Mehmedi, hero i Zvicrës

Admir Mehmedi e ka kapur për dore përfaqësuesen U21 të Zvicrës për ta kualifikuar në finale të Evropianit U21, për herë të parë në histori të këtij vendi. Sulmuesi shqiptar e ka shënuar golin e fitores në lojën shtesë, në gjysmëfinale ndaj Republikës Çeke.
Futbollisti nga Maqedonia ka pasur paraqitje të shkëlqyeshme gjatë 120 minutave, ndërsa ‘kulmin’ e arriti në minutën e 114-të, kur shënoi një gol të shkëlqyeshëm nga rreth 25 metra.
“Natyrisht, jam i nderuar që e realizova golin vendimtar. Por, më e rëndësishme është skuadra. Çfarë do më mjaftonte po të shënoja gol dhe nëse skuadra do të humbiste?”, deklaroi sulmuesi i Zurichut.
- “Ishim të qetë dhe pritëm deri në fund. Kundër një kundërshtari të tillë është vështirë të luash. Çekët luajtën ashpër, duke shkaktuar 40 faulle. E rëndësishme ishte që ne nuk ramë ndesh me ta”, vazhdoi ai.
Admir Mehmedi e Xherdan Shaqiri luajtën gjatë tërë ndeshjes, ndërsa Amir Abrashi u inkuadrua në lojë në minutën e 71-të. “Me këtë skuadër është e thjeshtë: futesh në lojë dhe ndihesh si në shtëpi. Kjo është e jashtëzakonshme. Së bashku me Spanjën jemi ekipi më i mirë në Evropë. Shpresojmë të dalim mirë pas finales”, tha Abrashi.
Pajtim Kasami përfundoi në bankinë, derisa Granit Xhaka ishte i suspenduar për shkak të kartonëve.
Shaqiri: Fituam me meritë
Xherdan Shaqiri ka qenë lojtari më i mirë i ndeshjes gjysmëfinale ndërmjet Zvicrës dhe Republikës Çeke.
Talenti i Baselit i ka udhëhequr Helvetikët drejt fitores. Përpos disa rasteve, ai në minutën e parafundit të takimit e ka goditur shtyllën, pas një gjuajtjeje nga distanca. “Ishte e qartë se ne ishim ekip më i mirë, e poseduam më shumë topin. Ne ishim ekipi që tentoi më shumë. Mendoj se e merituam të jemi në finale”, deklaroi Shaqiri për uefa.com.
Futbollisti kosovar mendon se Zvicra ka potencial ta mposhtë Spanjën në finale.
“Pse të mos e bëjmë këtë? Ne kemi ekip të mirë. Kemi potencial që ta mposhtim Spanjën. Nuk jemi favoritë, kështu që mund të luajmë pa presion në finale. Është gjë e rëndësishme për ne të jemi në finale. Është një mundësi e madhe. Mendoj se e tërë Zvicra po e shijon këtë arritje. Dëshirojmë ta shkruajmë historinë”, deklaroi futbollisti gjilanas.
Zvicra siguron Olimpiadën
Kualifikimi në finale të Evropianit U21 ia solli një arritje tjetër të rëndësishme Zvicrës. Në fakt, ekipi helvetik e siguroi edhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Londra 2012, që mbahet verën e ardhshme.
Zviceranët do të marrin pjesë me një ekip futbolli në Olimpiadë pas 84 vjetësh. Hera e fundit që zviceranët morën pjesë me ekip futbolli në Olimpiadë ishte viti i largët 1928.