Mediu: PR do te jete pjese e fitores
Republikanet i kane dhene doren e fundit fushates elektorale, duke zhvilluar dje permbylljen e saj, teksa kane bere thirrje per te dhene voten per ecurine e projekteve te nisura ne keto kater vite qeverisjeje dhe ato qe do behen ne mandatin e ri. Kryetari i Partise Republikane, Fatmir Mediu deklaroi se dhe tre dite e ndajne Shqiperine nga Bashkimi Evropian. Kete deklarate kreu i PR-se e beri gjate mbylljes zyrtare te fushates zgjedhore ne pallatin e sportit "Asllan Rusi". "Edhe tre dite dhe Shqiperia hap nje dere tjeter te madhe dhe vendos veten aty ku na ka vendosur historia, e vendos veten aty ku eshte deshira dhe qellimi i te gjithe shqiptareve, ne Bashkimin Evropian", deklaroi kreu i republikaneve, perpara mijera simpatizanteve te PR-se. Sipas tij, republikanet gjithashtu jane pjese e fitores, sepse besojne tek e mira morale, mirekuptimi, besojne ne te ardhmen, besojne se Shqiperia do te ece perpara dhe te behet evropiane. Per kater vite me radhe, sipas Mediut, republikanet punuan se bashku me Partine Demokratike, per nje Shqiperi te konsoliduar dhe demokratike. "Do te vazhdojme te punojme e besojme te gjithe se bashku republikane e demokrate, per te realizuar qellimet dhe premtimet tona te perbashketa, do te vazhdojme te, per nje Shqiperi, e cila ndryshon dita-dites, per te permbushur nje tjeter qellim akoma edhe me te rendesishem, nje tjeter obligim qe i kemi vene vetes, Shqiperine evropiane", deklaroi Mediu ne fjalen e tij. Per te, mandati i kater viteve te ardhshme do te jete mandati i mbajtjes se premtimeve te medha, per levizjen e lire te qytetareve ne vendet e BE-se. "Shqiptaret nuk do te rendin me dyerve te ambasadave, nuk do te kapercejne me dete, nuk do te enden maleve, por te levizin si qytetare te lire te nje Evrope te lire", u shpreh ai. Mediu garantoi se PR do te jete zeri i cdo shqiptari ne politike, pasi me seriozitetin dhe perkushtimin qe ofron kjo force politike, cdo shqiptar mund te arrije shume. Kryetari i Asamblese Kombetare te PR-se, Sabri Godo u shpreh se premtimet e dhena, gjate kesaj fushate elektorale, do te gjejne zbatim te plote ne mandatin e dyte qeverises. "Partia Republikane, do te vazhdoje me kembenguljen e saj te perhershme, ashtu sikurse ka bere deri me sot, per te mbeshtetur dhe perkrahur te gjitha interesat e shqiptareve, per nje te ardhme me te mire drejt rruges se integrimit evropian", deklaroi Sabri Godo ne fjalen e tij. Sipas tij, republikanet do te mbeshtesin integrimin e metejshem te vendit duke e pare anetaresimin ne Bashkimin Evropian si prioritet kryesor. F.Mejdini