E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zjarret u vunë me goma makinash”

 

Dashamir Biçaku

Zjarret që pushtuan disa zona në jugperëndim të vendit gjatë ditëve të fundit kanë qenë të qëllimshme. Policia ka zbuluar se në të paktën dy raste, persona të caktuar duke përdorur goma makinash u kanë vënë zjarrin, pasi u kanë hedhur benzinë dhe më pas i kanë hedhur ato në zonat kur janë konstatuar vatrat e flakëve. Forcat e policisë në këto raste kanë arritur të provojnë zjarrvënien e qëllimshme përmes copave të djegura të gomave në zonat në rrezik. Ndërkaq pas situatës së krijuar nga zjarret, në Ministrinë e Brendshme është ngritur një grup pune nën drejtimin e shefit të Emergjencave Civile, Alfred Olli. Ky grup pune koordinon punën për shuarjen dhe mbajtjen e zjarreve në kontroll, ndërsa raporton në kohë reale tek ministri i Brendshëm. Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli, ka treguar dje për gazetën "Panorama", operacionet për shuarjen e vatrave të zjarrit në jug të vendit, në qarqet e Fierit dhe të Vlorës. Sipas tij, zjarret në pjesën më të madhe kanë qenë të qëllimshëm dhe për këtë arsye policia e Fierit dhe e Vlorës kanë arrestuar edhe 4 persona të akuzuar si autorë të zjarrvënies. Olli tha se, deri dje në mbrëmje janë kryer më tepër se 12 fluturime nga avioni italian "Canadair", për shuarjen e vatrave të zjarrit, në grykëderdhjen e Semanit, në Orikum e zona të tjera problematike.
Z. Olli, si paraqitet gjendja e vatrave të zjarreve në qarqet e Fierit dhe të Vlorës?
Mund të them pas më tepër se 24 orësh pune intensive të mjeteve të zjarrfikësve të Fierit, Vlorës, shërbimeve të Policisë Pyjore, si dhe ndërhyrjes së avionit "Canadair", të sjellë në ndihmë nga qeveria italiane, kemi mundësuar vënien nën kontroll të flakëve dhe ato janë drejt shuarjes. Po kështu kanë ardhur në ndihmë edhe dy helikopterë zjarrfikës grekë, të cilët kanë vepruar gjatë ditës së hënë dhe gjatë ditës së martë në zonat e vatrave të zjarrit në Vlorë.
Sa vatra zjarri ka pasur në këto qarqe dhe cilat prej tyre kanë qenë më problematike?
Gjatë ditës së hënë dhe ditës së sotme (dje), ne kemi identifikuar së paku 12 vatra zjarri në këto dy qarqe. Problem kanë qenë vatrat e zjarrit në grykëderdhjen e Semanit, në komunën e Ndërmenasit, për shkak se zjarret janë vërejtur në zona pyjore. Po kështu edhe zjarri në Bashkinë e Orikumit, ka qenë problematik. Përkatësisht në Fier kanë qenë tetë vatra dhe në Orikum katër të tilla. Vatra ka pasur edhe në Kavajë e Lushnjë.
Zjarret kanë qenë natyralë, aksidentalë, apo edhe të qëllimshëm?
Nga sa kemi parë në terren gjatë ditës së hënë dhe gjatë ditës së sotme (djeshme), në Vlorë, Fier, Kavajë dhe në Lushnjë, zjarret duken se janë të stimuluar. Në gjashtë raste policia ka arrestuar personat e dyshuar. 
Si është operuar për shuarjen e këtyre zjarreve?
Në të gjitha rastet kanë vepruar efektivët e Policisë së Shtetit, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, shërbimet zjarrfikëse dhe të Policisë Pyjore. Në Vlorë gjatë ditës së sotme (dje), zjarri është shuar në të gjitha vatrat e mundshme, falë ndërhyrjes së helikopterëve të ardhur nga Greqia, punonjësve tanë dhe policisë. Në Fier kanë vazhduar punën për shuarjen e zjarrit më tepër se 15 mjete të ndryshme zjarrfikëse. Ka mbërritur nga Italia një avion zjarrfikës i llojit "Canadair", i cili ka kryer në total 12 fluturime mbi vatrat e zjarrit. Ministri ka kërkuar nga krerët e policisë gjatë takimeve me ta, ashpërsimin e goditjes ndaj fenomenit të zjarrvënies, me arrestimin e personave të përfshirë, apo të identifikuar si të tillë.
A ka pasur vatra të reja të ndezura gjatë kësaj kohe?
Ka qenë një vatër e re zjarri, pranë grykëderdhjes së Semanit. Kjo vatër në fakt dukej e rrezikshme, por ndërhyrja e avionit "Canadair" dhe mjeteve tona ka bërë që ajo vatër të vihet nën kontroll.

