E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mehmet Kraja ‘ambasadori’ i Kosovës në Tiranë

Autoritetet kosovare javën e ardhshme pritet të publikojnë listën me dhjetë emrat e përfaqësuesve të parë diplomatikë, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në shtete të ndryshme të botës. Më shumë se dy javë që kur Presidenti i Kosovës ka dekretuar themelimin e misioneve diplomatike në nëntë e pastaj dhjetë shtete, konsultimet për gjetjen e emrave kanë hyrë në një fazë intensive. Tashmë në zyrën e Presidentit dhe Kryeministrit është duke qarkulluar një listë e papërfunduar me emrat e fillimisht të ngarkuarve me punë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, të cilët më pas pritet të jenë edhe ambasadorë të parë të Republikës së Kosovës. Por, zyrtarisht njoftohet se Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme janë ende duke zhvilluar biseda për identifikimin e diplomatëve të ardhshëm, të cilat shpejtë mund të rezultojnë me një listë të diplomatëve të parë. Dhe përpara zyrtarizimit është tejet i rëndësishëm i aprovimi i shteteve pritëse.

“Ne besojmë që shumë shpejtë ndoshta në javën tjetër mund të dalin emrat e personave që do të propozohen për të qenë të ngarkuar me punë në ambasadat e Kosovës. Nuk mund të them ditën saktësisht kur, por mund të them që Presidenti në bashkëpunim me Kryeministrin dhe ministrin e punëve të jashtme janë në konsultime intensive dhe besoj se shumë shpejt do ti kumtojnë” ka thënë Xhavit Beqiri, zëdhënës i Presidentit të Kosovës, të premten për Express. Gazeta ka arritur të marrë vesh edhe disa emra që tashmë ndodhen në listën e pafinalizuar të Presidentit dhe Kryeministrit. Sipas burimeve të gazetës emra potencialë për të ngarkuar me punë e më pas edhe ambasadorë të vendit janë, Ali Kryeziu që parashihet të jetë i ngarkuar me punë në Neë

York, në OKB, Muhamedin Kullashi - Paris, Avni Spahiu - Bruksel, Muhamet Hamiti - Londër, Anton Berisha - Romë, Mehmet Kraja - Tiranë, po ashtu përmendet edhe emri i ambasadorit të dikurshëm Ramadan Marmullaku. Ministri i Punëve të Jashtme

Skënder Hyseni thotë për gazetën se lista nuk është finalizuar ende dhe se emrat nuk duhet të bëhen publik pa ardhur pëlqimi nga vendet përkatëse për të përzgjedhurit

e Prishtinës. “Lista mund të bëhet dhe guxon të bëhet publike, sipas të gjitha normave

diplomatike, vetëm pasi ta kemi marrë pëlqimin e vendeve përkatëse për secilin nga emrat. Në praktikën diplomatike kërkohet pëlqimi edhe i vendit ku dërgohet i ngarkuari me punë, përkatësisht ambasadori. Me gjuhën diplomatike ky quhet agreman”, ka thënë Hyseni. Të ngarkuarit me punë, sipas ligjit, kanë të drejtë të konkurojnë për t’u bërë ambasadorë. Pas hapjes së konkursit, ata duhet që t’i nënshtrohen edhe intervistave të cilat do të bëhen nga një komision i cili do të përbëhet nga përfaqësues të Presidencës, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Punëve Jashtme. “Unë nuk e përjashtoj mundësinë që shumë nga ta edhe do të jenë ambasadorë të Kosovës”, ka thënë Hyseni. Ata, sipas përshkrimit të punës, fillimisht do të merren me çështje teknike. “Do të jenë dy detyra parësore. Një, vendosja e kontakteve bilaterale me vendin nikoqir dhe fillimi i ndërtimit të marrëdhënieve sistematike diplomatike dhe të bashkëpunimit në të gjitha fushat, dhe detyra tjetër parësore do të jetë logjistika e ambasadave, zyrat e ambasadës identifikimi i residencës së përhershme për ambasadorin”, ka sqaruar Hyseni. Para se të nisin punën e tyre të ngarkuarit me punë, pritet t’i nënshtrohen një trajnimi elementar i cili nuk do të zgjas as një javë. “Shumë vende të cilat tashmë e kanë njohur Kosovën në mënyrë shumë gjeneroze kanë ofruar ndihmën e tyre për shkollimin e kuadrit diplomatik të Kosovës”, ka thënë Hyseni. Ai ka sqaruar se diplomatët e ardhshëm do të mësojnë përvojat elementare të vendosjes dhe akreditimit në vendet nikoqire. Presidenti i Kosovës më 18 qershor kishte dekretuar hapjen e 9 misioneve diplomatike në nivel të ambasadave. Në Washington, New- York, Londër, Paris, Romë, Berlin, Vjenë, Bernë, Tiranë, ndërsa më 3 korrik ka dekretuar edhe themelimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›