Copera perjetimesh perballe nje tragjedie
Pamjet e transmetuara nga televizionet shqiptare gjatë gjithë ditës së shtunë kanë qenë më shumë se sa tronditëse. Kanë qenë aq tronditëse, sa shumëkush mund të ketë pasur në momentet e dhembjes e të shushatjes së madhe edhe asosacione hollywood-iane mbi fundin e botës. Dhe këto asosacione na i sillnin imazhet e njerëzve që vërtiteshin mes panikut e alarmit të përgjithshëm, imazhet e të tjerëve që gjenin përpara fytyrës një mikrofon e që nuk dinin ç‘të thoshin, imazhet e të tjerëve akoma me fytyrat e tyre të mbuluara nga gjaku, imazhet e grave të reja këmbëzbathura me fëmijët e tyre për dore, grave të moshuara që donin të bërtisnin hallin e tyre, gazetarëve që komunikonin "live" me studiot e Tiranës e që, të pamësuar me ngjarje të tilla, mezi gjenin fjalët e mezi gjenin pyetjet për të intervistuarit e rastit, agjentëve të policisë të veshur me uniformë apo in borghese, që nuk dinin ç‘të bënin më parë për t‘u ardhur në ndihmë qindra nevojtarëve, imazhet e shpërthimit gjigand që mori formën e njohur - kjo ishte gjetja në të nxehtë e Sokol Ballës - të kërpudhës pas testit të një bombe nukleare, imazhet e flakëve, tymit e shpërthimeve që nuk dinin të ndalnin për orë të tëra, imazhet e ambulancave të panumërta që mbërrinin në vendngjarje, e sa hap e mbyll sytë, ktheheshin në dyert e spitalit, helikopterëve që vinin vërdallë në ajër si zogj të tromaksur, mjekëve e infermierëve që bënin gjithçka me një sens të shkëlqyer detyre, politikanëve, shtetarëve e qeveritarëve me pamje prej të përhumburi, për shkak të situatës jashtë kontrollit të tyre, etj., etj. Të bëhej herë pas here pra, se kishim të bënim me një zhgjëndërr të frikshme, por do të duhej veç një fraksion sekonde për t‘u ftilluar e për të marrë vesh, se e gjitha nuk ishte një zhgjëndërr. Përkundrazi, ishte një tragjedi reale e përmasave të papërfytyrueshme; ishte një tragjedi që, falë televizioneve, po konsumohej në kohë reale nën vështrimin e një kombi të tërë. Ishte një "Big Brother" gjigand në variantin e vet tragjik.
***
Ne shqiptarët nuk është se dimë të reagojmë me dinjitet përballë tragjedish të mëdha individuale apo kolektive. Dimë të shfaqim e manifestojmë solidaritet, por këtë solidaritet e shoqërojmë shpeshherë me poza, me bujë e me konfuzion. Ndërsa pardje, sytë të zinin edhe një pamje tjetër; sytë të zinin burra e gra, hallexhinj e asistentë, njerëz të lënduar e njerëz që një qime i kish ndarë nga rreziku, të cilët, në vend të zërit e toneve të ngritura, kishin zgjedhur të jetonin qetësisht me atë që i kish gjetur e të lëshonin apele të bukur solidariteti.
Në studion e "Top Channel"-it, e ftuar e Sokol Ballës, ishte dhe një grua me mbiemër - nëse e mbaj mend saktë - Proseku. Ishte bashkëshortja e atij, që kish gjetur nervat e qetësinë për të filmuar shpërthimin e frikshëm nga disa hapa larg. Ky është një lloj i ri shqiptari, i cili, krahas merakut e shqetësimit për familjen e fëmijët e duke i ikur panikut të natyrshëm në të tilla rrethana, arrin të jetojë edhe me merakun civil e qytetar për të dokumentuar një ngjarje. Nuk e filmoi këtë ngjarje për t‘ua shitur televizioneve me çmim të kripur, por për të ushtruar në mënyrën më qytetare të mundshme një funksion, që hera deshi t‘ia jepte atij për ta ushtruar. Në vend të atij, dikush tjetër do të fokusohej ekskluzivisht te halli i tij dhe i të vetëve. Ndërsa ai e bëri filmin dhe e dërgoi urgjentisht në televizionin "Top Channel".
Por le të kthehemi te bashkëshortja e tij, e cila, nuk u mjaftua thjesht e vetëm me dorëzimin e kasetës, por vijoi të dëshmonte aty në studio gjëra, të cilat kamera nuk i kish kapur. Ishte një grua e fisme, një zonjë e vërtetë, gjë që mund të lexohej jo vetëm te mënyra se si artikulohej përballë kamerave, por edhe te mesazhet e shtruara e të qeta, të cilat dalloheshin edhe për qibër, edhe për përunjësi. I lumtë familjes Proseku!