Zjarret, 6 të arrestuar në Fier e Vlorë
Gjashtë persona janë arrestuar dje nga policia në Fier dhe në Vlorë për shkak se rezultuan të implikuar në vendosjen e zjarreve gjatë dy ditëve të fundit. Qerim Çeloaliaj, 72 vjeç dhe Jorgo Gjikola, 70 vjeç, kanë rënë në pranga në Vlorë, ndërsa në Fier janë arrestuar Fiqiret Murrizi, 48 vjeç dhe Dine Ababzaj, 58 vjeçe. Pas këtyre arrestimeve të kryera gjatë ditës, policia e Vlorës dje në mbrëmje arrestoi edhe dy persona të tjerë Klement Rrapushi, 47 vjeç dhe Bari Lamaj, 54 vjeç. Policia tha se, zjarrvënia e qëllimshme e shoqëruar me pasoja
të rënda dënohet deri në dhjetë vjet burg.

Bariu i vë flakën kullotës, digjen 2 ha

GJIROKASTER - Një zjarr i rënë aksidentalisht rrezikoi dje djegien e banesave të fshatit Jorgucat, 20 km në jug të qytetit të Gjirokastrës. Flakët e para u konstatuan rreth orës 10:00 nga një çoban, i cili lajmëroi menjëherë banorët e zonës duke u dhënë atyre alarmin për djegien e kishës së Shën Mihajllos, që gjendet në krye të fshatit. Në vendngjarje mbërriti reparti i zjarrfikësve dhe i policisë, të cilët kanë luftuar me flakët për katër orë rresht deri në eliminimin e plotë të rrezikut. Mes hapësirës që ndan fshatin Jorgucat me fshatin Grapsh u dogj një kullotë prej 2 hektarësh. Si pasojë e terrenit të thyer malor, makinat zjarrfikëse nuk kanë shkuar dot në vendngjarje, por është mjaftuar angazhimi total i punonjësve të saj dhe të uniformave blu të mbështetur nga banorët e zonës, që zjarri të ndalet rreth orës 14:00. Për shuarjen e flakëve mësohet se janë përdorur mjete rrethanore, deri dhe te përdorimi i xhaketave të punonjësve zjarrfikës. Banorët e fshatit Jorgucat janë shprehur se zjarri është vendosur qëllimisht nga barinjtë e ardhur, të cilët gjatë sezonit të kaluar kanë qenë shkaktarët kryesorë të djegies së dhjetëra ha kullotë në po të njëjtën hapësirë. Sipas policisë, bariu që lajmëroi banorët e Jorgucatit është dhe zjarrvënësi. Kjo bëhet më e besueshme nisur nga fakti i zhdukjes sapo aty mbërritën forcat zjarrfikëse dhe të policisë. Gjatë ditëve të korrikut nga zjarret e rëna në rrethin e Gjirokastrës janë djegur 20 ha kullotë.                       p.n

“Flakët e zjarrit më dogjën shtëpinë, lopët dhe viçin”

Maksim Dauti ka mbetur pa shtëpi nga flakët e rëna në Darëzezë. Përveç strehës ai nuk mundi të shpëtonte as lopët dhe viçin e as paratë që fitoi nga shitja e grurit. E vetja shpresë është ndihma nga shteti.
Ku ishit kur ranë flakët?
Isha pas shtëpisë duke rregulluar kavaletat me bar. Pashë një shtëllungë të madhe tymi që kishte mbuluar zonën e pyllit. Dola përpara shtëpisë kur më thirrën për të shkuar pranë pyllit. U nisëm me motorë pranë pyllit që kishte marrë flakë. Zjarri përhapej me shpejtësi shumë të madhe dhe ne s'kishim se çfarë bënim më shumë se të lajmëronin zjarrfikësit. Brenda pak çastesh flakët u përhapën me shpejtësi. Mesa pamë gjuhët e flakëve e përpinë shumë shpejt pyllin.
Shtëpia juaj sa larg ndodhej nga vatra e zjarrit?
Shtëpia ime ishte shumë pranë pyllit. U ktheva me shpejtësi të lajmëroja gruan dhe fëmijët, por pashë se mori flakë kashta. Dolëm nga shtëpia të tmerruar. Tërhoqëm fëmijët dhe i nxorëm jashtë. Për pak sa nuk u dogjën të vegjlit brenda në shtëpi. Tymi kishte përfshirë gjithë shtëpinë dhe nuk dinim nga të shkonim. Kur dolëm në rrugë të gjithë ishin të trembur.
Çfarë ndodhi më pas?
Më pas ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte. Shtëpia mori flakë. Në fillim u dogj e gjithë kashta që ishte pas shtëpisë. Më pas tavani filloi të digjej dhe punë 10 minutash ra i gjithi në tokë. Kemi parë tmerr me sy. Bagëtitë ulërinin se po digjeshin brenda në kasolle. Unë nuk kisha mundësi t'i nxirrja (qan).
Ku shkuat më pas?
Ndenjëm për një farë kohe në rrugë. Gruan me fëmijët i çova te motra ime në Fermë, kurse unë këtu kam qëndruar se mos shpëtoja ndonjë gjë nga shtëpia, po asgjë. Të gjitha u dogjën brenda.
Keni mundësi për të ngritur një shtëpi të re?
Nuk kam asgjë. Të gjitha plaçkat u dogjën brenda. Kisha edhe 35 mijë lekë në komonë e dhomës së gjumit që i nxora nga shitja e grurit, po edhe ato u dogjën. Dy lopë dhe një viç janë karbonizuar totalisht. Kam mbetur në mes të katër rrugëve, me asnjë lek në xhep për të ushqyer familjet. Si do t'ia bëj se dhe fëmijët i kam të vegjël.

