E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: E pamoralshme të flas tani, shkaktarët do të zbulohen pas hetimit nga prokuroria

Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kërkuar që të nisin hetimet dhe më pas të etiketohen fajtorët e vërtetë të katastrofës së Gërdecit. "Është e pamoralshme që të përcaktohen se cilët janë shkaktarët e shpërthimit, nëse nuk nisin hetimet dhe nuk bëhet më parë analiza e situatës", u shpreh ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Hetimet kanë nisur që ditën e djeshme nga prokuroria dhe analiza e plotë e situatës do të bëhet edhe nga Presidenti i Republikës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Në prononcimin e tij, ministri Mediu u shpreh se "unë nuk fajësoj njeri për tragjedinë. Aktualisht po merrem me punë për të normalizuar situatën". Mediu theksoi se koha për të vërtetuar përgjegjësitë e gjithsecilit do të jetë në vazhdim. Duke iu përgjigjur pyetjes se a nuk i takon Ministrisë së Mbrojtjes që të bëj kontrolle të herëpashershme kur fjala është për diçka kaq delikate, Mediu u shpreh se "të gjitha materialet janë në dispozicion të opinionit publik". Sipas tij, "është parashikuar edhe kontrolli i elementëve të sigurisë, kontrolli që duhet të bëhej nga Forcat e Armatosura, por nuk mund të them sesi ka ndodhur ngjarja, në këtë situatë dhe të nxjerr përfundime që ndoshta nuk do të ishin të drejta. Prandaj duhet analizuar njëherë situata se pse ka ndodhur ngjarja dhe duke i lënë vend organeve kompetente për të hetuar". Gjithsesi, shumë burime kanë pohuar se në bazë, punonjësit nuk kanë marrë ndonjë trajnim. "Ju jeni pak larg për të marrë opinionet apo për të nxjerrë përfundime apo investigime. Prandaj do t‘u lutesha të bënit pak durim. Unë si ministër i Mbrojtjes kam një detyrë, t‘i shkoj deri në fund misionit tim", tha Mediu. Duke i bërë një përshkrim zonës së fatkeqësisë, ai u shpreh se "është një zonë shumë e kontaminuar nga municioni dhe forcat speciale po kryejnë disa veprime njëkohësisht, e para është kërkim-shpëtimi, ndoshta edhe jashtë rregullave, duke rrezikuar edhe jetën për banorët e kësaj zone. E dyta, unë e di që asnjë dhimbje nuk mund të mbyllet pavarësisht se çfarë bëjmë ne. Po përpiqemi të pastrojmë të gjithë municionin që është në këtë zonë. Deri tani kemi arritur të pastrojmë deri në një vlerë 500 ha". Gjithsesi, përgjegjësia e Ministrisë së Mbrojtjes, në vendimin nr.135, datë 14 mars 2007, është marrë në mbrojtje nga shefi i qeverisë, duke u shprehur se "Ministria e Mbrojtjes ka përgjegjësi vetëm për transportimin e armatimeve dhe jo për zbërthimin e tyre". Gjithsej në operacion vazhdojnë të jenë të angazhuara rreth 1000 trupa dhe 149 mjete, si dhe tre helikopter. Në zonën më problematike që ka ndodhur shpërthimi, veprojnë trupat e batalionit të operacioneve speciale dhe EOD (Specialistë të asgjësimit të municioneve). Detyra e tyre për ditën e djeshme ishte kufizimi i zonës së ndotur dhe kërkimi i viktimave të mundshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›