E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhnin fondet e të varfërve, pesë në pranga

Drejtuesit e zyrës së punës në Kurbin krijuan dosje fiktive dhe morën 6 milionë lekë

Një vjedhje e sofistikuar, duke shpërdoruar detyrën, është zbuluar nga Prokuroria e Kurbinit, e cila ka vënë në pranga ish-drejtorin e zyrës së punës dhe katër punonjës. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë viteve 2008-2009 kanë krijuar dosje fiktive të papunësisë për rreth 85 persona, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 6 milionë lekësh. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se nën hetim janë vënë Gentjan Rukaj, Beldar Cufaj, Klaudiana Rasha, Mirjeta Frrokaj dhe Gjon Sevgjini. Akuzat që rëndojnë ndaj punonjësve të zyrës së punës është “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i akteve të gjendjes civile”.

Prokuroria e Kurbinit, më 18 gusht 2009 ka regjistruar procedimin penal numër 191 dhe gjatë hetimit ka marrë në cilësinë e personave nën hetim shtetasit e mësipërm. “Procedimi penal është filluar kryesisht, pasi më parë janë marrë disa të dhëna për disa shkelje në Zyrën Vendore të Punësimit, Kurbin, të publikuara në media. Pas këtij informacioni, në këtë zyrë janë dërguar Oficerë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë nga të cilët janë kryer veprimet e para hetimore”, thanë burimet zyrtare nga akuza qendrore.

Sipas tyre, gjykata ka vendosur tri ditë më parë masën e “arrestit me burg” për Gentjan Rukajn, i cili ka qenë drejtor i zyrës vendore të punësimit në Kurbin në periudhën 2007-2009, Mirjeta Frrokaj, specialiste e pagesës së papunësisë në të njëjtën periudhë dhe Bledar Cufaj, specialist i shërbimeve në këtë zyrë gjatë periudhës gusht 2008 - maj 2009. Sipas akuzës, këta zyrtarë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë vitit 2008 dhe 2009 kanë krijuar dosje fiktive për persona që nuk ekzistojnë dhe që nuk kanë paraqitur kërkesë për përfitim të pagesës së papunësisë duke bërë të mundur shpërblimin fals të papunësisë për rreth 85 persona.

Pas kësaj, ata kanë bërë kuponët e pagesës së papunësisë dhe kanë xhiruar lekët e pagesës së papunësisë tek zyra e postës Laç, ku bëhet dhe shpërndarja e pagesës së papunësisë. Prokuroria deklaron se drejtori Gentjan Rukaj ka krijuar një lidhje me punonjësin e postës Laç, Gjon Sevgjinaj, i cili ka bërë të mundur që në listë-pagesat e borderove fiktive të nënshkruanin persona të tjerë, mes të cilëve edhe Mirjeta Frrokaj e Bledar Cufaj. Gjithë vlerat monetare janë përfituar nga personat e mësipërm.

Më pas, shtetasit Gentjan Rukaj dhe Mirjeta Frrokaj kanë dëmtuar disa nga dosjet që kanë qenë me dokumente të falsifikuara. “Nga kryerja e këtij aktiviteti, gjatë hetimit është provuar se këta persona i kanë shkaktuar një dëm ekonomik shtetit në shumën prej 6 milionë lekë. Po ashtu, gjatë hetimit ka rezultuar se Klaudiana Rasha, arkiviste në Zyrën Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Lezhë ka ndihmuar Gentjan Rukajn dhe Mirjeta Frrokajn që të administronin në arshivë listën e personave, dosjet e të cilëve janë fiktive, sikur gjoja kanë qenë të siguruar më parë pranë disa firmave që ushtrojnë aktivitete të ndryshme”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme.

Gjatë vitit 2009 rezulton se nga Zyra Kombëtare e Punësimit është ushtruar një auditim në zyrën vendore të punësimit Kurbin, ku janë gjetur shkelje të ndryshme të personave të mësipërm, pasi janë konstatuar se mungojnë mbi 85 dosje papunësie për disa muaj të vitit 2008 dhe janar-shkurt të vitit 2009, duke përcaktuar dhe dëmin ekonomik që i është shkaktuar shtetit. Por, sipas akuzës, nga Zyra Kombëtare e Punësimit, nuk është bërë kallëzim ndaj punonjësve të Zyrës Vendore të Punësimit Kurbin, ndërsa një kallëzim i tillë është bërë pas disa muajve, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin, kishte filluar hetimet për këto persona.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›