Fier, dëmet do të kompensohen

FIER - Pas dëmeve masive të shkaktuar në Seman dhe Darëzezë nga ana e prefekturës së Fierit dhe komunave, do të ngrihet një grup i posaçëm që do të verifikojë në vend dhe do të vlerësojë të gjitha dëmet e shkaktuara. Kreu i emergjencave civile në prefekturë, Viron Balla, deklaroi se do të merren masa për të gjitha familjet e prekura dhe kjo do të ndodhë brenda një afati të shkurtër kohor. "Është ngritur tashmë komisioni që do të merret me verifikimin e dëmeve dhe vlerësimin e tyre. Por është akoma herët për të folur për shifra konkrete, pasi edhe flakët nuk janë shuar totalisht. Sapo të jetë terreni i përshtatshëm do të vazhdojmë punën për të listuar gjithë dëmet e shkaktuara", pohoi ai. Nga ana tjetër, Balla nuk ka harruar të theksojë edhe gatishmërinë që ka pasur jo vetëm shtabi i emergjencës, por edhe zjarrfikëset, FNSH, policia, përfaqësues të komunave të prekura si dhe vetë banorët e zonës. "Gjatë gjithë natës grupe të zjarrfikësve kanë qëndruar në terren, ndërkohë që banorë të zonës kanë ndihmuar me aq sa mundnin për të shuar zjarrin".

Orikum, bashkia në ndihmë të të dëmtuarve

VLORE - Bashkia e Orikumit ka ngritur një grup pune për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri i dy ditëve më parë. Nga puna e deritanishme rezulton se janë shkatërruar 550 hektarë sipërfaqe, dru frutorë të ndryshëm, ullinj, vreshta, tre banesa të djegura, dy në Dukat dhe një në Orikum, si dhe janë shkaktuar dëme në fabrikën e ujit në Fushë-Dukat. Kreu i bashkisë, Kanan Braho, tha se, komisioni do të vijojë edhe sot për të vlerësuar saktë të gjitha dëmet rast pas rasti. Bashkia ka vënë në dispozicion një fond të saj rezervë, i cili përdoret për fatkeqësitë natyrore, por mësohet se do t'i kërkojë qeverisë dhe fonde shtesë. Një ditë pas ngjarjes, banorët e zonave janë ende në panik. Një nga banorët e Dukatit, i mbetur pa shtëpi thotë se brenda pak minutash humbi mundin dhe djersën e gjithë këtyre viteve. Megjithatë, banorët pohojnë se janë me fat që nuk kanë pësuar humbje në njerëz. "I pashë flakët që larg", tha një 60-vjeçar, por nuk e kishte besuar se brenda pak minutash, të favorizuara edhe nga era, ato do të rrezikonin jetën e tij dhe të familjes. Shumë familjarë ankohen se u janë djegur vreshtat, ullishtat, të mbjellat e gjithë puna e një viti. Për momentin situata në Orikum e Dukat është normalizuar dhe sipas reparteve të zjarrfikësve ajo është vënë nën kontroll. Policia se Vlorës arrestoi edhe dy persona të tjerë, të cilët në mënyrë të qëllimshme kishin shkaktuar zjarre duke djegur disa dynymë me dru frutorë. Klement Rrapushi, 47 vjeç nga fshati Oshtimë u arrestua pasi në tentativë për të djegur një pjesë të tokave të tij, i dha flakë 5 dynymëve me drurë. Ndërsa Bari Lamaj, 54 vjeç nga fshati Trevllazën u arrestua pasi dogji 10 dynymë, po dru frutorë. Tashmë banorët e dëmtuar nga zjarri po presin rezultatet e komisionit të vlerësimit të dëmeve. Situata në plazhin e Orikumit është normalizuar dhe plazhistët kanë vijuar një ditë normale pushimi.         q.b

