Mediu në Durrës: ”Do të mbështesim ish-të përndjekurit politikë”
Kreu republikan, Fatmir Mediu, gjatë një takimi elektoral në qytetin e Durrësit, ka deklaruar se PR-ja, gjatë mandatit të dytë qeverisës, do të ketë prioritet ish-të përndjekurit politikë. “Gjatë mandatit të dytë tonit, një rëndësi të madhe do të kenë të përndjekurit politikë, ata të cilët kërkuan lirinë, sakrifikuan lirinë e tyre për lirinë e të gjithë shqiptarëve. Partia Republikane do të vazhdojë të jetë përfaqësuese e ish-pronarëve dhe në mandatin e dytë çështja e pronës duhet të zgjidhet përfundimisht, pasi ne i qëndrojmë bindjes sonë të përhershme se zgjidhja e kësaj çështjeje është një element kyç për zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimin tonë në BE”, - tha kreu republikan gjatë fjalës së tij.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e pranishme në këtë takim, gjatë fjalës së saj u ndal tek investimet në sektorin e shëndetësisë. “Po ndërmarrim reforma të mëdha për zhvillimin e një sektori, i cili ka pasur probleme të thella para pak vitesh. Edhe gjatë mandatit të dytë, këto investime do të vazhdojnë, pasi shëndetësia ka fituar dhe do të fitojë përherë e më shumë vendin që i takon, si një sektor jetik për të gjithë shqiptarët”, - tha Godo. Gjatë këtij takimi u prezantuan kandidatët për deputetë për qarkun e Durrësit, ndër të cilët edhe deputeti aktual, Artur Hasanbelliu.
15 Maj 2009