Mediu dhe gazeta “TemA” bien dakord për origjinën e fishekëve
Gazeta “TemA” më në fund duket se ka bërë aleancë me Fatmir Mediun. Dje, në të njëjtën ditë, dhe drejtori i gazetës, dhe Fatmir Mediu kishin të njëjtin mendim se pala shqiptare nuk ka patur arsye të ishte e trembur nga ky skandal, pasi ligji shqiptar nuk të ndalon të shesësh fishekë kinezë apo sovjetikë. Me këtë arsyetim, që të dy mendonin se nuk ka pasur vend për panik prej Mediut dhe Berishës në muajin nëntor të vitit të kaluar. Mediu shtonte se nuk ka qenë as në panik dhe as i emocionuar. Kurse gazeta jonë përpiqej të gjente pse ka qenë në panik, kur nuk kishte arsye. Meqë të dy palët ndaheshin në këtë pikë, Antena jonë nisi dje gjurmimet se ç’i ka ngjarë në atë kohë Mediut që ishte i frikësuar.
Sipas sinjaleve të Antenës, Mediu kishte muaj të tërë, së paku nga muaji korrik, që kur kontrata kishte avancuar, që ishte mirë nga gjendja financiare. Një fatkeqësi familjare lidhur me shëndetin e fëmijës ishte vënë po ashtu në rrugë të mbarë dhe ishte po ashtu një arsyetim i mirë që përfituesit e kontratës të kishin arsye të shprehnin solidaritet ndaj tij. Interesante është se gjatë muajve të verës Mediu ka patur një periudhë të fortë shoqërimi me djalin e Sali Berishës. Janë parë bashkë në kafe, te “Sheraton”, në të njëjtën makinë, në të njëjtin restorant dhe e gjithë kjo ishte e pashpjegueshme për publikun. Pastaj ka ndodhur pezullimi i kontraktorit që kishte marrë premtimin të ripaketonte fishekët. Ai ka shqetësuar djalin e kryeministrit, i cili e ka zmbrapsur që në fillim duke i thënë se nuk ka lidhje me këtë histori. Kjo ka rritur vëmendjen e tij ndaj Delijorgjit, njeriut që tashmë po menaxhonte dy kontrata dhe ripaketimin e fishekëve, dhe demontimin e tyre. Megjithëse Mediu thotë se “nuk e kam takuar Delijorgjin”, ka së paku disa foto dhe dëshmitarë që e lidhin atë me Delijorgjin më shumë se kurrë në këtë kohë. Kur në shtator kontrata u ndërpre dhe amerikanët filluan hetimet, Mediu ishte i sigurt se nuk kishin ku ta kapnin për kontratën, nëse fshiheshin gjurmët e ripaketimit. Dhe i futi një mendje të lehtë deri nga nëntori, kur “New York Times” filloi hetimet. Problemi ishte se redaktori i “New York Times”, që merrej me hetimin, kishte gërmuar aq shumë në biografinë e Mediut, sa dinte çdo detaj nga jeta e tij përfshi dhe problemet që ka patur në Itali. Kjo e bëri nervoz Mediun dhe, kur reporteri arriti në zyrë, pas pyetjes së dytë Mediu e humbi qetësinë, dhe sapo doli jashtë i rrëmbeu kasetën kameramanit. Pastaj zhvillimet u bënë dramatike dhe ai nuk e menaxhoi dot situatën. Berisha i kërkoi ta pastronte urgjent këtë histori, ndryshe do ta zhdukte nga qeveria. Këtu është dhe momenti kur Mediu humbi qetësinë dhe që ai nuk e pranon që e ka humbur.
Për të qenë të sigurt në informacionin tonë, Antena kontaktoi dje me Flamurin për ta pyetur si e mbante mend ai këtë situatë në atë kohë. Pasi u mendua pak, Flamuri u kujtua.
- Po, e mbaj mend, - tha. - Ke të drejtë. Atëherë ai e kishte humbur fare. Po s’ka faj ai. I thashë atij burrit: Mo ta shoh më këtë Fatmirin me Delijorgjin, se lanë nam gjithë ditën. Po s’më dëgjonte. Thoshte: “Është punë amerikanësh, mos u përzje ti. Shiko vetëm koalicionin.” Pash koalicionin unë, gjithë drejtorët që merreshin me fishekë ishin republikanë. Ia thashë atij burrit: Mo t’i shoh më në ministri ata, po më tha: “S’është e vërtetë, janë llafe, nuk i emëron ata banditë ai drejtorë”. Tani që plasi sheshit, s’kam ç’i bëj. I kam dal borxhi atij burrit. Po s’më dëgjoi njëherë në kohë s’më dëgjoi.