***
Shqipëria është një vend i mjerë. Më i mjerë nuk mund të bëhet. Është dhe një vend totalisht jashtë kontrollit. Mjaft të shkëputeshe për një çast nga morsat e dhembjes për viktimat, për të plagosurit e për të afërmit e tyre, dhe do të shkonte mendja te fakti, që pikërisht mbi themelet e në rrethinat e asaj fabrike, ishin ngritur shtëpi e vila të panumërta. Njëra më e shpifur se sa tjetra. Kur kamerat e televizioneve e hidhnin vështrimin e tyre në horizont, pamja që na ofrohej ishte një katrahurë e vërtetë, ku secili kish ndërtuar aty ku kish dashur, ku shtëpitë ishin larg njëra-tjetrës e të palidhura me njëra-tjetrën, ku rrugët ishin ca palo rrugë të improvizuara, ku natyra të dukej e kafshuar dhe e sakatuar si mos më keq; dhe pikërisht aty, në mes të kësaj katrahure, një dorë non-chalant-e qeveritare kish nënshkruar vendimin për të ngritur një fabrikë të vdekjes.
***
Do të flitet gjatë për këtë tragjedi, për pasojat e për përgjegjësit e saj. Por mund të flitet edhe qysh tani. Nuk përjashtohet mundësia, që gjëra të tilla në Shqipëri të ndodhin edhe për një fatalitet, por fatalitetit këtejpari i bëhet krah edhe shkujdesja e banditizmi politik e qeveritar. Kryeministrin tonë e pamë pardje, ashtu siç e pamë edhe ditë më parë me rastin e tragjedisë së Farkës, të tulatur e të dëshpëruar prej dhembjes, por është mirë ta themi e është mirë ta dijë dhe ai, që gjëra të tilla në Shqipëri ndodhin edhe për faktin, që Kryeministri ynë nuk e ka fare mendjen te qeverisja e vendit. Ai e ka mendjen në radhë të parë te protagonizmi televiziv. Edhe pardje e pamë atë, veç atë e asnjë tjetër, të dalë e të thotë se qendra e emergjencës është ngritur në zyrën e tij e ka për kryetar atë, të dalë e të na informojë për numrin e viktimave e për numrin e të plagosurve, të dalë e të na informojë për masat e Ministrisë së Shëndetësisë, të dalë e të shfajësojë ministrin e Mbrojtjes, fytyrën e të cilit nuk mundëm ta shihnim, të dalë e të na shkojë nëpër spitale me kamerat pas bythe, e kështu me radhë. Kjo qeveri pra nuk ka asnjë njeri tjetër. Qeveria është ai e vetëm ai. Është ai, që edhe dy orë përpara se të ndodhte tragjedia, në vend të nxihej e sterrohej për vendimin e UEFA-s mbi pezullimin e Shqipërisë prej veprimtarive futbollistike ndërkombëtare, guxon e i bën karshillëk UEFA-s e futbolldashësve shqiptarë, duke vijuar të flasë pa fund për Klanin e Zemunit. Është ai, që gjashtë muaj me radhë është marrë me Prokurorin e Përgjithshëm, gjashtë muaj të tjera është marrë me "Top Channel"-in, nja tre muaj nuk ka lënë gur pa lëvizur me synimin për të zgjedhur në postin e Presidentit një prej delfinëve të vet, pothuaj ditë për ditë duke u grindur me opozitën në Parlament ("do ta bëj fytyrën si këpucë" - kështu i tha një deputeti të opozitës në një seancë parlamentare të para disa javëve), për muaj të tërë do të merret me ligjin zgjedhor në bashkëpunim me PS-në (ndoshta për ta mashtruar Ramën në momentin e fundit, siç ka bërë me gjithë të tjerët më parë). Është ai që, po të ishte në opozitë, në rrethanat e ndodhisë së Farkës, apo të Gërdecit, nuk do t‘i rrihte shpatullat Kryeministrit kundërshtar (siç bëri me shumë të drejtë Edi Rama), por do të fillonte aty për aty sulmet e shfrenuara kundër qeverisë, në mënyrë që të nxirrte pakëz kapital politik prej gjakut të derdhur. Kush e konsideron këtë një hamendje të kotë, le të risjellë në vëmendje ca ngjarje të së shkuarës.
***
Edi Rama bëri shumë mirë në momentin e parë që i rrahu shpatullat gjithë dashamirësi Kryeministrit të dëshpëruar. Por pasi të kalojë kjo situatë e emergjencës, ai duhet të bëjë çmos ta orientojë debatin politik të ditës te përgjegjësit e kësaj situate. Dhe përgjegjësi i vetëm është Kryeministri Sali Berisha, i cili - siç e thashë edhe pak më sipër - ka ardhur në pushtet, jo për të qeverisur vendin bashkë me të vetët, por për të sunduar me rrjetin nepotik edhe të vetët, edhe gjithë të tjerët. Në këto rrethana, tragjedi të tilla nuk kanë pse të na befasojnë. Duhet t‘i lutemi Zotit të mos kemi të tjera. Kështu Zoti do të na kursejë, përveç jetëve njerëzore, edhe pamjen e pikëlluar e të ligështuar të Kryeministrit në ekranet e televizorëve, e cila në të vërtetë është maska e tij. Që është kështu do të kemi rast të bindemi shpejt, me të marrë fund jehona e kësaj tragjedie, kur ai do të fillojë sërish të jetë ai që është.