PDK-ja, paketë konkrete për eliminimin e kushteve mjerane sociale
PDK-ja është e vendosur për rimëkëmbjen sociale të qytetarëve shqiptarë. Theksin në këtë drejtim, kryetari demokristian Ndoka e ka vënë gjatë prezantimit të kryetares së Forumit të Gruas, e cila është dhe kandidate e Njësisë Nr. 4, Marie Dobra.
Në dallim nga forcat e tjera politike në vend PDK-ja ka ofruar për zgjedhësit një paketë konkrete, e cila do të mundësojë përmirësimin e jetesës sociale të qytetarëve duke vënë në plan të parë çiftet e reja, arsimin, kujdesin ndaj studenteve, si dhe përmirësimin konkret të strehimit. “Tirana, më shumë se çdo qytet tjetër në vend, është kthyer në qendrën e pabarazisë sociale ku dallojnë qartazi politikat e mbrapshta të qeverisë dhe të bashkisë. Ne nuk vijmë para jush duke sharë. Ne vijmë para jush duke drejtuar gishtin mbi ato që janë përgjegjëset e kësaj masakre sociale në kryeqytet, që janë PD-ja dhe PS-ja. Ne ofrojmë për ju zgjidhje konkrete me një paketë qeverisëse plotësisht të realizueshme dhe mjaft sociale”, - tha Ndoka. Më tej, gjatë fjalës së tij, Ndoka i informoi të pranishmit se pika e parë e vendimeve të PDK-së në Parlamentin e ardhshëm do të jetë vendimi që 30% e banesave sociale që do të ndërtohen t’u jepen çifteve të reja me një fëmijë, në mënyrë që ato të kenë shansin të nisin një jetë normale me qëllim që kushtet ekonomike të mos ndikojnë jo vetëm në mbarëvajtjen e martesave të tyre, por edhe fëmijët të kenë një mundësi reale që të rriten sa më mirë.
15 Maj 2009