Darëzeza mes flakëve e panikut

FIER / MAJLINDA RAMA

Një ditë pas vatrave gjigande të zjarreve, zonat turistike të Darëzezës dhe Semanit janë shkretuar.Gjithçka është shuar si me dorë. Panorama i ngjan një situate paslufte. Vatra ende të ndezura, njerëz fatkeqë që kanë mbetur pa shtëpi dhe enden të shohin çfarë mund t'u ketë mbetur, bagëti të ngordhura nëpër fshat, banesa të shembura, pyje të shkrumbuara, shtëllunga tymi që vijojnë ende nga vatrat e mbetura pa fikur. E gjitha kjo ndodhi për pak orë, në kohën kur më të shumtët e banorëve të këtyre fshatrave ishin kthyer nga arat dhe po bënin pushimin e drekës. Shumë prej tyre ishin në gjumë kur dëgjuan zhurmën e flakëve që u ishte afruar te shtëpitë. Tashmë kanë humbur gjithçka. Dikush shtëpinë, dikush bagëtitë, një tjetër të mbjellat. Situata është e rrëmujshme. Njerëzit të nxirë nga tymi e të përcëlluar nga nxehtësia e flakëve nuk dinë se ku të shkojnë. Kërkojnë ndihmën e shtetit, por nuk kanë siguri në këtë fakt. Më tej, fëmijët e traumatizuar nga alarmi i dhënë një ditë më parë ndjekin me sy veprimet e më të rriturve. Shumë prej tyre u evakuuan kur zjarri përfshiu në pak minuta hektarë të tëra, duke rrezikuar mjaft shtëpi. "U dogjëm. Nuk dimë ku të fusim kokën. Më është djegur shtëpia dhe të gjitha çfarë kisha brenda. M'u dogjën lopët me të cilat mbaja fëmijët. Jam në qiell të hapur me pesë fëmijët e gruan", tha një banor i Darëzezës. Ndërsa Fitim Senka, i cili gjithashtu është banor i këtij fshati kërkon ndihmën e shtetit. "Ishim në gjumë kur na erdhi kjo gjëmë dhe na gjeti të papërgatitur. Unë sapo e kisha ndërtuar shtëpinë, por e pashë nën flakë. Nuk dija çfarë të hiqja prej saj. Kisha brenda vajzën dy vjeçe dhe nuk po e shikoja dot ku ishte futur nga tymi që na kishte bllokuar. U shokova. Nuk e di çfarë fati kam pasur kur arrita ta gjej vajzën fare pranë flakëve. Unë i kërkoj shtetit të më ndihmojë pasi kam humbur gjithçka, shtëpinë e bagëtitë", tha Senka.
Ndërkohë, një dëm i madh për banorët është dhe largimi i pushuesve dhe turistëve që kishin zgjedhur këtë zonë për të kaluar pushimet. Dje shikoje vetëm ndonjë tek-tuk që ishte kthyer për të marrë sendet e pakta që mund t'u kishin shpëtuar nga zjarri. Burime jozyrtare flasin për rreth 6 500 turistë, të cilët të alarmuar janë larguar qysh në ditën e parë të zjarrit. Pasojat e flakëve nga bilancet paraprake bëjnë fjalë për 5 shtëpi të djegura, 500 hektarë pyje, ndërkohë që janë shënuar edhe dëme në bagëti, në rreth 400 kokë. Flakët kanë vazhduar edhe dje, megjithëse intensiteti i tyre ka rënë dukshëm. Forcat zjarrfikëse po mbajnë nën kontroll zonën turistike të Darëzezës. Flakët janë shuar, por ekziston rreziku për shkak të disa vatrave të vogla, të cilat mund të nxiten nga temperaturat e larta dhe era. Policia shoqëroi 10 persona nga fshati turistik, pasi dyshohen si autorë të zjarreve në Seman dhe Darëzëzë. Po dje, mbërriti edhe një avion italian dhe dy helikopterë grekë për të ardhur në ndihmë të zjarrfikësve në shuarjen e zjarrit, i cili ende nuk është shuar në Seman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›