Medvedev i jep pushtet shërbimeve sekrete
Rusia i ka dhënë më shumë pushtet shërbimit sekret, pasardhëses së KGB-së, madje në një hap që të kujton të kaluarën komuniste, mund të thuhet se këtyre shërbimeve u është dhënë pak a shumë pushteti që kishin në ato kohë. Një hap i tillë mund të zgjojë menjëherë protesta nga kundërshtarët e qeverisë. Presidenti rus, Medvedev, nënshkroi dje ligjin që i jep mundësi agjencisë të njohur me inicialet FSB, që të lëshojë paralajmërime, apo edhe të burgosë persona të dyshuar për krime kundër sigurisë së Rusisë, përfshi edhe pjesëmarrësit e tubimeve antiqeveritare. Për ata që mund të kapen me akuza të tilla është rezervuar një minimum burgimi prej 15 ditësh. Ligji që shkoi në Parlament në muajin prill, pason edhe dy sulmet e bëra në metronë e Moskës, ku humbën jetën 40 persona. Disa nga nenet e ligjit, përfshi ata që shtojnë kontrollin ndaj medias për “deklarata ekstremiste” dhe lejojnë FSB-në që të publikojë paralajmërime në shtyp, janë hequr, apo ndryshuar si pasojë e kritikave me të cilat u përballën nga opozitarët e regjimit të Kremlinit dhe madje edhe nga disa prej mbështetësve të tij. Megjithatë, një deputet i Partisë Komuniste, forca më e madhe opozitare në Rusi, tha se amendamenti nuk ka ndryshuar karakterin represiv të ligjit. “Pavarësisht të gjitha premtimeve për të ndrequr disa nga nenet më të urryera të ligjit, asgjë thelbësore nuk është ndryshuar”, ka deklaruar Viktor Ilkhin. Ndërsa mbështetësit e Kremlinit e kanë përshëndetur ligjin, duke e cilësuar si ligj që merr masa paraprake të domosdoshme. Ndërsa për një analiste të pavarur politike, ai është një ligj i shëmtuar me formula të errëta. “Kështu nëse një oficer i pirë i shërbimeve sekrete të qëllon me armë dhe, më besoni, ka pasur shumë raste të tilla, atëherë një individ mund të përfundojë në burg vetëm për faktin se është përpjekur që t’i shpëtojë plumbit”, ka deklaruar analistja e pavarur ruse. Opozita e ka akuzuar Kremlinin se po e shndërron Rusinë në një shtet të stilit sovjetik dhe policor dhe se shumë rusë kanë frikë dhe kanë pasuar abuzime nga oficerët e shërbimeve sekrete. Kritikët e qeverisë thonë se korrupsioni në radhët e shërbimeve sekrete dhe agjencive të tjera të ngjashme është një pengesë e madhe për biznesin dhe ekonominë e vendit. Sipas disa aktivistëve të të drejtave të njeriut është shumë e trishtueshme kur sheh aprovimin e ligjeve të tilla shtypëse. Ky ligj është një vazhdim i tendencës së Vladimir Putinit, aktualisht Kryeministri i vendit, i cili është akuzuar nga opozita dhe perëndimi për kryerjen e hapave mbrapa në krahasim me reformat demokratike që ndërmori vendi në vitet ‘90. Putin, vetë një ish-spiun, u ka dhënë mundësi gjatë pushtetit të tij shërbimeve sekrete që të rifitojnë pushtet ndaj institucioneve demokratike. Ligji vë pikëpyetje të mëdha edhe ndaj Presidentit Medvedev, i cili deri më tani është zotuar për kryerjen e reformave demokratike dhe pro lirisë së shprehjes.
#