E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu-Basha: Të mbrohen pyjet nga zjarri

Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha në një konferencë për mjedisin kanë apeluar për më shumë bashkëpunim për të mos lejuar rënien e zjarrit në pyje e kullota.
Në fjalën e tij, ministri i Mjedisit Fatmir Mediu deklaroi se mbrojtja e mjedisit ka rëndësi të veçantë. Sipas tij i duhet kushtuar vëmendje e veçantë pasurive pyjore. "Pyjet dhe kullotat i takojnë qytetarëve, ndaj duhet t'i ndërgjegjësojmë ata që të mos i vënë zjarrin", tha Mediu. Ai shtoi se nëse merren masat në kohë dhe nëse ka bashkëpunim për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret, atëherë dëmi do të jetë shumë i ulët. Ministri theksoi se gjatë 2009-ës janë ulur dëmet nga zjarri.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha deklaroi se është forcuar bashkëpunimi dhe janë shtuar marrëveshjet për të ulur rënien e zjarrit në pyje e kullota duke qenë se përpara është vera e nxehtë. Ministri kërkoi edhe më shumë bashkëpunim të strukturave vendore. "Duhet të koordinohen shërbimet", theksoi ai.

Deklaratat e ministriave u bënë në Konferencën Kombëtare për Mjedisin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›