Mediat italiane pasqyrojnë zgjedhjet në Shqipëri

Një test per stabilitetin politik të vendit, por mbi të gjitha për ardhmërinë e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kështu përshkruhet nga mediat italiane zgjedhjet tona lokale, të konsideruara prej tyre shumë më tepër se kaq.
Shpresa e qytetarëve shqiptarë është që këto votime do të arrijnë ta nxjerrin vendin nga paraliza politike që e bllokon prej dy vjetësh e ta rikthejë në binarë drejt bllokut europian. Komuniteti ndërkombëtar i sheh dhe ai këto zgjedhje si provë maturie të Shqipërisë, në ngërç politik që prej zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Shtypi italian përmend 21 janarin dhe vrasjen e katër protestuesve si momentin kur kriza mbërriti pikun.
8 maji cilësohet si një tjetër betejë në kryeqytet mes mazhorancës së kryeministrit Berisha dhe opozitës socialiste me në krye Edi Ramën. Sipas mediave italiane, rezultati i zgjedhjeve nuk pritet të prodhojë shifra drastikisht larg njëra tjetrës, duke qenë se lufta mes dy kampeve është e fortë dhe diferenca e ngushtë.