E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo shpërdoron, Modrica e ndëshkon

Nisje me këmbën e gabuar për Dinamon në aventurën evropiane. 

Andrea Kushi

 Kampionët e Shqipërisë bënë një paraqitje të shëmtuar në ballafaqimin e parë kundër homologëve boshnjakë të Modricës, në turin e parë të Ligës së Kampioneve, duke humbur në shtëpi me rezultatin 2-0, me dy gola të realizuar në pjesën e dytë nga Miljkoviç (65') e Stokiç (80'). Si përfundim ka qenë e pashmangshme humbja e tetë e Dinamos në shtëpi nëpër kompeticionet evropiane dhe dymbëdhjeta në Ligën e Kampioneve, gjatë 19 ndeshjeve të zhvilluara. Për të dhënë edhe një statistikë më shumë, kjo ishte humbja e tretë e bluve me shifrat 2-0, pas atyre me Ajaksin (1980) dhe Beshiktashin (1986).
Formacioni
Blutë janë prezantuar menjëherë me katër argjentinas të sapoardhur në formacionin titullar: Daniel Bortoja, Aleandro Paladinio, Agustino Tapia, Kristian Kampozano. Por një zgjedhje e tillë ka rezultuar e dështuar për dinamovitët, për më tepër nën drejtimin e teknikut argjentinas, Marselo Havier Zuleta. Me një formacion, ku ishin të pranishëm vetëm katër lojtarë që u shpallën kampionë, në pjesën e parë blutë prodhuan një mori rastesh, duke zhvilluar edhe një lojë të pëlqyeshme, kurse në të dytën ishin tepër "të varfër".
Rastet
Në pjesën e parë sulmuesi i Tiranës, i huazuar te Dinamo, Daniel Xhafaj nuk arriti të shfrytëzojë dy raste të mira në minutat e fillimit. Mesfushori Allmuça ishte gjithashtu protagonist i një gjuajtjeje therëse, por sfera kaloi ngjitur me shtyllën pingule. Modrica ishte shumë e zbehtë në 15 minutat e para, madje thuajse nuk u duk në zonën dinamovite. Në minutën e 18-të, mesfushori i talentuar Ilirjan Çaushaj ishte pranë golit, kur goditi fluturimthi, ndërsa portieri i Modricës e grushtoi topin me vështirësi. Në të 30', Daniel Xhafaj goditi fuqishëm, por portieri Hadxhidulbiç priti me zgjuarsi. Dhjetë minuta më pas, mbrojtësi argjentinas i Dinamos, Alehandro Paladino goditi me kokë, por portieri boshnjak e devijoi në goditje këndi. Në minutën e 41-të, Kampazano goditi fuqishëm, por Hadxhidulbiç dëshmoi sërish klasin e tij. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në fraksionin e dytë, në të 62', Dinamo goditi shtyllën, por golin e shënoi Modrica, me anë të Vladimir Miljkoviç në minutën e 65', në të vetmin rast të boshnjakëve, të cilët patën një tjetër mundësi të artë, pesë minuta më vonë me anë të Zafiroviç. Modrica kontrolloi tërësisht lojën, duke shënuar golin e dytë me anë të Stokiç në të 80', duke i dhënë fund ëndrrës dinamovite për kalimin e turit të parë, pavarësisht se janë dhe 90 minuta të tjera për t'u luajtur në Bosnjë.

Dinamo-Modrica 0-2

Shënues: Miljkoviç 65', Stokiç 80'
Dinamo: Bortoja, Paladinio, Pisha, Diop, Sina, Tapia, Poci, Allmuça, Çaushaj, Kampazano, Xhafaj.
Tr.: Marselo Zuleta.
Modrica: Hadxhidulbiç, Vasiç, Kosiç, Joloviç, Vasiljeviç, Bogiçeviç, Saviç, Zafiroviç, Miljkoviç, Ristaniç, Stokiç.
Tr.: Mitar Lukiç
Gjyqtar: Said Ennjimi (Fra). Ndihmës: Frederic Cano (FRA), Hugues Berly (FRA)

Mitar Lukiç, trajneri i Modrica

"Askush nuk mund ta mohojë se zhvilluam një lojë më të mirë në pjesën e dytë, sesa në të parën, ku Dinamo ishte më dominuese me raste të krijuara. Natyrisht më pas ditëm të përfitojmë edhe nga gabimet e kundërshtarëve në mbrojtje, ndonëse sidomos goli i dytë erdhi si rrjedhojë e presionit të kryer nga ana e sulmit tonë. Sigurisht, rezultati na kënaq, por mbi të gjitha largohemi me një përshtypje të mirë nga loja korrekte e zhvilluar në fushë midis dy skuadrave dhe nga mikpritja që na u rezervua këtu në Shqipëri. Përsa i takon diskutimi të kualifikimit mund të them se kemi një 90 minutësh të dytë për të luajtur në Bosnje pas një jave dhe çdo gjë është ende për t'u vendosur. Unë premtoj se ne si skuadër do të luajmë përsëri me maksimumin e forcave tona, për të arritur një tjetër fitore, që do të na jepte sigurinë e avancimit për më tej në këtë kompeticion".

Marselo Zuleta, trajner i Dinamos

"Kishim disa raste në pjesën e parë, të cilat nuk patëm mundësi ti shndërronim në gol, ndërsa në pjesën e dytë një gabim nga ana jonë i lejoi kundërshtarëve të shënonin. Në humbjen e sotme nuk ishte fajtor vetëm mbrojtja. Golat e pësuar erdhën nga kundërsulmet dhe në këto raste mbrojtësit nuk kanë shumë mundësi. Rezultati në fund të takimit mund të quhet i drejtë. Kualifikimi për në raundin e dytë është i vështirë, por do të punojmë për të kaluar. Lojtarët argjentinas, ashtu si e gjithë skuadra, nuk ishin shumë mirë. Në pjesën e parë u paraqitëm mirë, ndërsa në të dytëm dështuam. Është e vështirë të ndërtosh një skuadër për dhjetë ditë dhe të luash më pas në Champions League. Nuk dua të justifikohem por kam punuar fare pak me këtë skuadër. Për të kaluar turin duhet shumë punë dhe është herët për të bërë publike ndryshimet".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›