Mediu: Votoni PR me numër 45 për më shumë zhvillim e mirëqenie
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u takua me banorë të Fierit, ku dhe ka prezantuar kandidatin republikan për deputet, Iljas Haxhiraj. Ai foli për sukseset e PR dhe koalicionit të djathtë në tetë vitet e qeverisjes. Mediu u përqendrua në vlerat e kandidatëve të PR në këtë qark, duke theksuar se rezultatet pozitive të 23 qershorit do të jenë të bazuara në këto personalitete por edhe tek rezultatet e punës së madhe të bërë nga PR dhe koalicioni i djathtë gjatë këtyre viteve qeverisje. Ne 22 vite politike kam pasur shumë miq, por nëqoftëse ka patur njeri që ka thënë mendimin e tij pa oportunizëm, zërin e tij qytetar, zërin e vërtetë të popullit fierak është kandidati për deputet i PR për Qarkun e Fierit Z. Iljas Haxhiraj, pasqyre e gjykimit të së drejtës, njeriu me shpirtin e dhembshurisë, që punon dhe që respekton vuajtjet e gjithsecilit që nuk sheh bindjet politike por i konsideron të gjithë si të barabartë, për këtë ka nevojë politika për këtë njeri ka nevojë Fieri. Ne jemi pjesë e koalicionit të djathtë aleanca për punësim, mirëqenie, integrim. Qëllimi ynë është të garantojmë interesat madhore të kombit shqiptar, anëtarësimin në vendet e Bashkimit Europian, prandaj dua të theksoj se vota është e drejta juaj për të gjykuar për të ardhmen, respektin e dashurinë për vendin tonë, të gjykojmë brenda vetes sonë, dashurinë për familjen pasi ndjenja nuk na lë të gabojmë. Shikoni kush ka qenë në krahun tuaj më shumë se ngjyrat e partive, kush ka ndihmuar ne zgjidhjen e halleve dhe problemeve tuaja dhe miku e bashkudhëtari juaj Z.Haxhiraj është gjithmonë pranë jush është zëri juaj, tha Mediu.
Programi i PR
Besimi në Zot dhe respekti për pronën e familjen, janë pikat kyçe të programit të PR, tek të cilat është mbështetur e gjithë kjo fushatë elektorale. Kreu republikan foli edhe për problematikën me të cilën është përballur çështja e pronës, ndërkohë që foli edhe për fushatën e kreut të opozitës. Mediu foli edhe për mangësitë që ekzistojnë kryesisht në sistemin arsimor, duke folur edhe për projekte konkrete për kapërcimin e këtyre problemeve. Besimi në Zot na bën njerëz më të mirë, na udhëheq të krijojmë familje të mirë e të bekuar, lirinë e jetën na e ka falur Zoti e prindërit tanë dhe asnjë politikan. Në duhet të punojmë për të ndërtuar mirëqenien tonë, ne duhet të respektojmë çështjen e pronës, si kusht nga BE-ja, që të kemi zhvillim ekonomik, një ekonomi të shëndoshë. Ndaj prona private duhet trajtuar si një e drejtë e shenjtë. Politikat e shtetit kanë një limit, ato duhet të ndalen atje ku fillojnë të drejtat tona. Vendet me të fuqishme në botë si SHBA dhe BE janë zhvilluar pikërisht duke u bazuar në besimin në Zot. Historia e vendeve që kanë ndërtuar një demokraci solide ka filluar nga interesat e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit- tha Mediu. Duke folur për anëtarësimin në BE, ai u shpreh se ne duhet të shtrojmë rrugën tonë për të ecur si një komb i bashkuar drejt një Europe të bashkuar. Përballë të djathtës, theksoi Mediu, janë të majtët, fushata e të cilëve sipas tij është tërësisht negative dhe mohuese. Z.Rama flet për analfabet e arsim jo funksional, por gjatë këtyre viteve jam krenar për ngritjen e universiteteve me standarde europiane, rritjen e nivelit arsimor, dhe një shembull është Kampusi universitar i qytetit të Fierit. A ka probleme në mësimdhënie në procesin arsimor? – Po ka, dhe ne do të punojmë për ti kapërcyer këto probleme. Ne do i japim shans të rinjve e të rejave për tu arsimuar. Ndryshe do të jetë kufizimi i se drejtës për tu arsimuar në një shoqëri të lirë- tha Mediu.
Taksa progresive e Ramës, ndëshkim për biznesin
Duke folur për taksën progresive, Mediu tha se një taksë e tillë do të thotë rritje e taksave, çka do të sillte mbylljen e bizneseve në vend. Ne si një vend ballkanik në tranzicion, nëse sdo dimë të sillemi me investimet e huaja, me investitorët e bizneset brenda vendit, atëherë ata do të ikin në vende të tjera, atje ku kanë mundësira dhe ku shteti është mbështetës, por Rama jo vetëm që sështë mbështetës por do të vazhdojë të varfëroj biznesin për të mbështetur biznesmenët që ai ka futur në listat për kandidat. Për të gjithë këto argumenta unë ju bëj thirrje që në 23 qershor, të votoni partinë republikane me numrin 45, për më shumë zhvillim e mirëqenie, tha Mediu.