Mediet e huaja nisin investigimin për kompjuterët piratë, në Shqipëri heshtet
Sasia prej 37 mijë kompjuterësh me etiketa false, të mbërritur nga Kina me një anije me flamur panamez, me destinacion Shqipërinë, vazhdon të mbetet e bllokuar në Itali.
Por, në Shqipëri askush nga autoritetet nuk flet në lidhje me këtë çështje kaq të rëndë. Vetëm disa media kanë denoncuar skandalin dhe flasin për lidhjet e tij me sekserin e qeverisë, Damir Fazlliç.
Por, ndërsa mediet shqiptare janë të rezervuara për të hetuar për këtë gjë, nuk ngurojnë të hetojnë për të mediet e huaja.
Kështu dje, “Inner City Press”, një agjenci informacioni me karakter investigativ, e cila heton në lidhje me skandalet që ndodhin brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është marrë gjerësisht me këtë çështje.
“Inner City Press” është informuar menjëherë nga mediet shqiptare dhe ato italiane në lidhje me ndalimin e ngarkesës që ishte destinuar për Shqipërinë, dhe duke ditur që Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) ka një projekt në Shqipëri për ato që quhen e-schools, shkollat virtuale.
Pasi kanë marrë informacionin nga mediet, kjo agjenci, e njohur si tepër agresive në hetimin e skandaleve të OKB, i është drejtuar zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon, për më tepër sqarime se nëse ky projekt është i implikuar në këtë skandal.
Zëdhënësi i PNUD, Stefan Dujarriç, është përgjigjur në fundin e afatit që ka përcaktuar kjo agjenci, e cila thekson se e-mail-it të tyre iu kthye përgjigje me germa kapitale.
Dujarriç ka sqaruar se PNUD ka një projekt në Shqipëri për e-schools, por nuk është e përfshirë në blerjen e këtyre kompjuterëve apo pajisjeve të tjera elektronike. Ai ka përsëritur se ngarkesa nuk ishte për këtë projekt. Sipas tyre, projekti po zbatohet nga Ministria e Arsimit.
Në përfundim, agjencia “Inner City” ka deklaruar se do e shohim me kujdes këtë problem, duke e paraqitur dhe si paralajmërim për zyrtarët e OKB.
Në Shqipëri, panorama është e frikshme. Edhe pse në këtë aferë është përfshirë qeveria dhe sekseri i saj boshnjak, Damir Fazlliç, askush nuk flet. Ishte vetë kryeministri, Sali Berisha, që trumbetoi me të madhe një takim të tij me shefin e “Microsoft”, Bill Gates, se do luftonte piraterinë dhe do merrte përkrahje për të përhapur erën kompjuterike në Shqipëri.
Marrëveshja me Bill Gates kishte të bënte pikërisht me e-schools. Heshtja vazhdon të jetë një akuzë më shumë për zyrtarët qeveritarë dhe personalisht për kryeministrin Sali Berisha.