E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meditimi, sa i rëndësishëm edhe për fëmijën

Për prindërit, në përgjithësi momenti i vënies së fëmijëve të vegjël në gjumë është një nga më problematikët, që shpesh shndërrohen edhe në shpërthime nervozizmi. Arsyeja qëndron në faktin se është shumë e vështirë që të vësh në gjumë një fëmijë. Pikërisht kur ti kujton se ia ke dalë mbanë dhe mund të shkosh në dhomën e ndenjjes për të vazhduar mbrëmjen, ai çohet dhe vjen tek më të rriturit dhe rituali i vënies në gjumë fillon nga e para. Fëmijët e vegjël, deri në moshën 6-vjeçare, refuzojnë vazhdimisht kur prindërit u thonë që është koha e shtratit dhe gjejnë njëmijë e një pretekste për ta shmangur një gjë të tillë. I gjithë procesi i vënies në gjumë të një fëmije të kësaj moshe mund të zgjasë të paktën tri orë dhe në disa raste edhe më shumë. Gjërat mund të përkeqësohen dhe prindërit kanë të drejtë që të ndihen të frustruar dhe të stresuar. Në këto rrethana, për ta shkurtuar sa më shumë këtë kohë dhe për të vënë sa më mirë në gjumë fëmijët, prindërit provojnë metoda nga më të ndryshmet, që nga ato tradicionale e deri tek ato më modernet. Që nga leximet e librave, vendosja e muzikës e deri tek një metodë e fundit që u duk se pati shumë rezultat. Bëhet fjalë për një CD të veçantë që ka dalë në treg Krishtlindjet e kaluara, e cila kishte disa meditime dhe disa dëshira. Kjo CD premtonte që t'i vinte në gjumë fëmijët shumë më shpejt dhe në mënyrë më të shëndetshme se metodat tradicionale që zgjasnin për orë të tëra. Njëherazi prodhuesi i kësaj CD premtonte për një rritje të sigurisë dhe vetëbesimit të fëmijëve. Sigurisht që shumë prindër fillimisht shprehën dyshimin për një veti të tillë “magjike”, por pati edhe nga ata që të lodhur nga përpjekjet e gjata të natës, vendosën që ta blinin dhe ta provonin fatin. Pyetja që më së shumti bënë prindërit ishte se si mund të ndikojnë meditimet te fëmijët e vegjël e për më tepër si mund t'i vinin ata në gjumë. CD përbëhet nga disa pjesë. Së pari vjen një relaksim i shkurtër, gjatë të cilit dëgjuesit i kërkohet që të shkrifë muskujt në disa pjesë të trupit dhe më pas vjen një pjesë muzikore, gjatë së cilës fëmijët duhet që ta lënë imagjinatën e lirë, që të krijojë të gjitha imazhet që dëshiron pa asnjë tutelë. Shpesh kjo është pjesa kur fëmijët e përfytyrojnë veten në pozicionet e ëndrrave të tyre, duke fluturuar, duke notuar në thellësitë e deteve, pra në pozicione dhe situata të pamundura, por që janë njëherazi pjesë e pandarë e botës fëmijënore. Shumë vajza në këtë moment mendojnë se mund të jenë princesha dhe djemtë përfytyrojnë se janë kalorës që fitojnë çdo betejë. Nëse kjo kasetë do t'u luhet fëmijëve gjatë ditës, ata nuk do ta kenë vëmendjen e plotë dhe atmosferën për të arritur maksimumin që kërkohet prej tyre. Ndaj është mirë dhe ajo është pikërisht për këtë punë, që gjithçka të ndodhë para orës së fjetjes, kur fëmija ndodhet në atë momentin e kotjes dhe të rebelimit njëherazi për t'u shtrirë në krevat dhe për ta mbyllur aty ditën. Ndërsa netët e tjera mund të jenë gjithmonë një betejë e vërtetë dhe e gjatë mes prindërve dhe fëmijëve, kaseta medituese e ndryshon marrëdhënien dhe rendin e gjërave dhe CD nis të bëjë efektin e dëshiruar nga prindërit. Por ka një këshillë, të cilën prindërit duhet që ta ndjekin në mënyrë që gjithçka të jetë më e efektshme. Fëmija nuk duhet që të vihet në një situatë eksituese një orë para gjumit, sepse për inerci për të do të jetë e vështirë që të ndryshojë gjendje dhe kjo do të zgjasë shumë rënien në gjumë. Pasditja dhe veçanërisht ora para gjumit duhet të jetë e qetë dhe pa probleme apo ndryshime të mëdha të humorit. Vetëm me këtë parapërgatitje, gjërat do të rrjedhin qetësisht dhe meditimi do të shndërrohet në një nga momentet më të bukur dhe relaksues për fëmijën para fillimit të gjumit. Fëmijët, veçanërisht ata që janë në moshë të njomë, kanë aftësi shumë të madhe për të ëndërruar, deri aty sa edhe e ngatërrojnë realitetin me fantazinë. Dhe çuditërisht ata janë shumë të aftë që me shtysat e duhura të meditojnë. Sigurisht që me këtë mund të mos kuptojmë meditimin sipas asaj që bëjnë të rriturit, pra qëndrim në një vend të qetë