Aliko: Jetova për të treguar të pathënat e ndëshkimit të 512 personaliteteve nga regjimi komunist
“Në një 1 orë e 13 minuta, së bashku me stafin realizues, kemi trajtuar dënimin e 512 personaliteteve të elitës shqiptare, përmes fotografive, videove dhe tregimeve”, thotë Aliko, i cili ka vuajtuar 17 vite burg, duke nisur nga prilli i vitit 1946.
Ngjarjet reale të torturave, internimeve, ekzekutimeve, burgimeve, të vuajtura nga intelektualët, që cilësoheshin si “kërcënimi i kombit”, përfshijnë një periudhë 6 vjeçare, që nis nga 28 tetori i vitit 1944. 82 vjeçari që ka punuar 4 vjet për skenarin e filmit ndalet tek politika e atij sistemi, duke nënvizuar se “të marrësh pushtetin, duhet dhe ta mbash atë. Kjo do ishte e mundur vetëm nëse eliminoheshin të gjitha gjurmët dhe kërcënimet që vinin nga intelektualët dhe patriotët, të cilët ishin pengesa kryesore e regjimit totalitar”. Dokumentari nis në pragun e çlirimit të vendin, kur startuan dhe procedimet për zhdukjen e individëve që kërcënonin politikën vendase, të pasuara me 5 gjyqe speciale dhe ushtarake. “Në vitin 1944 kryeqyteti u bë dëshmitar i masakrave më të mëdha të bëra ndonjëherë kundër intelektualëve, patriotëve dhe ish-funksionarëve të shtetit, pa procese gjyqësore, pa mbrojtje. Me urdhër të Enver Hoxhës, atë kohë u eliminuan rreth 100 persona, prej të cilëve janë identifikuar vetëm 38”, tregon Aliko. Pas kësaj masakre regjistrohet gjyqi i 14 prrillit 1945. “Gjyqi special i ‘45 numëron 17 viktima të pushkatimeve. Ndër ta Haxhi Përmeti, Bari Omari, kunati i Enver Hoxhës, Kostandin Kote, etj”, rrëfen skenaristi. Duke folur për ligjet e asaj kohe, që lejonin ekzistencën e partive të tjera, të tilla si Bashkimi Kombëtar, Legaliteti dhe Socialdemokratët, Aliko nënvizon se “të gjitha këto parti do ishin pengesë për regjimin, ndaj njerëzit që i mbështetën ato u asgjesuan si kundërshtarë të partisë komuniste”. Në Janar të 1946 u morrën masa ekstreme ndaj dhjetra njerëzve, mbi të cilët u hodhën akuza të pabaza. “Në këtë gjyq u pushkatuan 9 persona, ndër ta Sami Qelibashi, Qelam Koka, Xhahit Koka, Qelam Dibra, Ali Tirana, etj”, kujton 82 vjeçari. Dënimet vijuan me gjyqin ndaj të akuzuarve për sabotim të kënetës së Maliqit “gjyqi i famshëm i Maliqit”, ku u dënuan me varje Kujtim Beqiri, Abdul Sharra, si dhe u dënuan me pushkatim Vasil Nano, me gruan Zyranë, shtatëzanë, Mirush Përmeti dhe shumë e shumë të tjerë. Skenaristi Aliko ndalet në filmin e tij dokumentar edhe në gjyqin ndaj intelektualëve të arsimuar në shkollën Teknike “Harry Fultz”, një fidanishte siç e quan ai të kulturës shqiptare”. Në këtë gjyq u pushkatuan 22 veta. Pjesë e këtij dokumentari është dhe procedimi i deputetëve pas zgjedhjeve të vitit 1945, periudhë në të cilën u pushkatuan Selaudin Toto, Selim Kokolari, etj. Në kujtesën e 82 vjeçarit nuk mund të anashkalohej dhe hedhja e bombës në ambasadën Sovjetike, më 1951. Intelektualët që shpëtuan nga ky antentat u ekzekutuan më vonë. Eksplozivi i përgatitur u hodh në oborrin e ambasadës, ku aktualisht ndodhet Ministria Arsimit, për të eleminuar pjesën e mbetur të intelektualëve. “Atë kohë isha në burg”, rrëfen Aliko, i cili, në bazë të hulumtimeve tregon se në atë gjyq, pa avokat dhe pa mbrojtje, të organizuar nga Byroja Politike me sigurimin e shtetit, me në krye Mehmet Shehun, u dënuan me vdekje 22 intelektualë, ndër ta dhe gruaja më intelektuale e kohës Sabiha Kasimati. Në filmin dokumentar paraqiten dhe mjediset e burgjeve, të njohura ndryshe si garnizone të torturave çnjerëzore. “Kemi filmuar qelitë dhe ambientet e burgut të Tiranës, Burrelit, Shkodrës, Gjirokastrës, Beratit”, vijon skenaristi, i cili jo pa keqardhje thotë se ato mjedise janë zbukuruar në vitin 1992. “Janë zbukuruar gjurmët e të kaluarës, dëshmi e torturave të komunizmit”, përfundon ai.