Meta në njësinë Nr. 8 mbështet kandidatin për deputet, Dritan Ylli
Ilir Meta: Ne do ti japim fund ankthit të legalizimeve
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë të LSI-së në Njësinë Bashkiake nr. 8 në Tiranë, Dritan Ylli dhe Matilda Tyli, ka zhvilluar një takim me banorët në këtë njësi. Në fjalën e tij, Meta ka falënderuar ekipin e LSI-së që punon në njësinë 8 për frymën e bashkëpunimit që rrezaton në të gjithë komunitetin për lidhjet e forta dhe në rritje që ka me të gjithë banorët dhe shtresat e kësaj njësie. Ndaj besoj se mbështetja për Dritan Yllin si kandidat për deputet i LSI apo për Matildën është domethënëse dhe do të reflektohet në përfaqësimin e të gjithëve ju në qeverisjen e ardhshme. Pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 23 qershorit, që janë tepër të rëndësishme, tha Meta. Kryetari i LSI-së, deklaroi se sot Shqipëria ka nevojë për tu vënë në punë, shqiptarët kanë nevojë për punësim, kanë nevojë për një qeveri e cila nuk mund të jetë e vetëkënaqur dhe nuk mundet të tregojë histori që nuk kanë lidhje me realitetin që qytetarët përjetojnë çdo ditë. Meta tha se e veçanta e programit të LSI-së është se të gjitha politikat që nga ajo arsimore, që nga politikat e taksave, për të cilat aq shumë debatohet, pra çdo gjë vihet në funksion të rritjes së punësimit. Ai i siguroi të gjithë banorët e Njësisë nr. 8 në Tiranë se ne do ti japim fund edhe ankthit të legalizimeve. Është për të ardhur keq që Partia Demokratike që në vitin 2005 përpara zgjedhjeve premtoi legalizimet dhe pothuajse nuk ka bërë asgjë përveçse e ka vështirësuar e burokratizuar këtë proces, ua ka sjellë shpirtin njerëzve në majë të hundës dhe i ka lënë ata realisht ende peng të tekave dhe kapriçove të drejtuesve të caktuar të ALUIZNI-t, por në fund të fundit ky është rezultat i mungesës së vullnetit politik për të zgjidhur këtë çështje një herë e mirë. Ndaj unë dua tiu siguroj për vendosmërinë e LSI-së për të zgjidhur menjëherë brenda pak muajve në qeverisjen e ardhshme çështjen e legalizimeve dhe për tu dhënë të gjithë tapitë dhe certifikatat e pronësisë në duar, tha Meta.
Dritan Ylli: Do të marrim titujt e pronësisë falë LSI-së
Kandidati për deputet i LSI-së në Njësinë r. 8 në Tiranë, Dritan Ylli, deklaroi se kandidimi ynë është një obligim për ne që nesër te kemi më afër jush që për çdo problem që të keni ta diskutojmë së bashku, që nga punësim për çdo familje dhe deri te marrja e titullit të pronësisë që ne e kemi kaq shumë problem në këtë zonë. Për këtë jam shumë i bindur sepse kemi një garanci të madhe, që është LSI dhe lideri i saj, z. Ilir Meta. Vendi sot ka nevojë për një forcë që të jetë më pranë njerëzve, një forcë që të bëjë politikë sa më të mirë për vendin dhe që ta çojë vendin drejt Evropës, jo ta lërë në udhëkryq. jam i bindur se edhe ju, ashtu si unë, mendoni se nuk ka garancia dhe siguri më të madhe për ne se sa LSI-ja dhe Ilir Meta.