E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të shtetit...

Muaj më parë, një grup ushtarësh të Repartit të Bonavisë u shfaqën në faqet e gazetave teksa stërviteshin me atlete dhe shapka. Një shfaqje sa qesharake, aq edhe e dhimbshme për situatën ku ndodhet Ushtria Shqiptare. Menjëherë pas publikimit të pamjeve e fotove, funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes vërshuan të kritikonin median dhe të mohonin realitetin. Ëndrra për një Shqipëri në NATO nuk mund të toleronte pamje të tilla, e në këtë linjë media u ndje thuajse fajtore përballë një shteti që veçse justifikonte veten. Por sërish patëm rastin të vëmë duart në kokë përballë një tragjedie që na la pa fjalë. Një dëshmi e kobshme e mungesës së shtetit. Sot më shumë se kurrë, për qytetarët e tij, ky shtet mund të cilësohet "në kërkim". Proces i dyfishtë për shkak se së pari ai mungon, së dyti, këtë herë, më shumë se më parë, përgjegjësia e ngjarjes mban emrin e tij. Shpërthimi mizor i depos së municioneve në Gërdec është aktakuza më e rëndë që u bëhet strukturave të larta qeveritare. Përballë situatës së krijuar natyrshëm lindin shumë pikëpyetje, të cilave u duhet dhënë përgjigje. Çështja e parë që nuk mund të lërë pa njollosur drejtuesit e ushtrisë ka të bëjë me përcaktimin e Gërdecit zonë të çmontimit të municioneve. Mbi bazën e cilave kritere, dhe kush vendosi që kjo zonë e banuar të shndërrohet në varrezë municionesh? Ekspertët e fushës e cilësojnë si gafë amatoreske, veprimtarinë e kompanisë në distancë kaq të vogël me komunitetin. Nëse pranojmë atë çka tha dje Kryeministri Berisha se vendi u caktua prej kompanisë që mori përsipër procesin, si ka mundësi që shteti të ndjehet i pafuqishëm për të vënë dorë mbi dëshirat e një kompanie? Aq më tepër kur veprimtaria e saj kryhet në territor shqiptar, me municione po në ngarkim të shtetit shqiptar. Çështja e dytë ka të bëjë me kompaninë që është kontraktuar për të kryer një aktivitet të tillë në zonë. Në rastin ideal, ajo duhet me patjetër të jetë licencuar për kryerjen e kësaj pune. Ndaj duhet dhënë përgjigja se kush e kreu licencimin e saj dhe a plotësonte ajo të gjitha kushtet për të marrë një dokument të tillë. Po sipas ekspertëve dhënien e së drejtës për ushtrim aktiviteti e bën Ministria e Mbrojtjes pas analizimit të përvojës në këtë punë, kushteve teknike, numrit të punëtorëve të trajnuar etj. Ngjarja dhe dëshmitë rrëqethëse të protagonistëve dëshmojnë se shumica, për të mos thënë asnjë prej këtyre kritereve, nuk është zbatuar në terren. Ekspertët sqarojnë se nëse do të zbatoheshin të gjitha procedurat normale dhe rregullat teknike, gabimi njerëzor mund të lokalizohej. Në një rast të tillë, vatrat e punës duhet të ishin të vendosura në një distancë të tillë që gabimi njerëzor në njërën prej tyre të mos shkaktonte tejçimin te vatrat e tjera. Në këtë formë, shpërthimi i depos së madhe, ndoshta do të mund të ishte shmangur. Pra, cilat ishin masat teknike që zbatonte firma, që kishte për detyrë ligjore të ndiqte pikërisht këto parametra teorikë. Shpërthimi dhe përçimi i tij deri në depon e madhe tregon se procedurat teknike janë neglizhuar në një formë vrastare. Shteti si i tërë, do duhet të funksiononte në të gjitha hallkat e tij. Përgjegjësia e radhës bie mbi Ministrinë e Punës, gjumi letargjik në të cilën ajo ndodhet nuk e la të depërtonte në thellësinë e fabrikës së Gërdecit. Të miturit e punësuar në shkelje të plotë të ligjit dhe kushtet e tyre të punës vënë para përgjegjësisë direkte drejtuesit e këtij dikasteri. Përtej fakteve dhe analizave, gjëja më e pakuptueshme është tendenca e strukturave të shtetit për t‘u shfajësuar. Është vënë re në çdo prononcim zyrtar gjatë këtyre dy ditëve. Ndryshe nga shapkat dhe atletet e Bonavisë, këtë herë ky shfajësim i shtetit bie në kurriz të shumë jetëve të humbura dhe lotëve të derdhur. Dorëheqja e atyre që mbajnë përgjegjësinë publike dhe politike do të ishte ngushëllimi më i vogël për familjarët e viktimave. Ndëshkimi i vërtetë do të ishte diçka më ndryshe. Ndoshta është momenti të kërcasin prangat...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›