dhe të errët për një kohë të gjatë. Meditimi i një fëmije në moshë të re shoqërohet edhe përmes pyetjeve, fjalëve dhe dëshirës për të komunikuar ndërkohë me personin e rritur që asiston në këtë moment dhe që është i gatshëm që edhe t’i përgjigjet pyetjeve të të miturit. Në situata të tilla, fëmijët thonë shumë gjëra të mençura, aq sa ndonjëherë na habisin me të vërtetë. Në fakt meditimi është një aftësi dhe njëherazi një nevojë e mendjes njerëzore. Mendja kërkon që njëherazi, duke u lënë e qetë, të ketë edhe mundësinë që të jetë e lirë, pa barriera dhe në kërkim të gjërave të rëndësishme dhe të pashtypura. Gjatë ditës ne jetojmë në një botë me shumë kufizime, me shumë rregulla dhe ligje të cilave për të mbijetuar duhet që t'u bindemi dhe t'u shkojmë për shtat. Por në momente të caktuara mendja ka nevojë për lirinë. Në rast se individi nuk e di se çfarë është meditimi dhe mbi të gjitha nuk di se cila është dobia e tij, pra nuk e praktikon qëllimshëm, atëherë mendja punon me hapësirën e lirisë kryesisht në gjumë, ose në momentin që ne e quajmë kotje. Të jesh një fëmijë i vogël në këto kohë është me të vërtetë stres shumë i madh. Një fëmijë i epokës moderne që është i rrethuar nga shumë burime komunikimi, është vazhdimisht i bombarduar nga jashtë dhe ka shumë pak kohë për t'u endur i lirë dhe për të lënë në liri edhe mendimet e tij. Kohë më parë, kur bota nuk njihte mjetet e komunikimit masiv, qeniet njerëzore dhe si pasojë edhe fëmijët, kishin më shumë kohë dhe hapësirë për të qenë me veten dhe si pasojë për të njohur më mirë atë që donin. Sipas një psikiatreje londineze, e cila ka qenë edhe një nga bashkautorët e CD-së, stresi i fëmijëve shpesh është shumë i lidhur me stresin që gjenerohet brenda familjes, i shkaktuar nga mosmarrëveshjet e prindërve, nga mosmarrëveshjet e fëmijës me motrën apo vëllain, pra nga mosmarrëveshjet me njerëzit me të cilët ai jeton. Por sigurisht mund të vijë edhe nga ambienti i jashtëm, kryesisht nga refuzimet që mund t'i bëjë një ambient i tillë fëmijës, apo nga dhuna e ushtruar. Ndaj gjithnjë e më tepër fëmijëve u këshillohet që të kenë një kohë më të madhe për të qenë të qetë dhe me veten, pse jo në shoqërinë e faktorëve stabilizues e qetësues. Së fundi është propozuar që metodat e meditimit të bëhen edhe pjesë e sistemit arsimor, në mënyrë që të mësohen në vija të përgjithshme edhe në shkollë. Sipas studiuesve që janë bërë mbështetës të një lëvizjeje të tillë, kur fëmijët i nënshtrohen periudhave qoftë edhe të shkurtra të meditimit, ata janë më me vetëbesim, më të lumtur dhe kanë një marrëdhënie më të mirë me shokët e tyre dhe me mësuesit. Në disa shkolla eksperimentale në Britaninë e Madhe, ku meditimi është futur në kurikulë, ka pasur njoftime shumë të pakta në lidhje me zënkat, apo sherret mes të rinjve, apo edhe fëmijëve çka është tregues i qartë i dobisë së kësaj veprimtarie shumë të rëndësishme të ekzistencës njerëzore. Sipas studiuesve, ata fëmijë që kanë praktikuar meditimin për një vit rresht, shfaqin përmirësim të madh edhe në lëndët logjike dhe veçanërisht në matematikë dhe në lexim. Një studim i Universitetit të Miçiganit ka zbuluar se tek fëmijët 6-vjeçarë, meditimi i rregullt ka pasur ndikim të dukshëm për shtimin e besimit në vetvete, si dhe për ndryshimin e sjelljes nga ajo agresive në sjellje të njerëzishme. Meditimi mund t’i ndihmojë të rinjtë që ta përjetojnë jetën në një këndvështrim më të qetë dhe më të përqendruar. Në kohët moderne nga fëmijët, prindërit, por edhe shoqëria kërkojnë gjithnjë e më shumë dhe në të gjitha drejtimet. Kjo ka bërë që ata të mbingarkohen dhe të mos arrijnë që të kryejnë mirë në disa raste as detyrat më themelore. Sipas studiuesve, ata tani duhen ndihmuar që ta marrin jetën në mënyrë më pak stresuese dhe më të qetë. Shtimi i stimulimit krijon stres shumë të madh në trupin e të miturit dhe si pasojë krijohen pagjumësitë, apo edhe ankthet. Njerëzit, familjet dhe shoqëria kanë humbur aftësinë e të qenit në paqe dhe e të vrojtuarit të situatave. Ato janë në një rendje të përhershme që nuk të çon në asnjë vend, përveçse në rritje të stresit dhe të të gjitha pasojave që lidhen me të.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›