kosovës nuk ka pasur asnjë reagim ose përgënjeshtrim të lajmit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›