E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Hyseni takon ambasadoren Di Carlo

Bisedë në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni, ka vazhduar takimet me përfaqësues të përhershëm të akredituar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, nga shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Gjatë ditës së mërkurë, ministri Hyseni ka zhvilluar mbi dhjetë takime të ndryshme, me qëllimin themelor për të shpjeguar kuptimin dhe përmbajtjen e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në vijim të kësaj, për të ripërsëritur thirrjen për njohjen e shtetit të Kosovës, njofton MPJ, nëpërmes një komunikate shtypi. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri Hyseni ka zhvilluar një takim të veçantë me ambasadoren amerikane, Rosemary di Carlo. “Në këtë takim të gjatë dhe miqësor, ministri Hyseni takoi ambasadoren Di Carlo, me të cilën bisedoi në detaje rreth hapave dhe veprimeve të ardhshme që do të ndërmerren pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
Në këtë takim, ministri Hyseni ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Kosovën, si dhe ka theksuar nevojën e bashkërendimit të ngushtë të aktiviteteve dhe veprimeve të të dyja vendeve, thuhet në komunikatën e shpërndarë mediave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›