Importet e ushqimeve dhe të gjësë së gjallë, 326 milionë USD për 6 muaj
Importet e ushqimeve dhe të gjësë së gjallë gjatë gjashtë muajve të parë këtij viti kapën një vlerë rekord prej 326 milionë dollarësh, ndërkohë që vjet importet e kësaj kategorie mallrash ishin 523 milionë dollarë. Të dhëna zyrtare të Institutit të Statistikave bëjnë me dije se importet e ushqimeve dhe ato të kafshëve të gjalla janë një prej pjesëve më të rëndësishme të importeve dhe ato kanë ardhur në rritje nga muaji në muaj. Kështu, për qershorin u importuan 61 milionë dollarë ushqime dhe kafshë të gjalla, ndërkohë që në muajin maj kjo vlerë ishte 59,5 milionë dollarë. Në muajin prill ishte 59 milionë dollarë. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë importuar ushqime dhe kafshë të gjalla në vlerë prej 161,6 milionë dollarësh. Importet e ushqimeve dhe të kafshëve të gjalla, të cilat janë në 99 për qind të tyre për mish, në vitin 2005 kanë qenë 338 milionë dollarë dhe vitin e shkuar ishin 523 milionë dollarë. Pra, kemi për dy vjet një rritje të këtyre importeve me 190 milionë dollarë. Këtë vit importet pritet të kalojnë 600 milionë dollarët. Sipas specialistëve një prej arsyeve të rritjes së importeve të kësaj kategorie mallrash është prodhimi i pakët i vendit në ushqime dhe në mish. Shqipëria importon masivisht ushqime, fruta, perime dhe mish dhe nga viti në vit këto importe rriten, pasi edhe kërkesa është në rritje. Një arsye tjetër thonë specialistë të Ministrisë së Financave, për rritjen e madhe të importeve në tërësi dhe të ushqimeve në veçanti janë edhe çmimet. Në volum rritja e importeve nuk është në shifrat që paraqitet në pará, por më e vogël dhe kjo dëshmon qartë për çmimet e rritura të këtyre mallrave sidomos ushqimeve. Çmimet e rritura të ushqimeve në tregun e huaj janë pasuruar edhe në importet e vendit tonë. Vendet kryesore nga importohen ushqimet dhe kafshët e gjallë janë Maqedonia, Bullgaria, Ukraina, Greqia, Italia etj. Vetëm importet e mishit dhe të kafshëve të gjalla për mish i kalojnë të 100 milionë dollarët në vit. Gjedhë në sasi të konsiderueshme vazhdojnë të vijnë në tregun tonë nga Bullgaria dhe vende të tjera.